LAJMI I FUNDIT:

Evropa Juglindore, reforma në raportimin financiar

Evropa Juglindore, reforma në raportimin financiar

Ministrat e Financave takohen për të trajtuar sfidat e krizës financiare në Evropën juglindore përmes përmirësimit të raportimit financiar Plani i veprimit për reforma do të ndihmojë në përpjekjet e këtyre vendeve për hyrje në BE dhe do të shtojë stabilitetin e tyre financiar

Ministrat e Financave nga tetë vende të Evropës jugore, lindore dhe qendrore janë takuar sot në Vjenë në mbështetje të një plani unik rajonal të veprimit i cili do të shtojë stabilitetin në ekonomitë e vendeve të tyre dhe do të ndihmojë në mbështetjen e hyrjes apo përafrimit të tyre me Bashkimin Evropian.

Kjo konferencë e organizuar nga Qendra e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar ka përfshirë Ministrat e Financave dhe përfaqësuesit nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia.

Duke pasur parasysh krizat aktuale financiare, plani i veprimit ka për qëllim të ndihmojë menjëherë secilën ekonomi që në mënyrë rrënjësore të përmirësojë rregullimin e raportimit financiar si dhe në modernizimin e sistemeve arsimore profesionale dhe akademike në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.


“Reformat e raportimit financiar janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik,” tha Philippe Le Houérou, Zëvendës President i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore.

“Plani i veprimit për të cilin janë pajtuar Ministrat do të ndihmojë secilën ekonomi për të tejkaluar sfidat e menjëhershme të krizës aktuale financiare, duke përmirësuar mjedisin për investime të brendshme dhe të jashtme, gjë shumë e rëndësishme kjo për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Në anën tjetër ky plan do të ndihmojë secilën ekonomi për të përshpejtuar harmonizimin e raportimit financiar dhe auditimit me kërkesat e BE-së.”

Në deklaratat e tyre në konferencë, Ministritë kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për planin “Rruga drejt Evropës – Program për reformën e kontabilitetit dhe fuqizimin institucional” (REPARIS) i cili është hartuar në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe përfshin periudhën 2009-2013. Programi REPARIS është i dizajnuar rreth futjes në funksion, zbatimit dhe aplikimit efektiv të pjesëve përkatëse të acquis communautaire të BE-së. Acquis communautaire përfshin jo vetëm Direktivat dhe Rregulloret e Ligjit për Ndërmarrjet të referuar më lart, por edhe zbatimin e praktikave më të mira të BE-së, të cilat në vete inkorporojnë standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesit nga Komisioni Evropian dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim kanë mirëpritur këtë iniciativë si në aspektin kohor ashtu edhe për nga rëndësia e saj.

REPARIS ka për qëllim të kontribuojë në investimet e huaja si të drejtpërdrejta ashtu edhe portfolio investimet, të të kujdeset për zhvillimin e sektorit privat dhe atij financiar, të përmirësojë mjedisin afarist dhe klimën për investime dhe të lehtësojë integrimin në Bashkimin Evropian.

Për të arritur këtë, brenda secilës ekonomi janë themeluar bashkësitë rajonale të praktikës, të përbëra nga palët kyçe të interesuara, për të adresuar sfidat e menjëhershme në zbatimin e raportimit financiar, auditimit dhe edukimit profesional në fushën e kontabilitetit.

“Edhepse të gjitha ekonomitë nuk ndodhen në fazë të njëjtë sa i përket rrugës së tyre drejt Evropës dhe tranzicionit në ekonominë e bazuar në treg, destinacioni i dëshiruar është innjëjtë dhe sfidat janë të ngjashme,” tha John Hegarty, Udhëheqës i Qendrës së Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar.

“Disa ekonomi tashmë kanë pasur sukses në zgjidhjen e disa sfidave tranzicionale dhe përmes Bashkësive të Praktikës kanë shkëmbyer me sukses me ekonomitë fqinje përvojat e tyre.”

Aktivitetet kyçe të këtij programi përfshijnë kontributin strategjik në (a) hartimin dhe futjen në funksion të instrumenteve ligjore dhe rregullatore për të qenë në pajtim me acquis communautaire të BE-së; (b) strukturën institucionale dhe procedurat operacionale; dhe (c) planifikimin e programeve arsimore dhe trajnuese të cilat janë në vazhdim e sipër, si akademike ashtu edhe ato profesionale. Përveç kësaj, Programi përfshin edhe aranzhimet për aktivitete binjakëzimi me institucionet kryesore të jashtme, si dhe themelimin e mbështetjes fillestare të një rrjeti rregullatorësh, përcaktuesish të standardeve dhe zyrtarëve nga shtetet pjesëmarrëse.

Në konferencë folën edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Michael Spindelegger, dhe Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Financave të Austrisë, z. Reinhold Lopatka, i cili theksoi mbështetjen e Qeverisë së Austrisë për këtë iniciativë dhe partneritet. Financimi i programit REPARIS është bërë nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

“Ne kuptojmë rëndësinë e kësaj iniciative sepse raportimi i shëndosh financiar dhe auditimi janë elemente të domosdoshme për krijimin e një klime të përshtatshme për investime të huaja dhe rritje të qëndrueshme ekonomike,” tha Ambasadorja Brigitte Oeppinger-Walchshofer, Drejtoreshë Menaxheuse e Agjencisë Austriake për Zhvillim. /telegrafi/