LAJMI I FUNDIT:

Fillon rishtazi gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

Fillon rishtazi gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

 Për shkak të ndërrimit të anëtares së trupit gjykues ka filluar rishtazi gjykimi ku ish-ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, po akuzohen për korrupsion.

Në seancën e së hënës, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Mentor Bajraktari njoftoi se për shkak të gjendjes shëndetësore të anëtares së trupit gjykues gjykatëses Shadije Gërguri ka ndryshuar përbërja e trupit gjykues ashtu që në vend të saj tani anëtare e këtij trupi do të jetë gjykatësja Violeta Namani.


Pasi që palët në procedurë nuk kishin vërejtje rreth ndryshimit të trupit gjykues seanca ka vazhduar më dhënien e mbrojtjes nga tre të akuzuarit në këtë rast, Shkelzen Morina, Leon Thaqi dhe Lindar Krasniqi.

I akuzuari Morina duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Nuhi Paqarizi deklaroi se gjatë vitit 2016 ka filluar punën në (MBPZHR), në pozitën miratim dhe vlerësim i grandeve.

Ai tha se ndër përgjegjësit kryesore të tij kanë qenë kontrolli dokumenteve të aplikacionit, vlerësimi i aplikacioneve, miratimi i aplikacioneve.

Po ashtu i njëjti tha se edhe më parë kishte marrë pjesë në miratimin dhe vlerësimin e grandeve.

Sipas tij tek programi i veçantë për projektin në fjalë kanë aplikuar diku 7-8 aplikues.

Tutje, Morina deklaroi se në bazë të thirrjes për aplikim për grandet dhe kritereve të vendosura në bazë të udhëzimit administrativ aplikuesit kanë aplikuar në zyrat regjionale e pastaj ai tha se lëndët kanë ardhur në zyrën e tij.

Pastaj, sipas tij, në bazë të udhëzimit administrativ është bërë edhe vlerësimi ndërsa sa i përket shpalljes së përfituesve ai tha se nuk ka bërë shpalljen e tyre.

“Sa i përket shpalljes së përfitueseve unë nuk kam shpall fitues, unë kam bërë vlerësim, është një dallim i madh shpallja dhe vlerësimi. Dallimi është se vlerësimi është vlerësu një lëndë në bazë të udhëzimit, me shpall sun shpall përfitues, shpalljen e bënë kryeshefi ose drejtori në bazë të buxhetit që është i përcaktum”, ka thënë Morina.

Ndërsa, sa i përket procedurës së vlerësimit të kontrollës ai tha se si grup punues kanë kontrolluar dokumentet të cilat i kanë plotësuar kriteret në bazë të udhëzimit administrativ dhe pastaj sipas tij bëhet vlerësimi i lëndëve.

Tutje, pas vlerësimit Morina tha se lëndët i dorëzojnë tek shefi që në këtë rast sipas tij i kanë dorëzuar tek Nehati dhe ai i kontrollon nëse kanë ndonjë gabim apo lëshim.

“Pastaj pas vlerësimit lëndët i dorëzojmë tek shefi që në këtë rast i kemi dorëzuar tek Nehati edhe ai i kontrollon nëse kemi bërë ndonjë gabim apo lëshim dhe nëse gjen ndonjë gabim tonin ai na kontakton menjëherë neve dhe e kthen rastin tek ne dhe ne e përmirësojmë nëse kemi gabu diçka”, tha i akuzuari Morina.

Në rastin konkret sipas të akuzuarit Morina drejtori i tij Nehati nuk ka vërejtur se ka pas ndonjë pengesë.

Ai ka treguar edhe procedurën e kontrollimit në teren të cilën tha se e bëjnë inspektorët të cilët dalin në teren për të bërë vlerësimin e gjendjes faktike nëse diçka nuk përputhet me dokumentacionin e që në rastin konkret sipas tij inspektoret nuk kanë vërejtur se ka pasur ndonjë mospërputhje.

Sipas tij, kështu veprohet edhe tek masa e rregullt dhe njëjtë është vepruar edhe tek masa e veçantë.

I njëjti deklaroi se miratimi i projektit bëhet pas marrjes së raportit të inspektorëve nga tereni.

I akuzuari Morina ka sqaruar se çka janë konzorciumet. Sipas tij është një bashkësi e bizneseve ose një grup i bizneseve apo kompanive që aplikojnë për një çështje të caktuar për ndonjë projekt dhe qëllimi i konzorciumeve sipas tij është “mbulimi i njëra tjetrës në fusha të caktuara kur njëra nuk e plotëson një kriter ose një çështje që e ka të caktume e plotëson tjetra”, tha Morina.

Sipas të akuzuarit Morina një gjë e tillë është e rregulluar edhe në bazë të udhëzimit administrativ.

Ndërsa, lidhur me regjistrimin e konzorciumeve në ARBK ai tha se pasi që është ngrit aktakuza kishte shkuar dhe kishte pyetur në ARBK se konzorciumet a regjistrohen në ARBK? Këta të fundit iu kishin përgjigjur se asnjëherë të njëjtat nuk regjistrohen në ARBK.

“Kur është ngrit aktakuza, për mua ka qenë e pakuptim aktakuza se qysh është ngritë, jemi shku bashkë me Leon Thaqin në ARBK edhe vetëm me i pyt dhe me hek një obligim personal se a regjistrohen konzorciumet në ARBK, i kom pyetur në sportel tek ARBK nuk më kujtohet data por them se ka qenë fillimi i vitit 2018, me buzëqeshje ma ka kthy se asnjëherë në ARBK nuk regjistrohen dhe nuk ka ndodh asnjëherë asnjë konzorcium të regjistrohet në ARBK”, ka thënë i akuzuari Morina.

