LAJMI I FUNDIT:

Elhamdulilah!

Elhamdulilah!

“’Futbolli është luftë’, e Serbia sërish e fitoi atë”. Ky është titulli i një shkrimi të vitit 2015, përkitazi me humbjen në Elbasan të Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, në ndeshjen me Përfaqësuesen e Serbisë. Kjo humbje ndodhi pas një terrori psikologjik që krerët e institucioneve të Shqipërisë ushtruan përmes mediave, ndaj lojtarëve – sidomos atyre nga Kosova; ndaj atyre që nuk iu nënshtruan as turmave të tërbuara, teksa nuk lejuan të përdhosej flamuri kombëtar shqiptar (më 14 tetor 2014 në Beograd, në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian në Futboll). Në atë kohë, analistët “gjenialë e kozmopolitë” që pasqyrojnë jo vetëm injorancën po edhe inferioritetin e Shqipërisë, nuk hezitonin që këta shqiptarë nga Kosova t’i fyenin duke u mbajtur “ders” se si do të duhej të silleshin, “si futbollistë e jo si Adem Jashara apo si Azem Galica”?!

Por, futbolli megjithatë është luftë. Kështu e percepton çdo shtet i fortë. Edhe Serbia. Teksa Përfaqësuesja e këtij vendi nisej drejtë Rusisë – ku më 2018 u mbajt Kampionati Botëror në Futboll – kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, tha: “Natyrisht që Përfaqësuesja jonë do ta mundë Zvicrën”. Këtë e përsëriti para dhe pas fitores së parë të Serbisë në këtë Kampionat (ndaj Kostarikës). “Do t’i gëzohem më së shumti fitores ndaj Zvicrës”!


Humbjen ndaj ekipit të Zvicrës – që sukseset më të mëdha në dekadat e fundit në futboll i ka arritur fal shqiptarëve – Vuçiqi e shihte si përmbysje të mitit të supremacisë serbe ndaj shqiptarëve; si humbje e së drejtës për t’i sunduar ata. Ndaj, ndeshja Zvicër-Serbi krahasohej me atë të vitit 1998 mes SHBA-së dhe Iranit, që vlerësohet si më e polarizuara politikisht në historinë e kampionateve. Sepse… futbolli pra është luftë! E, në këtë “luftë” miti antishqiptar u thye fal shqiptarëve të Kosovës, Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit; fal të gjithë lojtarëve shqiptarë që nderuan edhe zviceranët, sepse fitorja e tyre zyrtarisht ishte fitore e Zvicrës.

Fatkeqësisht, gëzimi i madh u përmbysë me debate të parëndësishme. Fyhet Xherdan Shaqiri, ai që në atletet e tij mban flamurin shqiptar dhe atë të shtetit të Kosovës! E tërë kjo veç pse i ekzaltuar nga fitorja, në një postim të tij në rrjetin Instagram ka shkruar “Elhamdulilah”. Njëjtë u kritikua edhe kur me këtë fjalë, më 1 qershor festoi fitoren e skuadrës së tij – të Liverpulit, në finalen e Ligës së Kampionëve – e kur dolën në pah ata që mendojnë se kanë etalon hyjnor të japin jo veç “këshilla” po edhe “diagnoza” për të! Për besimin e tij dhe mënyrën më paqësore se si e shprehte atë – bashkë me gëzimin?!

Çuditërisht, fjala “Elhamdulilah”, e shkruar me shkronja latine, nuk nxiti asnjë debat në Zvicër, e as në Angli; në asnjë shtet me rend që mbron të drejtat elementare të qytetarëve e që i çmon luftëtarët e tyre. Në asnjë vend normal nuk nxit debat fjala “Elhamdulilah” (“Falënderimi i qoftë Zotit”), që sipas studiuesit të shkencave islame, Mustafa Bajramit, tregon veç virtyte: modesti, përulje, madhërim, detyrim e obligim. Mos të harrojmë, këtë fjalë e përdorin edhe të krishterët e Lindjes së Mesme, siç kanë adaptuar të krishterët e Perëndimit fjalë e terme nga tradita më e hershme arabe në fenë e krishterë.

Shaqiri u fye. Nga ata që, sipas publicistit Daut Dauti, “dikur nuk ndjeheshin mirë që ishin shqiptarë, sot nuk ndjehen mirë që i takojnë besimit mysliman, e nesër mund të kenë ndonjë kompleks tjetër”! Por, rikthehet pas pak ditësh si hero i turmave të rrjetave sociale, teksa emri i tij përmendet në një video patetike të realizuar në Shqipëri (bashkë me shumë shqiptarë tjerë të suksesshëm – shumica “myslimanë” nga Kosova), si atu kundër deklaratave morbide të kryeministres serbe Ana Bërnabiq – si pjesë e asaj supremacie të përmbysur edhe nga Shaqiri – për “shqiptarët e dalë nga malet”! Pra, nuk ka gjykim të drejtë, veç anim dhe histeri masive!

Profesoresha e Historisë në Universitetin e Ilinoisit, Maria Todorova, në librin e saj “Ballkani imagjinar” flet për perceptimin negativ që ka Evropa për Ballkanin dhe për idetë që popujt e këtij gadishulli kanë për veten. Sipas mendimit të saj, Perëndimi (katolik) e ka paragjykuar fillimisht Lindjen (Bizantin ortodoks) e më vonë edhe më shumë – sidomos Ballkanin – për shkak të islamit dhe të Perandorisë Osmane. Por, ky paragjykim negativ shpeshherë burimin e ka edhe te inati e xhelozia. Sepse, Bizanti ishte shumë më i zhvilluar se Perëndimi; e një kohë besa edhe Perandoria Osmane.

Perëndimi pra nuk ka qenë ky që është sot; as Lindja nuk ka qenë kjo që është sot. Fatkeqësisht, anashkalohet ky fakt e me të edhe shumë të vërteta të hidhura! P.sh. përmendet sesi Skënderbeu vlerësohet si mbrojtës i Perëndimit, si Atlet të Krishtit, e harrohet se nuk u ndihmua nga Vatikani, se Raguza nuk la që në brigjet e saj të ankorohet një anije veç pse në të ishte ai, e se Venediku ia mbylli portat e Krujës së tij (dëshmi që gjenden te vepra e Oliver Schmittit). Apo se gjatë pushtimeve otomane plot shqiptarë shpërngulen vullnetarisht në tokat e pushtuara nga ta, për një jetë më të mirë (siç ka shkruar Noel Malcolm); apo se e ndërronin fenë për interesa e për pikë të qejfit (siç ka shkruar Edwin Jacques). Edhe sot shqiptarët shpërngulen; edhe sot ata po konvertohen. Athua pse?

Gjatë fitoreve si ushtar i Perandorisë Osmane, Skënderbeu ka shumë gjasa të ketë thënë edhe fjalën “Elhamdulilah”. Ndoshta edhe në Krujë, para fjalimit që ia atribuon Noli, “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush!”, mund ta ketë përmendur atë fjalë (gjasat për këtë janë më të mëdha sesa që krutanëve t’ju është drejtuar me shqipe të pastër)! Ai i luftoi jo vetëm osmanët, po edhe shqiptarët katolikë, ortodoksë e myslimanë që rrezikonin kauzën e tij. Por, mos të harrojmë se ai si mysliman (bektashinjtë thirren në Kur’an, ku në ajetin e suren e parë është fjala “Elhamdulilah”) e bën sakrificën e madhe: kthehet në tokën e babës, për të luftuar për liri, e për t’u shndërruar pastaj në Hero Kombëtar që bashkon të gjithë shqiptarët – të cilitdo besimi qofshin ata.

A ka qenë Heroi jonë Kombëtar, i keq si ortodoks (siç lindi) apo i keq si mysliman (i rendit bektashi, siç e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij)? Apo u bë i mirë kah fundi kur nisi të mbështetet më shumë tek kleri katolik? Sepse veç kështu po na do dhe po na pranon Perëndimi?

Nuk ka fare rëndësi përkatësia fetare e Skënderbeut, por ajo kombëtare, për çka popujt fqinj duan ta përvetësojnë. Nuk ka rëndësi as përkatësia fetare e Xherdan Shaqirit, por vlerat e tij si njeri, si shqiptar e si shtetas zviceran (perëndimor). Edhe si model i luftëtarit që nuk dorëzohet. Si Skënderbeu!

Ndaj, rrnoftë Shaqiri, rrnoftë Skënderbeu. Me Fat Bajrami. Dhe… Elhamdulilah!

“Futbolli është luftë”, e Serbia sërish e fitoi atë
Lexo po ashtu “Futbolli është luftë”, e Serbia sërish e fitoi atë

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori