Nga: Xhyher Cani
Krahas Emil Zolës [Émile Zola, 1840-1902] romancier, krijuesit të ciklit të Rougon-Macquar-it, Zolës gazetar dhe kritik i artit, Zolës autor i pamfletit elokuent kundër padrejtësisë “Unë akuzoj/J’accuse ”, ekziston dhe një profil më pak i njohur nga formati-gjeni i shkrimtarit, po aq magjepës sa dhe portretet e tjera – Emil Zola fotograf.
Gjeni i letrave dhe lider i romanit naturalist, Zola (1840-1902) është gjithashtu një njeri i imazhit. Edhe pse fotografia filloi si hobi, edhe në këtë fushë krijimtarie artistike spikat talenti madhor i tij dhe pasioni për fotografinë, që zgjati deri në fund të jetës.
Në këtë profil të dyfishtë artistik takohet shkrimtari gjenial dhe fotografi plot ndjenjë që punonte me devizën: “Asnjë ditë pa shkruar dhe asnjë ditë pa imazh”.
Zola si artist fotograf afirmohet fillimisht si eksperimentues autodidakt i pasionuar pas njohurive teknologjike të përparuara në fushën e fotografisë, që i testoi dhe i pasuroi me mësime dhe vizita në atelietë e mjeshtërve të mëdhenj. Të dyja këto profile, të ushqyera nga vizioni krijues, karakterizohen nga i njëjti mekanizëm: syri, i cili vështron, vëzhgon dhe pasqyron me realizëm natyrën dhe shoqërinë.
Më 1894, Emil Zola ishte 54 vjeç dhe pothuajse e kishte përfunduar veprën e tij madhore letrare, Rougon-Macquart, kur nisi një krijimtari të re, atë të fotografisë, duke instaluar nga një laborator fotografik në secilën prej rezidencave e tij, në Paris, Vernej dhe në Medan. I etur për të fotografuar, ai realizoi një fond prej 7000 negativash fotografikë me tema intime, shoqërore dhe artistike, duke skicuar kështu albumin e tij të ardhshëm që përbën kantierin e tij të madh fotografik që tashmë kishte ëndërruar.
Shkrimtari ndante ndërkohë jetën e tij familjare në çift me bashkëshorten legjitime, Aleksandrina Melej (Alexandrine Meley), me të cilën nuk pati asnjëherë fëmijë, dhe me të dashurën Zhanë Rozero (Jeanne Rozerot ), që i solli në jetë dy fëmijë, Denizën (Denise) dhe Zhakun (Jacques). Kjo jetë e dyfishtë do të mbetet e fshehtë deri në vitin 1891, datë që përkon edhe me fillimin e pasionit të tij për fotografinë. Më 1897, Zola realizoi albumin i tij luksoz fotografik, të titulluar Denise et Jacques, Histoire vrai [Deniza dhe Zhaku, një histori e vërtetë], me dedikim plot ndjenjë, kushtuar Zhanës, që përfundimisht legjitimon lidhjen e tij intime familjare në imazh.
Në fokus është kryesisht sfera familjare; portretet e gruas, portretet e së dashurës dhe fëmijëve që formojnë ansamblin madhor të veprës së tij fotografike; portrete krejt të thjeshta, të realizuara me spontanitetin e çastit, me një përkujdesje të përpiktë të dritës dhe gjithmonë me një tis ëmbëlsie në përjetësimin e modeleve. Të kompozuara në çaste madhështore apo të thjeshta, por gjithmonë shprehëse, albumi familjar bëhet një fiksion nostalgjik.
Këto fotografi luajnë rolin e talismanit dhe janë objekte fetishe që mishërojnë portrete të dashura. Vetëm një pakicë fotografish, të gjykuara të vlefshme, i kushtoheshin rrugës së botimit. Ky libër fotografik familjar me faqe imazhesh është një roman i vërtetë fotografik, ku takohen së bashku brezat familjarë, kronika dhe ritmi i jetës. Në këtë kontekst, albumi fotografik është tepër intim dhe bëhet një formë shprehjeje e jetës së përbashkët protokollare, ku vatra familjare depoziton yjësinë e ndjenjave që e rrethon.
