LAJMI I FUNDIT:

Edhe shtrydhja e “limonit” duhet paguar…

Edhe shtrydhja e “limonit” duhet paguar…

Nga Gerton Bejo, Themelues dhe CEO i Vatra Agency Tiranë / Prishtinë / Shkup / Beograd

Idetë më të vogla dhe njerëzit që fshihen pas tyre mund të sjellin në jetë një kryevepër, nëse njihen dhe mbështeten në mënyrë të vazhdueshme. Në një botë globale, gjithmonë në lëvizje, kreativiteti është dozë e qenësishme. Për të menduar përtej tradicionales, si dhe për t’i parë gjërat në një tjetër dritë dhe kënd. Te shumë të rinj kjo dozë nuk mungon, përkundrazi, rezulton e lartë dhe e pangjarë me kreativitetin e personave më në moshë. Këta të fundit, zhvillojnë zakone të të menduarit, që duket se i ndihmojnë në shtigje enigmatike dhe shpesh herë sfiduese. Megjithatë, nuk po flas për një formulë standarde, apo ekuacion të shkallës së parë.

Gjatë dy dekadave të fundit, është vërejtur se industria kreative është shndërruar në forcë shtytëse për ekonominë e vendeve europiane si Britani, Francë, Itali dhe Spanjë. Në Britani – në tokën e legjendave dhe mistereve – nuk është aspak legjendë dhe mister se vetëm nga industria kreative, të ardhurat totale vjetore për 2022-shin rezultojnë të jenë £3.6 bilionë. Ekzaltuese, apo jo? Një tablo e ngjashme mund të ishte shpalosur edhe për rajonin, por vetëm nëse faktorë përkatës do të ndërmerrnin politika të shëndetshme për industritë e tyre kreative.

Përse nuk ka ndodhur ende diçka e tillë? Fillimisht duhet ndryshuar mënyra e të parit të gjërave.

Kapitali njerëzor (përfshirë krijimtarinë, diturinë, aftësitë dhe shkathtësinë e tyre) është një nga komponentët më të vlefshëm në industrinë kreative e jo vetëm, dhe kjo është arsyeja pse investimi në burimet njerëzore bëhet një hap i domosdoshëm. Këtij fakti i shtohet edhe panoramika e një tregu dinamik që ndryshon shpejt; kompanitë e ndjejnë të nevojshme të investojnë energjinë dhe financat e tyre në burime njerëzore të qendrueshme, sepse vetëm kështu mund të jenë të suksesshme dhe jetëgjata. Por nevoja dhe mundësitë, nuk përshkojnë të njëjtën trajektore. Tentativat janë megjithatë të vazhdueshme në të gjithë spektrin e krijimit, menaxhimit dhe kultivimit të marrëdhënieve solide punëdhënës-punonjës. Një prej tyre është ngritja dhe zhvillimi i politikave për mundësi internship-i. Në të vërtetë, është mjaft e vështirë për kompanitë kreative që të ofrojnë praktika profesionale për të rinj të motivuar, sepse gjithçka përkthehet në kosto. Dhe tani, ndërsa ju po lexoni këtë artikull, disa sektorë po përballen me një tjetër krizë, atë të reçesioni të mundshëm global – me rritjen e normave të interesit, inflacionit e çmimeve të mallrave.

Në këtë pikë nevojitet ndërhyrja e aktorëve politikë dhe grupeve të interesit, për t’u bërë nismëtarë dhe partnerë të zhvillimit të industrisë kreative. Kjo është një “betejë” e përbashkët, për një të ardhme premtuese, pavarësisht kohërave të turbullta. Ajo çfarë mund të bëjë konkretisht forca qeverisëse rajonale, është të krijojë një mjedis të favorshëm për kreativitetin dhe sipërmarrjen, pikërisht duke ofruar internship-e për studentët dhe të sapodiplomuarit. Në një treg me nivel mesatar konkurrence, ofrimi i praktikës mund t’u ofrojë të rinjve mundësinë e të zotëruarit aftësi dhe përvojë, më tej pozicionim më të mirë brenda industrisë kreative. Kështu, rajoni mund të shndërrohet në një hub location për burime njerëzore, nga ku vetëm do të drejtohen sy.

