LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët sqarojnë nëse PSP-ja është e njëanshme

Ekspertët sqarojnë nëse PSP-ja është e njëanshme

Pas caktimit të kabinetit qeveritar, me kërkesë të LSDM-së deri tek Prokuroria Speciale Publike (PSP) u kërkua që të vërtetohet pastërtia e kandidatëve që përbëjnë postet ministrore. PSP, në lidhje me kërkesën e LSDM-së nuk vonoi as edhe një ditë dhe njoftoi se asnjëri nga kandidatët nuk është në hetim, por ajo që nuk mund të zbulojë është se, a ka procedurë parahetimore, e cila sipas ligjit për qasje në informacion, nuk lejohet të bëhet publike.

Edhe pse PSP para dy jave, përmes një konference për shtyp njoftoi për procedurat parahetimore për rastet ‘Sopot’ dhe ‘Monstra’, mirëpo ajo u deklarua se për momentin nuk mund të ndërmerr asgjë në lidhje me këto raste. Raste të ndjeshme nuk janë vetëm këto të dyja, mirëpo si duket zvarriten në sirtare të pushtetit gjyqësor, e këndej as edhe PSP nuk mund t’i çbllokojë, edhe pse kjo e fundit ka kërkuar disa herë bashkëpunim me sistemin e drejtësisë. Ajo që ka hapur debatin në opinion është, nëse PSP është selektive në hetimet e saj, siç ishte me procedimin e shpejtë të kërkesës së LSDM-së apo ka obstruksione, ku secili rast ka fazën e vet të veçantë hetimore.


Politikologu Bashkim Bakiu për Telegrafi Maqedoni thotë se vendimi i PSP-së për të vërtetuar ‘pastërtinë’ e kabinetit qeveritar ishte i shpejtuar dhe se më mirë do të ishte që më shpejtë të reagojë për rastet e ndjeshme që janë të montuara politikisht.

”Është një vendim pak i shpejtuar i PSP-së, për disa arsye. Një, është i vetmi institucion ku qytetarët kishin më shumë besim, në veçanti shqiptarët. Kjo, për shkak të situatës dhe krizës politike që ka ndodhur gjatë periudhës së fundit, institucion i pavarur, ku realisht ka shpresë se qasja do të jetë profesionale. Deri tani e kanë dëshmuar në një llojë forme. Megjithatë, këtë vendim të fundit ku menjëherë në formë eksprese iu përgjigjen Zaevit lidhur me dëshmi ose vërtetim se personat të cilat janë ministra, janë të pastër. Kjo jep disa dilema, a thua ka përfunduar puna e PSP-së, pasi aty bëhet fjalë me mijëra përgjime. Dhënia e vërtetimit për ata ministra, jep atë se PSP i ka përgjuar të gjithë përgjimet dhe nuk ka për këto. Kjo e ulë shpresën tek shqiptarët dhe në këndvështrim tjetër, nuk mund të jepet rëndësia që të reagojë për ministrat, domëthënë apriori ministri të jëtë më i rëndësishëm sesa jeta e të burgosurve të pafajshëm. PSP-ja do të ishte më mirë të reagojë më shpejtë per rastin ‘Monstra’ dhe ‘Sopot’ apo rastin e Nikolla Mlladenovit”, vlerëson Bakiu.

Ekspertja juridike Besa Arifi mendon ndryshe nga Bakiu. Ajo për Telegrafi Maqedoni thotë se vërtetimi i kabinetit qeveritar nuk është i njëjtë me rastet tjera, siç është ‘Monstra’ dhe ‘Sopoti’ dhe se PSP-ja nuk është treguar selektive.

”Nuk mendoj se PSP-ja është selektive. Nuk mund të thuhet që PSP ka shpejtuar në lidhje me vërtetimin e pastërtisë së ministrave, sepse kërkesa ishte urgjente dhe kishte të bëjë me krijim e qeverisë. Duhet të dallohen fazat e procedurës penale. Në fazën e parë, Prokuroria nuk ka të drejtë që të tregojë se kush është në procedurë parahetimore edhe së është dikush apo jo, prandaj kjo nuk do të thotë se nuk ka procedurë parahetimore për personat që përflitet në kabinetin qeveritar, gjegjësisht ministrat. Për rastet çka i ka në kompetencë PSP-ja, vendosën ajo vetë. Nuk do të thotë se për cilin do ministër që mund të akuzohet për diçka, nuk ka parahetime. Edhe kur do të vazhdojë në fazat tjera, nëse ka sa duhet prova, asgjë nuk e pengon që PSP-ja të nisë hetime, edhe pse ata janë në qeveri, nuk është e pamundur. Edhe pse PSP ka vërtetuar pastërtinë e kabinetit qeveritar, mund pastaj të procedojë hetime, kjo do të ndodhë nëse do të ketë dëshmi”, thekson Arifi.

Vlerësoj se PSP-ja nuk ka ndonjë qasje selektive. Është diçka tjetër që ajo gjindet para pengesave shumë të mëdha që i bëhen nga pushteti gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve, Këshilli i Prokurorëve dhe nga Prokuroria shtetërore, kështu është përgjigjur Osman Kadriu, profesor universitar dhe opinionist për analiza të çështjeve juridike.

”Duke marrë parasysh këto pengesa që i bëhen PSP-së, natyrisht se edhe kjo nuk ka shumë rezultate në ndryshimin e këtyre rasteve, sidomos rastet eklatante që kanë atribute të proceseve të montuara politike-gjyqësore, siç është rasti ‘Monstra’, ‘Sopoti’, ‘Kumanovës’, domethënë kjo tregon se ky institucion nuk është i involvuar në procedurë dhe kjo jo me vullnetin e PSP-së. Kjo si shkak se organet tjera e pengojnë PSP-në. Deri tash, këto lëndë që janë formuar në një mënyrë, por akoma nuk ka filluar procesi gjyqësor, janë lëndë të cilët burojnë nga brendia e bombave politike dhe këto rastet tjera që tash janë në procedurë, mendoj se Prokuroria do t’i merr në shqyrtim, pasi PSP edhe ka të drejtë të ngren procedura penale”, deklarohet Kadriu për Telegrafi Maqedoni. /Telegrafi/