Në këto negativa fotografike, përfaqësuese të temave të parapëlqyera të Zolët, shihen kompozime formale të imazheve me një poetikë ikonike, ku fotografitë e tij evokojnë tablotë e pikturës, me ekulibrat dhe simetritë, me rimat dhe ritmet plastike, me plane që të kujtojnë skicat topografike të romaneve të tij. Kjo intuitë formale që merr pjesë në realizimin e bukurive të këtyre fotografive, nuk është asnjëherë abstrakte; ajo shërben si poezi, duke thyer kodet estetike të imazheve të epokës me skena të mbingarkuara panoramike marramendëse. Veç sferës familjare, në fokusin e aparatit të Zolët u përjetësuan edhe portretet e miqve të tij: Maupassant, Huysmans dhe Cézanne.
Figurë e shquar e natyralizmit letrar, ku përshkrimet e tij ishin më të vërteta se vetë natyra, Zola ishte gjithmonë i pranishëm për të fiksuar të dielat familjare, shëtitjet me biçikletë dhe lëvizjet e trenave të Parisit. Fotografia e tij mbetet intime dhe dokumenton të përditshmen, duke fokusuar qeniet e tij më të dashura. Pa dyshim që Zola bëhet me kohë fotograf me një përgatitje të lartë teknike. Ai zotëroi përdorimin e aparatit të tij panoramik, duke variuar me këndet e pamjeve dhe duke u përpjekur pa pushim të fiksojë përjetimet e tij të ndjera estetikisht.
Në raportin mes shkrimtarit dhe fotografit shihet një relacion pjellor mes njeriut dhe objektit teknologjik, një praktikë racionale që mundëson forma pamore krijuese të një fotografi që nuk i mungonte tashmë syri estetik dhe artistik.
Fotografia e Zolës nxjerr në pah energjinë mbi palëvizshmërinë, vë në dukje ritmin e jetës kundër pozave statike të përftuara në atelie. Kështu, lëvizjet trupore të fëmijëve që vrapojnë drejt objektivit, lodrat vallëzuese të kushërinjve në Medan, sfidat e turmave në Ekspozitën Universale të Parisit të vitit 1900, dinamika plot jetë e Londrës kur ndodhej në ekzil, flasin për një temperament artisti, për një nënshkrim vetjak estetik, për një aventurë fotografike drejt horizonteve me sharmë, larg kopjeve naive të një realiteti të përditshëm.
Fotografia është një akt refleksioni. Artisti që fotografon, përpiqet të japë identitetin e objektit që fokuson; ai e asimilon, e sintetizon dhe e përshtat atë në kompozimin artistik që synon. Sigurisht, procesi i fotografimit nuk është thjesht regjistrim automatik. Artisti i vërtetë nuk braktis rendin pamor, por respekton gjithë kriteret artistike dhe teknike: pozimin, kuadrimin, ndriçimin, si dhe proceset kimike. Raportet e Zolët me fotografinë janë komplekse dhe origjinale.
Vepra fotografike e Zolës evokon një qasje tjetër të shkrimtarit, një tonalitet ndryshe, pothuajse sentimental me stilin e shkrimtarit që ishte nganjëherë edhe gazetar, edhe polemist, dhe kaloi nga realizmi në natyralizëm. Imazhet e albumit fotografik nuk evokojnë ciklin e romaneve të tij, por na hapin me dashuri dhe ëmbëlsi portën e sferës intime të autorit.
Emil Zola shkrimtar nuk mund ta konsideronte fotografinë si një kalim kohe për t’u argëtuar. Përkundrazi, ai kuptoi shumë shpejt autonominë reale dhe shkencore të këtij mjeti shprehës.
Mendimi i Zolës kulmoi në vëzhgimin e tij estetik “mbi faktet e natyrës”, kur e përkufizoi fotografinë si mjetin ideal për të kapur dhe theksuar një vështrim në detaje të realitetit.
“Kur evokoj objekte që kam parë”, shkruante Zola, “unë i rishikoj të tilla, ashtu siç janë realisht, me linjat, format, ngjyrat, aromat dhe tingujt e tyre”.
Edhe pse Zola këshillohej me mjeshtrin e madh fotograf të kohës, Nadarin, me të cilin shkëmbente një korrespondencë të pasur, Zola në fushën e fotografisë u vetëformua si autodidakt, përmes eksperimentit dhe, më pas, fitoi përvojën e duhur. Koha e pozimit, korrigjimet e nevojshme gjatë punës, cilësia e pllakave të xhamta të përdorura, aplikimi me rigorozitet i teknikave vetjake dhe përpjekjet e panumërta për të kapur atë që kërkonte në objektin e fokusuar, të gjitha këto cilësi lartësonin veprën fotografike të Zolait.
“Sipas mendimit tim, ju nuk mund të thoni se e keni parë diçka në themel, nëse ju nuk i keni bërë një fotografi”, theksonte në një intervistë njeriu i letrave i pasionuar pas imazhit.
Në këtë refleksion të Zolës, që përkufizon me elegancë vështrimin fotografik, bëhet e mundur të shikosh edhe atë që nuk mund ta dallosh. Në fakt, detaji vjen nga fuqia e objektivit, nga përpikëria e kuadrimit, nga improvizimi i çastit të fokusimit, me një fjalë, nga i gjithë sistemi teknik dhe niveli i dijes së fotografit që manipulon.
Zola punoi në epokën e pllakave të xhamta, por edhe më pas, me daljet e para të pelikulës, ai zotëroi me përsosmëri gjithë proceset kimike argjentike ose cianotipe.
Për 10 vjet rresht, Zola do të kompozonte albume fotografike vetjake, pa kërkuar kurrë t’i publikojë këto imazhe. Për të, fotografia ishte “Violina e tij e re e Ingresit”; ajo u kthye në burim frymëzimi dhe dëshmi kënaqësie e sferës intime familjare dhe shoqërore. Dhe, për ironi të fatit, duhej pritur njëqind vjet, deri në vitet 80 të shekullit të kaluar, që publiku të befasohej me një faqe tjetër artistike të këtij mjeshtri të madh që kishte gdhendur tashmë letërsinë. Zola fotograf (Zola photographe) do të jetë libri që do të botojë nipi i tij, duke nxjerrë në pah pasionin dhe dashurinë e gjyshit të tij të shquar për fotografinë. Për historianët dhe kritikët e fotografisë, metoda letrare e natyralizmit ndikoi në praktikën e tij fotografike fine.
Ky aktivitet i babait të natyralizmit për një kohë të gjatë është injoruar apo është lënë në hije, nisur nga masivi gjigand i prodhimit të tij letrar Aktualisht, është e vështirë të vlerësohet realisht veprimtaria e tij fotografike, ngaqë ende sot trashëgimi i koleksionit të tij fotografik nuk është rekuperuar dhe restauruar tërësisht.
Zola fotograf i François Emilit ka qenë, në fakt, një zbulim për publikun, por, në një farë mënyre, ka rritur edhe enigmën e profilit teknik dhe artistik prej mjeshtri fotograf të Zolës. Në punën e tij spikat mënyra e të shprehurit plot vërtetësi, e karakterizuar nga mungesa e retushit, braktisja e aksesorëve kanonikë, shfrytëzimi i kapjes së çastit të duhur, pozimi me fleksibilitet kohe, procesi i fotografimit gjithmonë në mjedise të hapura, madje edhe kur fotografonte natën etj. Kjo mënyrë e të shprehurit është provë e shijes së tij për procesin e të fotografuarit, ku teknika ngjizej me ndjenjën e tij artistike. Fotografitë në statusin e babait të familjes që Zola realizoi në albumin e famshëm Histoire vrai, që shkrimtari fotograf ua dedikoi fëmijëve dhe Zhanës, është përmbushja e përkryer e aktit të devocionit familjar, duke krijuar një “mal” imazhesh që do të vazhdojë të ngrihet deri në fund të jetës së tij
Ky legjitimitet familjar nënshkruhet nga një baba shkrimtar, i dashuruar dhe i pasionuar pas fotografisë, që koleksionon në objektivin e tij me një art të madh dhe me natyrshmëri të afërmit e tij, duke e bërë tejet të dukshme lumturinë që ai përjeton. Zola shkrimtar, i dashuruar pas imazhit, është një fotograf i mirë, një artist ekuivalent me profilin e artistit që hyri në histori me penë në dorë. Zola është një amator që nuk ushtroi artin e tij në fotografi me amatorizëm, por një fotograf që ushtroi artin e tij plot përkushtim dhe me përsosmëri teknike. Vizioni i Zolës si autor që skanoi në detaje shoqërinë e kohës, bashkohet me vështrimin e fotografit, ku kujdesi, saktësia, improvizimi i çastit të gjetur janë të pranishme në negativat e tij. Por, megjithatë, Zola nuk ka ekspozuar kurrë, ai nuk i shpërndau kurrë imazhet e tij, edhe pse spikasnin nga humanizmi. Në të dyja aktivitetet e tij krijuese, si shkrimtar dhe fotograf, ku njëri aktivitet është publik dhe tjetri privat, kodi krijues estetik është i pranishëm. Shënimet teknike të zbuluara më vonë në fletoret e punës së shkrimtarit, sjellin të dhëna për kohën e pozimit, kapjen e objektivit, kompozimin kimik të kripërave dhe shkallën e ndriçimit, cilësi që karakterizojnë një fotograf të emancipuar teknikisht.
Zola dinte të vështronte me sy piktori dhe të fiksonte vizionin e çastit; ai kishte frekuentuar shkollën e piktorëve, në atelienë e Manesë (Edouard Manet), ku edhe aty mori mësime; dhe kjo nuk ishte pa efektivitet. Ai mësoi nga piktura kapjen e detajit dhe sensin e kompozimit dhe, ashtu si Maneja, vështrimi i tij artistik dinte të depërtonte në terren, veçanërisht në mjediset peisazhiste. Madje, teksti zolian i dosjeve përgatitore të veprave të tij është perceptuar si një performancë vizuale, ku cilësitë më të spikatura janë përpikëria, saktësia, njëkohëshmëria dhe gjerësia, cilësi që flasin për përsosmërinë e aparatit fotografik. Zhvendosja e Zolës shkrimtar në terrenin e piktorëve, në vetë vendin e aksionit, zbulon më mirë statusin e fotografit.
Zola është një romancier fotograf dhe jo një fotograf romancier. Në këtë pikëvështrim, albumi fotografik i tij është një vepër krijuese artistike, ashtu si romani i tij natyralist, sepse na ofron një narrativë të jetës dhe me këtë kureshtje ne e “lexojmë”.
Por, një album ka karakter privat dhe nuk ka karakterin publik të romanit. Sigurisht, procesi i krijimit të Albumit nuk është ai i romanit. Por, kur shkrimtari është dhe fotograf, hyjëzimi artistik vezullon edhe më shumë. /Gazeta “ExLibris”/
______________
Burimet e konsultuara
Zola, Emile, Lettres à Jeanne Rozerot,1892-1902, presentée et annotée par Brigitte Emile –Zola et Alain Pagés, Editions, Gallimard, Paris, 2004.
La photographie zolienne: Histoire vraie, in “Ariane”, Revue d’études littéraires française: Le Cercle des Muses (II), n°17 (2000-2001).
Une ethnographie inédite de la France, textes établis et présentés par Henri Mitterand, introd. de Jean Malaurie, avant-propos de H. Mitterand, Plon, 1986.
Le Roman mis à nu par la photographie, mëme, in “Romantisme”, n°105 (1999).
Les métamorphoses du ‘cadre. Le principe du cadrage dans l’avant-texte des Rougon-Macquart, in Jean-Pierre Leduc-Adine (dir.) Zola. Genèse de l’œuvre, CNRS Éditions, 2002,
Philippe Ortel, La Littérature à l’ère de la photographie. Enquëte sur une révolution invisible, Nîmes, éd. Jacqueline Chambon, 2002.
Zola Photo, 480 documents choisis et présentés par François – Émile-Zola et Robert Massin, Editions² Hoebeke, 1990.
“Zola en images”, Les Cahiers du naturalisme, n° 66.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale e kulturës sonë
Piro Milkani në një rrëfim për jetën: “E pabesueshme, por e vërtetë”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme