LAJMI I FUNDIT:

Filloi mihja e Sibovcit Jugpërendimor

Filloi mihja e Sibovcit Jugpërendimor

Ka nisur funksionimin pjesa e parë e projektit më madhor energjetik në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit, mihjes së re “Sibovci Jugpërendimor” (SJP). Ky sistem i inauguruar të martën ka patur një kosto 34.74 milionë euro.

“Vetë vlera e projektit tregon për rëndësinë e madhe që ka kjo linjë për eksploatimin e qymyrit në Sibovcin Jugpërendimor”, tha Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj.

Investmet janë realizuar falë grantit nga Agjencioni Evropian i Rindërtimit (AER) që ka financuar si donacion shumën prej 15 milionë eurosh, nga Buxheti i Kosovës janë dhënë donacion 3 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 16.74 milionë euro janë financim nga KEK-u përmes kredisë afatgjatë të siguruar nga Buxheti i Kosovës.

“Ky donacion tregon edhe njëherë për përkushtimin e BE-së dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndihmojnë sektorin energjetik të Kosovës duke rehabilituar njërën prej linjave më të rëndësishme për hapjen e sasive të linjitit në Sibovcin Jugpërendimor”, shtoi Gjukaj. Ai tha se shumë e rëndësishme është edhe puna e zellshme në këtë projekt me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm të stafit ndërkombëtar dhe vendor, që tregon për seriozitetin e KEK-ut në përfundimin e projekteve të rëndësishme për këtë sektor.


Tonët e parë të qymyrit nga SJP parashihet të ekspolatohen në prill të vitit 2010, rreth gjashtë muaj para afatit të planifikuar.

“Ka përmirësime të ndjeshme të furnizimit me energji elektrike. Edhe ky projekt tregon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ta përmirësuar edhe më tutje furnizimin. Por, asnjë kompani nuk mund të mbijetojë nëse nuk i paguhen shërbimet që ofron. Prandaj, apeloj tek të gjithë qytetarët t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike”, tha Ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala.

Ndihmë të konsiderueshme në hapjen e mihjes së re ka dhënë edhe Bashkimi Evropian.

“Ky projekt do të rris kapacitetet gërmuese në mihje për së paku 50 për qind, do ta bëjë sektorin energjetik më të qëndrueshëm, nënkupton më pak reduktime, më shumë zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, sikurse do të rrisë investimet e huaja direkte”, tha Kjartan Bjornsson, shef i operimeve në zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë.

Në SJP parashihet të eksploatohen 124 milionë tonë qymyr, sasi kjo e mjaftueshme deri në fund të jetës teknologjike të termocentraleve ekzistuese. /telegrafi/