LAJMI I FUNDIT:

Euro pëson ulje, leku fiton terren

Euro pëson ulje, leku fiton terren

Monedha europiane ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, euro është shitur për 141.33 lekë, ose 0.04 lekë më lirë se një ditë më parë. Për më shumë se një javë, euro ka zbritur nën nivelin e 142 lekëve, kuotë e cila qëndroi për disa muaj, madje duke u afruar deri në 143 lekë.

Ekspertët thonë se zbutja monedhës unike vjen si pasojë e lëvizjeve nga sektori i turizmit. Megjithatë, kjo është njëra anë, pasi euro po dobësohet edhe ndaj monedhave të tjera. Shkak për këtë është bërë kriza në Greqi, borxhet e së cilës kanë krijuar pasiguri për vendet e tjera të Eurozonës.

Një zbutje e monedhës europiane padyshim që reflekton pozitivisht në disa sektorë të ekonomisë, duke filluar me importet, ku mallrat e blera nga jashtë vijnë me çmime më të lira. Sikurse është konfirmuar nga BSH-ja, një pjesë e nivelit aktual të inflacionit, prej 4.2 përqindësh i dedikohet presioneve që vijnë nga jashtë, si bursa dhe kursi i këmbimit.

Ulja e euros i jep mundësi konsumatorit të shkëmbejë mallra dhe shërbime në tregun vendas me çmime më të lira. Këtu kemi parasysh sektorin e ndërtimit, i cili i ofron hapësirat me euro, pajisjet elektronike dhe deri te paketat turistike.


Tjetër ndikim jo pak i rëndësishëm, pozitiv është edhe ai i kësteve të kredisë, që shlyhen në monedhën europiane, raportoi TCH./Telegrafi/