Për t’iu rikthyer pyetjes së mësipërme, se përse ende nuk ka ndodhur që industria kreative në rajon të jetë motorr i fuqishëm ekonomik: Një pjesë e mirë nuk e konsideron medoemos të konsoliduar marrëdhënien midis krijimtarisë dhe komercialitetit. Mirëpo, kjo marrëdhënie gëzon plotësisht natyrë simbiotike. Në zemër të krijimtarisë pikaset aftësia për të parashikuar dhe prodhuar diçka nga asgjëja, që jo në pak raste rezulton si koncept i mirëfilltë biznesi. Për më tepër, procesi i këtij koncepti shpesh karakterizohet edhe si i vështirë për t’u matur dhe menaxhuar nga agjencitë. Çka mund t’u vinte në ndihmë agjencive krijuese për ta kapërcyer “matshmërinë” si problem dhe jo si krizë: një mendësi ndryshe, larg zhvlerësimit, për mënyrën se si e vlerësojnë ata vetë shërbimin e tyre. Agjencitë duhet të jenë objektive deri në fund dhe të kërkojnë paturpësisht atë që u takon, jo të jetojnë vetëm në të tashmen, në mëditje.

Ato duhet të punojnë për një emër pas çdo logoje, marke, apo strategjie, sikurse për të ardhura të merituara dhe rrjedhimisht për themele që i rezistojnë paparashikueshmërisë së të ardhmes. Për asnjë çast nuk duhet harruar vlera e vërtetë që ka një produkt autentik, origjinal dhe kreativ. Në ka diçka që e nëpërkëmb forcën krijuese, është mungesa e motivimit. Është ironike kur sheh se si kjo gjë i ndodh agjencive, atyre që s’ofrojnë veçse energji dhe motiv të vazhdueshëm te bizneset, për të ecur përpara.

Agjencitë, vetëm pasi të pësojnë këtë katarsis, mund të bëhen bashkë dhe të lobojnë për një mjedis të fortë kulturor, që inkurajon dhe e shpërblen kreativitetin. Interesi i të paturit një industri determinuese në ekonominë e vendit, duhet artikuluar dhe përcjellë me argumente dhe punë faktike.

Sigurisht, e ardhmja do t’u takojë atyre agjencive që i kushtojnë rëndësinë e duhur “trurit” të tyre. Inteligjenca Artificiale – me pikëpyetjet e shumta që tërheq pas vetes – është një instrument i fuqishëm, që mund t’i vijë në ndihmë agjencive për të minimizuar paaftësinë e tyre për negociim financiar, për shërbimin që ata ofrojnë.

AI nuk është një riprodhim i trurit të njeriut dhe këtë dua ta nënvizoj; është i frymëzuar prej tij, por nuk hedh aspak poshtë trashëgiminë tonë evolucionare. AI mund të arsyetojë, planifikojë ose ndërveprojë me botën, kjo është e vërtetë, me aftësinë për të kuptuar dhe përdorur gjuhën, për të bërë plane dhe marrë vendime të shpejta në kohë, sikurse për të zgjidhur probleme po sërish në kohë. Por, truri i njeriut karakterizohet edhe nga përvojat subjektive – emocionet, ndjesitë, perceptimet shqisore… Çka na çon në pyetjen ndoshta më thelbësore që shoqëron nga pas Inteligjencën Artificiale. Nëse AI, një ditë, do të mund të jetë jo vetëm inteligjente, por edhe e ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm. Për sa kohë që realiteti do të jetë i tillë, pa një përgjigje për pyetjen e bërë më sipër, inteligjenca njerëzore do ta ushqejë gjithmonë inteligjencën artificiale. Për këtë proces, “limoni” ( ps: truri i njeriut) nuk i shpëton dot shtrydhjes.

Epo, agjencitë janë përballë kërkesës që duhet të sigurojnë gjithmonë “lëng” krijues dhe jo “limonin” ne vetvete, apo jo? Pra, është shumë thjesht e identifikuar shtrydhja e “limonit” si proçes është ajo që duhet vlerësuar dhe paguar me vlerën që meriton…për çdo pikë të përftuar.

P.S. Vatra është një agjenci lider rajonale në dizajn, brand dhe komunikimin dixhital, e cila lidh me pasion Markat me 55 milionë konsumatorë në Ballkan, për më shumë se 20 vite.

Artikull i sponzorizuar