LAJMI I FUNDIT:

Fondi i privatizimit në buxhet

Fondi i privatizimit në buxhet

Qeveria e Kosovës duket se i ka rënë në fije se si t’i kthejë paratë e privatizimit. Me Ligjin e ri për AKP-në, i cili ende është draft dhe pret miratimin nga Kuvendi i Kosovës, një pjesë e parave të privatizimit mund t’i shkojnë sivjet direkt buxhetit të Kosovës.

Në dispozitat e këtij ligji, një kopje të të cilit e ka siguruar Express, thuhet se pasi të definohen kërkesat e kreditorëve dhe interesat e pohuara të pronësisë, 75 përqindëshi i fondeve të mbetura mund të shfrytëzohen si para publike.

“Agjencia përcakton dhe deklaron si “fonde të mbetura” deri në shtatëdhjetë e pesë për qind (75%) të çdo të ardhure që e tejkalon maksimumin e vlerës së përllogaritur të grumbulluar të pretendimeve përkatëse të kreditorit dhe interesave të pohuara të pronësisë, dhe menjëherë i transferon ato fonde të mbetura në Qeverinë e Kosovës, të cilat pastaj bëhen “para publike” dhe trajtohen në pajtim me LMFPP”, thuhet në ketë ligj.

Ndërkaq, në rast se shuma e mbetur në një fond të mirëbesimit, nga i cili janë transferuar fondet e mbetura në Qeveri, është e pamjaftueshme për përmbushjen e të gjitha kërkesave të borxhlinjve, atëherë AKP, sipas këtij ligji, menjëherë duhet ta njoftojë Qeverinë. “Dhe qeveria menjëherë do t’i kthejë fondet përkatëse në fondin e mirëbesimit nga i cili janë transferuar”, thuhet në nenin 19 të Ligjit për AKP-në.


Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nuk pranojnë të flasin për këtë punë. Zëdhënësi Ylli Kaloshi thotë se kjo agjenci nuk mund të japë ndonjë koment rreth projektligjeve që kanë të bëjnë me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, pa u miratuar ato paraprakisht nga organet përgjegjëse, shkruan Express.

Nga ana tjetër, deri tani qeveria pas shumë tentativave për t’i kthyer këto para në Kosovë, pati hasur në kundërshtimet e ICO-së. Aso kohë nga zyrtarët e kësaj të fundit thuhej se pa u krijuar kushtet nuk mund të kthehen paratë e privatizimit. Megjithatë, në po të njëjtin ligj, i cili ia mundëson qeverisë që t’i fusë sivjet një pjesë të parave të privatizimit, kanë dorë edhe zyrtarët e ICO-së, të cilët kanë qenë pjesë e grupit punues.

Deputeti i Vetëvendosjes,Visar Ymeri, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Ekonomi, ku po shqyrtohet ky projektligj para se t’i shkojë Kuvendit për miratim, thotë se Qeveria me ketë po donë që ta financoj deficitin fiskal që mund të ndodhë ketë vit. “Dispozitat në fjalë kanë për qëllim t’ia mundësojnë Qeverisë që ta merr në shfrytëzim një pjesë të Fondit të Privatizimit për ta futur atë në kuadër të parasë publike”, tha Ymeri.

Ndryshe, mbi 520 milionë euro është shuma e mbledhur nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. /Telegrafi/