LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e paqëndrueshme

Ekonomia e paqëndrueshme

Institucionet e Kosovës janë kritikuar fort të premten për mungesën e një strategjie për zhvillimin ekonomik të vendit. Këto kritika i kanë bërë ekspertë dhe zyrtarë nga opozita në tryezën mbi politikat ekonomike me temë “Sfidat ekonomike 2011 plus”, ku është prezantuar edhe një buletin nga Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Riinvest.

Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, tha se ekonomia e vendit varet nga burime të paqëndrueshme, që në një kohë të afërt mund të ndërpriten. Sipas tij, ekonomia po varet kryesisht nga burime të paqëndrueshme zhvillimore, me shpenzime qeveritare, remitencat, asistenca financiare vazhdojnë të jenë shtytësit kryesor ekonomik.

Ai tha se niveli i madh i papunësisë dhe varfërisë në vend dhe parametrat e rënduar ekonomik inkurajojnë krimin dhe ekonominë në të zezë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka plan për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai tha se problemi themelor është që ne nuk kemi strategji të zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe çdo gjë që po bëjmë tani, duke filluar nga buxheti, nga privatizimi edhe i ndërmarrjeve shoqërore dhe kompanive publike po e bëjmë pa një strategji. “Kjo do të thotë se nuk e dimë se ku po çojmë vendin në pikëpamje edhe të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës tonë ekonomike dhe perspektivës për integrime evropiane”, theksoi Mustafa.


Ndërkaq, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se deri tash nuk ka pas koncept të zhvillimit ekonomik në Kosovë, të paraqitur nga Qeveria e Kosovës. Kjo sipas tij, është parë edhe me buxhetin që ka dëshmuar se kjo qeveri nuk ka prioritete.

Kurse nga buletini i prezantuar nga Friedrich-Eber-Stiftung dhe Instituti Riinvest, del se numri i tenderëve një burimor në vitin 2010 ka qenë 170 milionë euro. Pritjet për inflacionin për këtë vit parashihet të jenë 5.3 për qind ose më shumë.

Pavarësisht se në këtë prezantim kanë qenë të ftuar e dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës ata nuk kanë qenë të pranishëm. /Telegrafi/