LAJMI I FUNDIT:

FMN shqetësohet për rritjen e çmimeve të ushqimit

FMN shqetësohet për rritjen e çmimeve të ushqimit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është i brengosur për rritjen e çmimit të ushqimit, posaçërisht sepse kjo më së shumti i godet të varfëritë dhe shtresat e prekshme të popullatës, tha zëdhënësja, Suzan Atkinson.

Atkinson tha se është e rëndësishme marrja e masave për mbështetje të atyre të cilët janë më së shumti të goditur, nga kjo lëvizje e çmimeve. “Është me rëndësi që më të prekshmit të jenë të mbrojtur, e jo prodhimet të subvencionohen", theksoi ajo.

Përveç shtrenjtimit të ushqimit, Atkinson, si problem e ceki edhe rritjen e inflacionit në disa nga vendet në zhvillim, me rritje të shprehur ekonomike. Sipas saj, disa nga këto shtete kanë ardhur deri në pikën e "ngrohjes potenciale", e për atë arsye në disa raste, bankat e tyre qendrore filluan në mënyrë adekuate ta ashpërsojnë politikën monetare.

Banka qendrore braziliane, për shembull, dje për herë të dytë gjatë këtij viti e rriti shkallën e kamatës, në 11.75 për qind, në përpjekje që ta mposhtë inflacionin. FAO, përndryshe, sot paralajmëroi se rritja e mëtutjeshme e çmimit të naftës së papërpunuar, e shkaktuar nga ngjarjet në botën arabe, plotësisht mund të veprojë ndaj shtrenjtimit të ushqimit. /Telegrafi/