LAJMI I FUNDIT:

Familja dhe adoleshentët

Familja dhe adoleshentët
gettyimages

Fjala ”adoleshencë” rrjedh nga fjala latine “adolescere”, që do të thotë “rritem” ose “piqem”, “maturohem”. Pra, adoleshenca është kohë rinore, fazë e zhvillimit të individit prej moshës së pubertetit deri në pjekurinë e tij.

Periudha e adoleshencës është periudhë mjaft e ndjeshme, e cila shoqërohet me ndryshime të shumta. Pjekuria ose maturimi janë gjendje apo moshë e jetës ku personi e kompleton zhvillimin e tij fizik, emocional, shpirtëror, social e intelektual.

Formimi i një prej cilësive të mësipërme nuk presupozon formimin e njëkohshëm edhe të cilësive tjera. Një 14 vjeçar mund të jetë i zhvilluar fizikisht, por ai mund të jetë i papjekur në sfera të tjera. Pikërisht kjo është një nga veçoritë e adoleshencës. Tërë këtë periudhë, disa autorë e ndajnë në disa nënperiudha.


Më i pranishëm është klasifikimi i psikologes amerikane E. Karelog, e cila këtë periudhë e ndanë në:

▪ paraadoleshenca, e cila përfshin periudhën prej moshës nga 10 deri 12 vjeç;
▪ adoleshenca e hershme, e cila përfshin periudhën prej moshës 13 deri 16 vjeç, dhe
▪ adoleshenca e vonë, e cila përfshin periudhën prej moshës 17 deri 20 vjeç.

Pikëpamje të ndryshme janë dhënë edhe për sa i përket kohës se mbarimit të kësaj periudhe. Disa psikologë këtë periudhë psikike, sociale, tek të rinjtë e zgjasin dikur rreth viteve 22 të jetës së individit. Apo ka raste kur kjo kohë zgjatet edhe me shumë. Mirëpo, sidoqoftë, për prindërit është me rëndësi se i riu në këtë kohë bën përpjekje të gjejë vetën në mjedisin e ri jetësor. Ai dalëngadalë mundohet të pavarësohet për jetën e tij të mëtutjeshme.

Këtë periudhë, kritike për adoleshentë, e karakterizojnë ndryshime të shumta; zhvillimi fizik, zgjatja e trupit, e sidomos zgjatja e duarve dhe këmbëve; pjekuria seksuale, psikike, emocionale, sociale e shpirtërore, transmeton Telegrafi.

Tek të rinjtë e kësaj moshe të vrullshme, fillojnë të shfaqen dëshira të ndryshme, interesime të ndryshme dhe të shumta, kërkesa të shumta për prindërit e tyre, siç mund të jenë; dëshira për shkollim, zgjedhje të profesionit, veshmbathje etj.

Nganjëherë, këto dëshira të tyre mund të jenë edhe shkak i pakënaqësive dhe mospajtimeve midis prindërve dhe brezit të ri. Mirëpo, prindërit duhet të jenë në gjendje që t’i përkrahin dhe t’i mbështesin ata në jetën e tyre.

Adoleshentët janë emocionalisht të pastabilizuar. Është moshë e dehjes pa pasur nevojë të pijë, që e bën Platonin të përcaktojë rininë si dehje shpirtërore. Është impuls natyral për të pasur gjendjen psikike të gjaknxehtësisë dhe xhelozisë, dhe kjo karakterizohet si emocionalitet.

Gjërat që kurrë nuk duhet t’ua thoni adoleshentëve tuaj: Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë
Lexo po ashtu Gjërat që kurrë nuk duhet t’ua thoni adoleshentëve tuaj: Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë

Prindërit duhet të jenë këshillëdhënës të mirë. Sepse, familja është institucion bazë ku realizohet formimi i adoleshentit. Ndikimi i familjes në formimin e personalitetit të individit nuk është i njëjtë në të gjitha moshat.

Ky ndikim veçanërisht është i theksuar në adoleshencë. Sidomos është tejet i lartë roli edukativ i nënës. Në familjet tona ende nëna është ajo që merret mbi vete jo vetëm rritjen, por edhe edukimin e fëmijës, se kohën e lirë në familje adoleshentët e kalojnë kryesisht me nënën.

A duhet të zgjasë adoleshenca deri në moshën 24 vjeç?
Lexo po ashtu A duhet të zgjasë adoleshenca deri në moshën 24 vjeç?

Pra, familja vazhdon të luaj rolin primar në edukimin e adoleshentit, ajo formon jo vetëm përfytyrimet fillestare për të mirën dhe të keqen, për atë që lejohet e atë që nuk lejohet, por edhe bazat e edukimit moral. /Telegrafi/