LAJMI I FUNDIT:

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Nga: Auron Tare

Për vite me radhë, në arkivën time personale mbaj një dokument shumë interesant, të botuar për herë të parë në prill të vitit 1820 në një revistë në New England (Anglisë së Re), “The North-American Review and Miscellaneous Journal”. Revista në fjalë, e para revistë letrare e botuar në Amerikë që më 1815, me një tirazh prej 3000 kopjesh, por me një famë shumë të madhe për kohën, e ka botuar këtë dokument pa autor.

Arsyet e botimit anonim nuk janë shumë të qarta, por dokumenti është një përshkrim i mrekullueshëm i udhëtimit të një grupi të vogël udhëtarësh amerikanë në viset shqiptare, në prillin e 1818-ës. Për vite rresht, ky dokument më ka nxitur shpesh që ta botoj, edhe pse pa autor, pasi përshkrimet dhe detajet që ndodhen në të janë shumë interesante për të ndriçuar edhe një herë një figurë kaq madhore si Ali Pasha Tepelena.


Dokumentin e gjeta papritmas në Universitetin e Harvardit, kur kërkoja materiale për të ndihmuar novelisten amerikane Katherine Nevile për librin e saj “The Fire”, libër ky i botuar tashmë edhe në shqip, me titullin “Zjarri”.

Dokumentet interesante që gjeta në Harvard në atë kohë, dhe që i botova për herë të parë, sillnin informacione mbi dy personalitete të rëndësishme të jetës letrare dhe politike të Amerikës së asaj kohe, Prof. George Ticknor dhe një pjesëtar i familjes së famshme të New England, Coolidge, të cilët kishin kërkuar ndërhyrjen e poetit të njohur tashmë në Evropë, Lord Byron, për një letër ndërmjetësimi për të takuar Ali Pashë Tepelenën në Janinë.

Letrat e George Ticknor, të cilat i botova nën titullin “Një Amerikan në Oborrin e Ali Pasha Tepelenës”, sillnin për herë të parë një tablo interesante mbi marrëdhëniet e Ali Pashës me poetin e ri britanik, edhe pas vizitës së këtij të fundit në Shqipëri, duke provuar se, edhe vite më vonë, të dy këta personalitete evropiane kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Po kështu, një detaj shumë interesant, i dalë nga këto letra të botuara, ishte fakti i panjohur më parë se, fama e Ali Pasha Tepelenës ishte përhapur tashmë edhe në sallonet letrare të Amerikës së largët.

Pas botimit të “Child Harold”-it edhe në Amerikë, dukej se kishte edhe personalitete ekscentrike amerikane, të cilët kërkonin të njihnin Ali Pashë Tepelenën dhe shqiptarët e tij.

Nga dokumentet e përshkruara nga George Ticknor, po kështu, mësonim se Lord Byron kishte porositur një armë të posaçme në Amerikë për Ali Pasha Tepelenën dhe që dëshironte t’ia dërgonte mikut të tij shqiptar, duke ditur pasionin e madh që Aliu kishte për armët. Së bashku me novelisten Nevil, kërkuam gjatë nëpër arkivat e Kongresit Amerikan, për të zbuluar gjurmë të armës amerikane për Ali Pashën.

Me ndihmën e shoqatës së famshme amerikane të pushkatarëve, NRA, arritëm të saktësonim se mundësia më e madhe që Lord Byron kishte për të porositur një armë speciale për atë kohë ishte një pushkë Kentaki, e prodhuar nga emigrantët gjermanë të vendosur në Pensilvani. Kjo pushkë, mjaft moderne për kohën, akoma nuk kishte mbërritur në Evropë dhe, me sa dukej, do të ishte një dhuratë shumë e çmuar për një person si Ali Pasha Tepelena.