I pyetur nga prokurorja speciale Habibe Salihu se përveç udhëzimit administrativ në rastin konkret a janë bazuar edhe në ndonjë ligj tjetër, i akuzuari Morina ka thënë se në rastin konkret është zbatuar vetëm udhëzimi administrativ 09/2018.

“Zyrja jonë e konsideron udhëzimin administrativ sikur Bibël si Kur’an, jo edhe ligjin për bujqësinë dhe për secilin program është udhëzimi administrativ qe publikohet në web faqe ku aplikohet”, tha Morina.

Ai tha se ka qenë hera e parë që ka qenë pjesë e ekipit vlerësues ku kanë aplikuar konzorciume.

I akuzuari Morina, deklaroi se nuk i kujtohej nëse prej 8 deri më 14 gusht 2018 është bërë vlerësimi i aplikacioneve, kontrolli administrativ, miratimi dhe kontraktimi dhe në fund shpallja e  përfituesve.

Për këtë rast, ai tha se në vlerësim kanë punuar katër anëtarë dhe se vlerësimi ka ndodhur shpejt edhe përkundër volumit të madh të dosjeve dhe shtoi se askush nuk iu kishte kërkuar apo bërë presion që kjo punë të përfundoj me urgjencë.

Edhe i akuzuari Thaqi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së tij avokates Fehmie Gashi Bytyqi ka deklaruar se në për këtë rast ka punuar në bazë të udhëzimit administrativ 09/2018 i cili tha se ka qenë i emëruar sipas vendimit të kryeshefit Ekrem Gjoka.

Thaqi deklaroi se edhe pse në këtë rast ka qenë i emëruar nga kryeshefi Gjoka ai tha se ka raportuar tek drejtori i tij Nehat Veliu.

I njëjti ka mohuar se ka pasur ndonjë përfitim se ishte emëruar në këtë komision për vlerësimin e raporteve.

Po ashtu ai tha se ka vepruar njëjtë si çdo herë prej vitit 2016.

Edhe i akuzuari Thaqi deklaroi se ka qenë hera e parë që ka punuar në një program të veçantë.

Herëve tjera ai tha se komisionet janë përbërë prej dy anëtarëve por pse në këtë rast komisioni ka qenë i përberë prej katër anëtarëve i akuzuari Thaqi deklaroi se nuk ishte në dijeni.

Sipas tij, pasi që lënda ka kaluar tek drejtori për aprovim i njëjti ka pasur kompetencë që lëndën ta kthej në rivlerësim, e që një gjë e tillë sipas të akuzuarit Thaqi ka ndodhur nëse është bërë ndonjë gabim teknik.

Tutje, i njëjti ka thënë se vlerësimin e bëjmë ne si komision por pastaj a fiton apo nuk e fiton ai tha se nuk e dinë.

Thaqi ka mohuar se si grup vlerësues ka pasur obligim të bëjë edhe kontraktimin e kompanive.

Ndërsa i pyetur nga i akuzuari Rikalo se a ju ka dhënë ndokush urdhër apo i ka motivuar ata që të punojnë kundër detyrave ligjore të tyre, i akuzuari Thaqi u përgjigj “Jo, kurrë”.

Seanca ka vazhduar edhe me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit Krasniqi i cili në pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Alban Makolli po ashtu ka sqaruar procedurën e aplikimit.

Si pjesë e komisionit ai tha se kemi qenë të angazhuar për kontrollimin e lëndës respektivisht vlerësimit dhe miratimit se ai plotëson kushtet e kërkuara sipas udhëzimit administrativ.

“Në vazhdimësi duke u konsultuar edhe me drejtorin paraprak Nehat Veliu , dhe pas kontrollës administrative që kemi bërë e kemi konstatuar se 4 lëndë e kanë kalu kontrollën administrative, si dhe 3 lëndë tjera janë refuzuar”, ka i akuzuari Krasniqi.

Ai tha se në bazë të udhëzimit administrativ grupi punues ka vlerësuar se aplikimi është si grup i kompanive apo konzorcium.

Krasniqi deklaroi se eprori i tij Nehat Veliu ka qenë i informuar për secilin veprim të tij, ndërsa i pyetur se i njëjti a ka pasur ndonjë vërejtje apo udhëzim në fazat e caktuara i akuzuari Krasniqi tha se sipas tij çdo gjë ka qenë në rregull.

Edhe i akuzuari Krasniqi deklaroi se drejtori Veliu ka mundur që ta refuzojë apo ta kthej në pikën zero vlerësimin që është bërë nga ana e grupit punues.

Tutje, Krasniqi ka thënë se sikur të mos ishte aprovuar vlerësimi nga drejtori Veliu, nuk do të kishin mundur me u shpall përfituesit e grandeve.

Sipas të akuzuarit Krasniqi njëri nga kriteret që duhej ta përmbushte aplikuesi ka qenë që njëra nga kompanitë e konzorciumit duhet të jetë e regjistruar në ARBK.

Seanca e radhës do të vazhdojë më 28 korrik 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.

Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’iu mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, raporton BetimiperDrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - gjithçka që duhet të dini

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - gjithçka që duhet të dini

Politikë
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori