LAJMI I FUNDIT:

Kulla e Sahatit në Prishtinë, në epokën e teknologjisë

Kulla e Sahatit në Prishtinë, në epokën e teknologjisë

Nga: Zana Llonçari Osmani dhe Nita Llonçari

Gjatë shekujve XVII-XIX, qendrat e qyteteve, në përgjithësi zhvilloheshin pranë – apo shkriheshin me qendrën zejtaro- tregtare. Ato karakterizoheshin kryesisht me praninë e ndërtesave të kultit, me kullën e sahatit e ndërtesat shoqërore. Pazaret e qyteteve kryesore pajiseshin me kulla të larta në të cilat vendosej ora me kambanë. Kulla e sahatit, si e tillë, është veçori urbanistike e zhvilluar gjatë shekujve XVII-XIX si rezultat i zhvillimit të hovshëm ekonomik.


Kulla e Sahatit në Prishtinë është ndërtuar në fundin e shekullit XIX në afërsi të vendit ku ka ekzistuar Kulla e mëhershme e Sahatit. Kulla e Sahatit gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore – nën Mbrojtje të Përkohshme – 2020- 2021 me nr. unik 2764. Ajo gjendet në bërthamën e Qendrës Historike të Prishtinës.

Kulla e Sahatit është ndërtuara përgjatë një aksi vertikal që arrin lartësinë prej 26 metrave. Ka bazë gjashtëkëndore dhe përbëhet prej pjesës së poshtme e të sipërme. Pjesa e poshtme zë lartësinë më të madhe, afër 16.5 metra dhe shërben për lëvizjen e boçave (peshojave) prej ambienteve të mekanizmit mbi të (dhe kambanës në pjesën më të lartë). Pjesa  e poshtme është ndërtuar me mure të trasha prej guri/druri, prej nga përmes shkallëve të gurit arrihet në ambientet e sipërme të cilat janë të ndërtuar prej tullave. Ndriçimi i ambientit të brendshëm bëhet me dritare të ngushta harkore. Mbi pjesën e poshtme, në dysheme, ka qenë i vendosur mekanizmi i sahatit, ndërsa përmbi të ndodhej kambana, tingulli i së cilës, në atë kohë, ka qenë pjesë e peizazhit të Prishtinës. Lartësia kullës i jep prezencë të theksuar arkitektonike, duke u bërë me siluetën e saj pjesë përbërëse të fizionomisë së qytetit të kohës – funksion që e luan edhe sot.

Sipas rregullores nr.05/2008 (MKRS), mbi regjistrimin, dokumentimin, vlerësimin dhe përzgjedhjen e trashëgimisë kulturore për mbrojtje, rëndësia kulturore e Kullës së Sahatit qëndron në vlerat e saj shoqërore dhe teknologjike. Vlerat shoqërore të Kullës së Sahatit ndërlidhen me rëndësinë e saj si dëshmi e stilit tipik të jetesës gjatë shekujve XVII-XIX në qytete. Blerat që ajo prezanton për peizazhin e qytetit ndërlidhen me tingullin e kambanës dhe prezencën e saj arkitektonike që mbizotëron siluetën e qytetit. Ndërsa, vlera e saj teknologjike lidhet me rëndësinë e mekanizmit origjinal si dëshmi e proceseve teknologjike të kohës. Rëndësia kulturore, si e tillë, mishërohet në vet vendin, strukturën, vendosjen, përdorimin, ndërlidhjen, kuptimet dhe vendet e objektet e ndërlidhura.

Sot Kulla e Sahatit na vjen me ndryshime të mëdha nga gjendja e saj burimore. Kulla sot ka mekanizëm digjital i cili ka zëvendësuar mekanizmin origjinal (i cili duket se është “vjedhur”). Ora nuk funksionon; ndërtesa është në gjendje jo të mirë dhe është e lënë pas dore.

Aseti nuk e ka të përcaktuar perimetrin, zonën e tij mbrojtëse me kriteret për zhvillim në atë zonë. Kjo e bën atë të ndjeshëm ndaj zhvillimeve të pakontrolluara dhe joadekuate gjë që ia cenojnë vlerat e tij.

Rishtazi, një projekt i ideuar nga disa studentë të Fakultetit të Arkitekturës, ka arritur te diskutohet në instanca komunale, pa nxitur debat në opinioni publik apo atë profesional. Ky projekt bie ndesh me parimet themelore të konservimit të aseteve të trashëgimisë kulturore. Projekti pretendon rifunksonalizimin e Kullës së Sahatit në mënyrë që gjoja t’ia kthejë identitetin asaj. Megjithatë, gjersa projekti ka kujdes ndaj vlerave të gardhit rrethues, ky kujdes nuk duket se i është treguar edhe vlerave të vet Kullës së Sahatit.

Qasja e adaptuar për arritjen e qëllimit të projektit është tejet ambicioz dhe degradues ndaj vlerave të Kullës së Sahatit, në kuptimin që ajo kërkon t’i japë asaj më shumë popullaritet sesa vëmendje; ajo shihet pothuajse ekskluzivisht si një formë e popullarizuar e argëtimit.

Përdorimi nënkupton funksionet e një vendi si dhe aktivitetet dhe praktikat që mund të ndodhin në atë vend e që në asnjë mënyrë nuk lidhen me përdorimin e Kullës së Sahatit si Kullë vrojtuese – gjë që duket të jetë rezultati i projektit  në fjalë. Ky funksion, sa është i panatyrshëm është edhe dëmtues, jo vetëm për kuptimin e saj por edhe për aspektin pamor. Ashensori të cilin projekti e parasheh të ndërtohet përkrah Kullës së Sahatit, e dëmton kuadrin vizual të saj dhe ia cenon prezencën arkitektonike që e mbizotëron siluetën e qytetit.

Në aspektin urbanistik, me shtrojën e propozuar, projekti provon të krijojë ndërlidhje të reja mes Kullës së Sahatit dhe Xhamisë së Mbretit. Duhet pasë parasysh se Kulla e Sahatit është shembull i arkitekturës që përfaqëson zhvillimin ekonomik dhe fillimin e ndikimit perëndimor në arkitekturën osmane edhe në Kosovë. Lidhja e propozuar nuk merr parasysh këtë aspekt zhvillimor dhe karakterin e ndërtesës. Kjo ndërtesë më shumë shërbente si pikë referuese për pazarin e qytetit dhe, me stilin e vet, lidhet më shumë me ndërtesat laike të asaj periudhe.

Sidoqoftë, interpretimi nënkupton të gjitha mënyrat e paraqitjes së rëndësisë kulturore të një vendi, andaj nuk përjashtohet interpretimin i disave që Kulla e Sahatit t’i ketë shërbyer edhe besimtareve të kultit islam si thirrje për t’u lutur. Mirëpo, as ky interpretim nuk e arsyeton lidhjen Kullës së Sahatit vetëm me Xhaminë e Mbretit. Në këtë kontekst, elementi i shtrojës është më shumë përjashtues sesa integrues.

Në një shoqëri që karakterizohet me mungesë të kuriozitetit, nuk ka vend për një studim të mirëfilltë historik, dëshmi e së cilës është edhe ky projekt. Një qasje e tille mund të cenojë edhe vlerat tjera kulturore, në të ardhmen. /Telegrafi/