LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët, pro dhe kundër rikthimit të FMN-së

Ekspertët, pro dhe kundër rikthimit të FMN-së

Në prag të njëvjetorit të mbylljes së marrëveshjes me Fondin Ndërkombëtar Monetar (FMN), opinione të ndryshme ekspertësh po hedhin idenë e rikthimit si formë e duhur për të rritur kredibilitetin, por edhe të ndonjë mundësie për të marrë kredi me interesa të buta.

Por ka të tjerë që e gjykojnë rolin e FMN-së në Shqipëri si jo të justifikuar, nisur nga stabiliteti ekonomik që po kalon vendi. Për herë të parë, Shqipëria lidhi marrëveshje me FMN-në në vitin 1991, pas daljes nga situata e kaosit dhe rrëzimit të sistemit komunist. Nga kjo marrëveshje u përfituan jo vetëm përvoja, por edhe fonde me terma të butë. Në vitin 2004 u nënshkrua një tjetër marrëveshje, kësaj here për uljen e varfërisë dhe rritjen ekonomike. Të gjitha marrëveshjet kanë qenë trevjeçare dhe lidheshin pasi analizohej situata ekonomike dhe stadi ku ndodheshim. Në janar të 2009-s, qeveria shqiptare dhe FMN-ja ranë dakord të kalonin në një tjetër raport, atë të monitorimit dhe këshillimit, pa pasur të drejtë përfitimi kredie, për shkak se stadi ekonomik i vendit rezultoi më i rritur. Megjithatë pasojat e krizës ekonomike, thellimi i borxhit dhe luhatjet makroekonomike nxisin debatin, e bën rolin e FMN-së, jo thjesht si vëzhgues, por edhe si këshillues dhe mbështetës me kredi. Për ta kuptuar më qartë situatën ku ndodhet ekonomia dhe a nevojitet prezenca e FMN-së, gazeta “Shqip” sjell forumin mes ekspertëve më të njohur të fushës, të cilët kanë punuar me FMN-në, kanë asistuar në marrëveshjet e saj, si edhe kanë analizuar efektet që kanë sjellë në ekonomi.