Të gjitha këto detaje mbi marrëdhëniet e Ali Pashës dhe Byronit ishin mjaft intriguese për këdo që ka interes mbi ato kohë. Fatkeqësisht, George Ticknor, edhe pse i pajisur me letrat rekomande nga Lord Byron, nuk mundi të arrinte asnjëherë në Janinë për të takuar Pashain Plak, pasi angazhimet e tij politike e mbajtën për një kohë të gjatë në Francë dhe Portugali.

egjithë dëshirën e madhe për të pasur një dëshmi të kontakteve të Ali Pashës me kontinentin e ri, fakti që George Ticknor, i pari amerikan që kishte shprehur dëshirën për të ardhur në Janinë, nuk e bëri dot realitet dëshirën e tij, i hidhte poshtë hipotezat se Ali Pasha ka pasur kontakte të tilla.

Por, zbulimi i dokumentit pa autor, i botuar në Revistën Letrare dhe që gjendet në arkivën e Universitetit të Harvardit, më ka intriguar gjatë gjithë kësaj kohe për ta botuar, edhe ashtu, pa emër, pasi gjithsesi ishte një dëshmi mjaft me vlerë dhe vërteton përfundimisht kontaktet e Pashait Plak me Amerikën. Nga hulumtimet e deritanishme nuk më rezulton se ky dokument është botuar apo cituar në ndonjë prej studimeve apo shkrimeve të studiuesve të kësaj periudhe.

Ditët e fundit, teksa lexoja një numër kopjesh të dokumenteve nga arkiva e botuesit të Lord Byronit, John Murray, po shikoja me kujdes dëshmitë e lëna nga George Ticknor mbi takimet e tij me poetin anglez. Janë një numër takimesh dhe, përshtypjet me poetin e famshëm dhe George Ticknor, themeluesi i bibliotekës së famshme të Bostonit, dhe më vonë Profesor në Harvard, i ka shkruar këto shënime vite më vonë pas vdekjes së Byronit.

Ticknor vërteton edhe njëherë se botuesi i Byronit, John Murray, e dogji dorëshkrimin e autobiografisë së poetit, të lënë për botim nga ai vetë, duke humbur përgjithmonë mundësinë e botimit të tij. Po kështu, Ticknor shkruan se Byroni i kishte folur shpesh për kujtimet e udhëtimeve të tij shqiptare, duke diskutuar me të për orë të tëra impresionet e natyrës shqiptare dhe frymëzimin e tij nga personazhet dhe malet e egra shqiptare.

Letrat që Byroni shkroi për miqtë e tij shqiptarë, Ticknor pohon se i ka në arkivën e tij personale, edhe pse poeti ka vite që ka vdekur. Megjithatë, midis këtyre dokumenteve, një dëshmi e shkurtër, e shkruar në 3 gusht të vitit 1859, më tërhoqi më shumë vëmendjen. Kjo dëshmi, e shkruar nga Ministri Amerikan në Oborrin e Saint James në Londër, Shkëlqesia e Tij Eduard Everett, është shumë interesante, dhe mendoj se hedh dritë mbi autorin e vërtetë të dorëshkrimit mbi vizitën në Janinë në Prill të 1818-ës të disa udhëtarëve amerikanë, me qëllim takimin me Pashain e famshëm të Tepelenës. Dokument ky, i botuar në Prill të 1820-ës në Revistën e famshme të New England.

***

Shkëlqesia e Tij

Ministri Fuqiplotë në Oborrin e Saint James, Eduard Everet

 Gusht 1859

Në një moshë mjaft të re kisha një interesim shumë të madh për Greqinë moderne. Ky interesim mu rrit më shumë pasi lexova kantot e para të Child Harold-it, të cilat ishin botuar pasi kisha mbaruar Kolegjin. I vendosur për të shkuar në Greqi vetë, kjo dëshirë m’u bë edhe më e fortë pasi arrita në Londër, në pranverën e 1816-ës, ku edhe njoha Lordin Byron.

Prezantimi me të m’u ofrua nga disa miq, por në veçanti nga Robert Sharpe Esq, i njohur në Shoqërinë Angleze si “Biseduesi i mprehtë”. Për arsye të ndryshme ky takim u vonua, dhe entuziazmi im rinor më bëri që t’i dërgoj një letër, si dhe disa poezi të shtypura privatisht nga unë, ku ai përmendej si burimi im i frymëzimit. Në këtë mënyrë, i kërkoja të më jepte mundësinë dhe të më nderonte që ta takoja.

Unë mora një përgjigje shumë obliguese ditën tjetër, të shoqëruar edhe me një libër të poezive të tij, që ishte shumë i vlefshëm, pasi kishte një seri korrigjimesh me shkrimin e tij, ku ai më caktonte edhe orën e takimit. Biseda ishte shumë miqësore.

Marrëdhëniet miqësore midis Britanisë dhe Amerikës sapo ishin vendosur pas Luftës së 1812-1814-s dhe, me sa dukej, unë isha amerikani i parë që Lordi Byron kishte pasur mundësinë të takonte. Ai shprehu kënaqësinë e tij mbi dëshmitë e mia të famës së tij, që kishte arritur tashmë përtej Atlantikut. Biseda jonë u përqendrua kryesisht tek edukimi dhe letërsia e zhvilluar në këtë vend (Amerika – v. j.), si dhe mbi Greqinë, për të cilën ai më tha se ishte shumë i lidhur dhe se arsye familjare e pengojnë që të mos ketë mundësi të jetojë atje përgjithmonë.

Pa i kërkuar, ai më dha një sërë letrash për miqtë e tij atje dhe kryesisht për Ali Pashanë e Shqipërisë.

Lordi Byron, tashmë me kënaqësinë e të kuptuarit se ishte në majat e Parnasit të literaturës britanike, e kishte lënë mënjanë tonin misantropik dhe manierat e tij eksentrike që i kishte sjellë me vete nga Lindja. Ai tashmë ishte një personazh shumë i preferuar i shoqërisë së lartë dhe mjaft i kërkuar nga miqtë e tij. Po kështu, dukej se ai kishte arritur që t’i sheshonte grindjet që kishte pasur dikur me ata që i kishte sulmuar në poezinë e tij “English Bards and Scotish Reviewers”.

Do të doja të theksoja këtu se letrat e rekomandimit që Lordi Byron më dha për miqtë e tij në Korfuz, Shqipëri dhe në Greqinë kontinentale, ishin shumë të vlefshme për mua dhe veçanërisht në Oborrin e Ali Pashës. “Myftari i Zi”, i biri i tij, aq shumë i njohur për lexuesit e Child Haroldit, ishte personi i parë i shquar që unë takova në Janinë, ku ai ishte Guvernator”.

***

Letra e gjatë e Ambasadorit amerikan në Londër, mbi përshtypjet e tij mbi Lordin Byronin, është konfirmimi më i saktë që kemi mbi autorësinë e dokumentit në fjalë. Nga pasazhi i sjellë këtu për lexuesit, duket qartë se Everetti i ri, së bashku me miqtë e tij amerikanë, të cilët deri më tani janë të panjohur, është autori i përshkrimit të gjatë nga Oborri i Ali Pashës në Janinë. Ai në këtë letër konfirmon se ka qenë Eduart Everett personi që ka vizituar Janinën dhe ka takuar, jo vetëm Pashain Plak, por edhe djalin e tij “Myftarin e Zi”, siç e quan ai në këtë letër.

Megjithatë, detajet më interesante që kemi nga ky dokument janë fakti që Ali Pasha Tepelena iu ka kërkuar udhëtarëve amerikanë ndihmë për të vendosur marrëdhënie tregtare me kontinentin e largët, si dhe mundësinë e vendosjeve diplomatike, duke kërkuar një Konsull amerikan në Janinë. Kjo dëshmi, e ardhur nga Eduart Everett, sjell një këndvështrim shumë interesant mbi politikën e jashtme të Pashait Tepelenas, duke na befasuar gjithmonë me largpamësinë e tij origjinale.