LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive: Zbulohen pamjet e para të iPhone 6

Ekskluzive: Zbulohen pamjet e para të iPhone 6

Deri më sot janë parë shumë koncepte të ndryshme të iPhone 6, ndërsa tani në internet kanë rrjedhur pamjet e vërteta të modelit të ri të iPhone, përkatësisht modelit me madhësinë e ekranit prej 4.7 inç.

Geeky Gadgets, blogu që e ka pranuar fotografinë e iPhone 6 fillimisht mendoi se bëhet fjalë për ndonjë model të rrejshëm apo versionit të klonuar të iPhone, mirëpo pas krahasimit të fotografisë me klonet e iPhone dhe analizimit të pjesëve të telefonit, thuhet se është e sigurtë se bëhet fjalë për modelin e vërtetë të iPhone 6 me ekranin prej 4.7 inç.

Pamjet e iPhone 6 kanë rrjedhur nga një krijues i mbështjellësve për iPhone, i cili ka thënë se këtë fotografi e ka marrë nga burime të besueshme.

Apple është duke e bërë gati lansimin e dy versioneve të reja të iPhone (ose së paku njërin prej dy modeleve, tani për tani) duke e shtyrë performancën e saj të biznesit në vjeshtën e këtij viti, që është një lëvizje e pritur për kompaninë më të famshme amerikane.


Industria për një kohë të gjatë ka spekuluar se Apple synon të krijojë modelet e reja të iPhone me ekrane më të mëdha, për të rivalizuar ashpër me Samsung, telefonat e së cilës janë dëshmuar të suksesshëm në Azi dhe tregje tjera, pikërisht për këtë tipar që e ofrojnë për përdoruesit.

Pritjet janë që Apple ta lansojë gjeneratën e saj të re të procesorëve 64-bit në modelin e ri të iPhone, ndërsa iPhone 6 pritet të sjell më shumë RAM, ekran më cilësor, dhe kamerë më të mirë sesa versioni paraprak, iPhone 5s. /Telegrafi/