LAJMI I FUNDIT:

Forca e Diasporës formon Forumin për Barazi Gjinore

Forca e Diasporës formon Forumin për Barazi Gjinore

Forca e Diasporës (FeD) ka formuar Forumin për Barazi Gjinore, i cili ka në përbërje shtatë anëtarë, dhe do të udhëhiqet nga Ganimete Bajraktari, psikologe, aktiviste, dhe intelektuale nga Austria.

Anëtarët tjerë janë: Shpresa Xhakli- aktiviste nga Amerika, Fitije Poçari- nga Italia, Fitore Qirezi-nga Maqedonia Veriore, Mirvete Gërguri- nga Prishtina, Avni Dervishi- nga Suedia, si dhe Fitim Kryeziu, aktivist nga Danimarka.


Avni Dervishi, veprimtar nga Suedia, ka thënë se fuqizimi i gruas nuk duhet të jetë një punë apo aktivitet vetëm për gratë, por për të gjithë qytetarët pa dallim të orientimit gjinor, pa dallim se ku jetojnë, apo çfarë veprojmë.

“E kemi provuar se çfarë do të thotë që mungesa e barazisë gjinore, siç e kemi parë edhe atë se çfarë do të thotë kur barazia gjinore respektohet, sepse kudo që kjo ndodhë, aty ka shumë më tepër suksese në të gjitha sferat”, ka thënë Dervishi.

Sipas tij, është shqetësues numri i madh i rasteve të dhunës ndaj grave, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Ai ka shtuar se, përderisa në Kosovë raportohen mbi 2.500 raste të dhunës ndaj grave përgjatë një viti, si dhe mbi 3.000 raste të tilla raportohen në Shqipëri, kjo është tregues se shoqëria shqiptare duhet të bëjë më shumë në ngritjen e vetëdijes për nevojën e respektimit të barazisë gjinore.

Ganimete Bajraktari ka thënë se barazia gjinore duhet të fillojë që nga familja, e pastaj ajo duhet të përcillet në lagje, dhe në rrethin e gjerë ku jetojmë.

“Ashtu sikur që të gjithë jemi njerëz, ashtu edhe duhet të jemi të gjithë të barabartë, pavarësisht gjinisë që i takojmë”, ka thënë Bajraktari.

Pjesëmarrësit e këtij takimi, shqiptarë dhe profesionistë të shquar të fushave të ndryshme dhe nga vende të ndryshme të botës,  kanë theksuar se probleme me dhunën në bazë gjinore ka edhe në shoqëritë dhe shtetet që tjera, jo vetëm në trojet shqiptare, por se vendet e zhvilluara nuk rreshtin kurrë së promovuari dhe së mbrojturi barazinë gjinore.

Ata konstatuan se fuqizimi i gruas e fuqizon gjithë shoqërinë, pa dallim diversitetesh njerëzore demokratike. Kjo, fuqizon diasporën e edhe trojet shqiptare.