LAJMI I FUNDIT:

Edhe një tender për rrethrrotullimin torturues

Edhe një tender për rrethrrotullimin torturues

Punët në ndërtimin e rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës do të zvarriten edhe më tej, pasi që Ministria e Infrastrukturës ka shpallur edhe një tender për përfundimin e punimeve të këtij projekti.

Zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës thotë se në tenderin e dytë, i cili është shpallur më 21 prill parashihet drenazhimi i mbistrukurës se urës dhe rrugës M9, drenazhimi i trupit të rrugës M9, rehabilitimi i rrugës M9, punët e ndriçimit të rrethrrotullimit, sinjalizimi horizontal dhe vertikal i rrethrrotullimit M9&M2, dislokimi i gypit te ujësjellësit, dislokimi i kabllove te rrjetit elektrik, zgjerimi i rrugëve anësore, Sanimi dhe zgjerimi i urës në drejtim te Shkupit (te stacioni i autobusëve, pastrimi i terrenit.

Por, shpallja e tenderit të dytë në masë të madhe do ta rrit koston e projekti, shkruan Zëri.

Saranda Jusufi, nga zyra për media e Ministrisë së Infrastrukturës thotë se deri tash nuk e dinë se sa do të jetë vlera e tenderit të dytë. “Meqenëse tenderi i fazës së dytë është në proces ende nuk mund të kalkulohet saktësisht vlera e mjeteve për këtë fazë”, tha ajo.


Jusufi tha se tenderin e parë për ndërtimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin e rrugëve magjistrale M&M2 në Prishtinë e ka fituar kompania “Arda Rei”, ku vlera e kontratës ka qenë 12 milionë e 768 mijë e 028 euro. Ajo theksoi se deri më tash për punimet e realizuara janë paguar 10 milionë e 340 mijë e 016 euro.

“Kontrata është lidhur në tetor të vitit 2008. Sipas kontratës afati për ndërtimin e rreth-rrotullimit është 18muaj , llogaritur vetëm ditët e punës. Aneks kontrata është lidhë me 25.08.2010, afati është 30 ditë pune. Afati për kryerjen e punimeve të parapara me kontratë dhe aneks është 19 muaj (ditë pune)”, tha Jusufi.

Por, në anën tjetër, përfaqësues të organizatave jo qeveritare dhe partive opozitare në Kuvendin e Kosovës thonë se ndërtimi i rrethrrotullimi ka tejkaluar çdo afat kohor.

Sipas tyre, nga ky projekt dhe projekte të tjera të infrastrukturës rrugore kanë përfituar materialisht një grup iu caktuar njerëzish në institucione të vendit. /Telegrafi/