LAJMI I FUNDIT:

Çfarë është njeriu dhe pse ai nuk është kafshë?

Çfarë është njeriu dhe pse ai nuk është kafshë?
Roger Scruton, Wiltshire, England, November 2011

Roger Scruton

Filozofët dhe teologët në traditën e krishterë i kanë parë qeniet njerëzore si të ndryshme nga kafshët e tjera, nga prania brenda tyre të një xixëllimi hyjnor. Ky burim i brendshëm ndriçimi, shpirti, nuk mund të rroket kurrë nga jashtë dhe është në njëfarë mënyre i shkëputur nga rendi natyror, ndoshta duke marrë rrugën për në një vend mbinatyror kur trupi vdes.


Arritjet e fundit në gjenetikë, neuroshkencë dhe psikologjinë evolucionare e kanë vrarë këtë ide. Por, ato kanë ngritur pyetjen se çfarë duhet vënë në vend të saj. Sepse dukshëm, ndonëse ne jemi kafshë, të kufizuar brenda një rrjeti shkakësish që na bashkon në zoosferë, ne nuk jemi tamam kafshë. Ka diçka te gjendja njerëzore që flet për një nevojë për trajtim të veçantë.

Pothuajse të gjithë njerëzit besojnë se është krim të vrasësh dhe një qenie të pafajshme njerëzore, por jo të vrasësh një krimb toke të pafajshëm. Dhe, thuajse të gjithë njerëzit i shohin krimbat si të paaftë për pafajësi në çdo rast – jo sepse ata janë gjithnjë fajtorë, por për shkak se dallimi i fajshëm/i pafajshëm nuk zbatohet për ta. Ata janë lloji i gabuar e gjësë.

Ne megjithatë jemi lloji i drejtë i gjësë. Pra, çfarë lloji është ky? A i përket këtij lloji ndonjë qenie tjetër qoftë dhe çfarëdo? Dhe, çfarë vjen më pas?

Këto pyetje qëndrojnë në zemër të kërkimit filozofik sot, siç kanë qëndruar që prej Greqisë së vjetër. Në njëmijë mënyra ne dallojmë njerëzit nga pjesa tjetër e natyrës dhe ndërtojmë jetën në përputhje me këtë. Ne besojmë se njerëzit kanë të drejta, se ata janë sovranë mbi jetët e tyre dhe se ata që jetojnë duke skllavëruar të tjerët apo duke abuzuar me të drejtat e të tjerëve janë duke mohuar humanitetin e tyre.

Sigurisht që ka një themel për këto për këtë besim bash siç ka një themel për të gjithë traditën morale, legale, artistike dhe spirituale që e merr dallueshmërinë e jetës njerëzore si pikën nisëse të tyre. Në qoftë se, siç shumë njerëz besojnë, ka një Zot, dhe se Zoti na bëri ne sipas imazhit të Tij, ne sigurisht që jemi ndryshëm nga natyra, bash siç është Ai. Por, e folura për imazhin e Zotit është një metaforë për faktin se ne kemi nevojë të shpjegojmë, emnisht se ne i trajtojmë qeniet njerëzore si një gjë më vete, një gjë e mbrojtur nga një aurë e shenjtë; shkurt, aspak si një gjë, por si person.

Filozofisë së shekullit të XX-të i është drejtuar pyetja se si ta përkufizojmë këtë fakt në terma shekullarë, pa u futur në idetë fetare. Kur Jean Paul Sartre dhe Merleau Ponty shkruajnë për “Le regard” – dukjen – dhe Emanuel Levinas për fytyrën, ata janë duke përshkruar mënyrën në të cilën qeniet njerëzore rrinë jashtë atyre që i rrethojnë dhe i drejtohen njëra-tjetrës me kërkesa absolute për të cilat asnjë gjë nuk mund të jetë një objekt. Ludwig Wittgenstein bën një gjë të ngjashme duke përshkruar fytyrën si shpirti i trupit, siç bën Elizabeth Anscombe, duke përshkruar shenjën e veprimit të qëllimshëm si zbatueshmëri e një lloj sensi të pyetjes “pse?”. Qeniet njerëzore jetojnë në llogaridhënie të ndërsjellë; secila jep llogari ndaj tjetrës dhe secila është objekt gjykimi. Sytë e të tjerëve na drejtohen ne me një pyetje të pashmangshme, me pyetjen “pse?” Mbi këtë fakt është ndërtuar ngrehina e të drejtave dhe detyrave. Dhe ky, në fund, është ai në të cilin konsiston liria – përgjegjësia për të dhënë llogari për atë që bëjmë.

Psikologjistët evolucionarë tregojnë një histori tjetër. Moraliteti, argumentojnë ata, është përshtatje. Në qoftë se organizmat konkurrojnë për burime, atëherë një strategji bashkëpunimi do të jetë më e suksesshme në afat të gjatë se sa një strategji pastërtisht egoiste. Kësisoj, tiparet bashkëpunuese të një organizmi do të përzgjidhen me kalimin e kohës. Dhe, gjithçka që është e veçantë në gjendjen njerëzore mund të kuptohet në këtë mënyrë si një proces i gjatë përshtatjeje që ka sjellë mbi ne avantazhin e paprekshëm të moralitetit, me anë të të cilit ne mund të zgjidhim konfliktet tona pa luftë dhe t’iu përgjigjemi kërkesave që mbërrijnë sulmueshëm nga çdo anë.

Pajisja e habitshme morale e qenieve njerëzore – përfshirë të drejtat dhe detyrat, detyrimet personale, drejtësinë, gjykimin, faljen, pendimin – është depozita e mbetur nga mijëra vite konflikt. Moraliteti është si një fushë lulesh pranë të cilës trupat janë bërë turrë nga mijëra shtresa. Ai është një mekanizëm i evoluar, me anë të të cilit organizmi njerëzor procedon përmes jetës të mbështetur në çdo anë nga lidhje të interesit të ndërsjellë.

Kam besim se piktura e bërë nga psikologët evolucionarë është e vërtetë. Por, kam besim gjithashtu se kjo nuk është e vërteta e plotë dhe se ajo lë jashtë saktësisht gjënë më të rëndësishme, që është subjekti njerëzor. Ne qeniet njerëzore nuk e shohim njëri-tjetrin ashtu siç si kafshët shohin njëra-tjetrën, si anëtarë të një specieje. Ne hyjmë në marrëdhënie me njëri-tjetrin jo si objekte, por si subjekte, si krijesa që i drejtohen njëra-tjetrës “unë” ndaj “ti”- një pikë e parë si qendrore për gjendjen njerëzore nga Martin Buber, në meditimin e tij të famshëm mistik “unë dhe Ju”. Ne i kuptojmë vetet tona në vetë të parë dhe për shkak të kësaj ne iu drejtohemi shenjave, veprimeve, emocioneve dhe jo trupave të njerëzve të tjerë, por fjalëve dhe pamjes që e kanë origjinën në horizontin subjektiv ku ata mund të qëndrojnë. Ky fakt misterioz pasqyrohet në çdo nivel në gjuhën tonë dhe është në rrënjë të shumë paradokseve.

Kur unë flas për veten time në vetë të parë, unë prodhoj propozime që i pohoj jo mbi ndonjë bazë mbi të cilën mund të jem gabim. Por, unë mund të jem krejtësisht gabim mbi këtë qenie njerëzore që po thotë këtë gjë. Kështu si mund të jem unë i sigurt që jam duke folur për këtë qenie njerëzore? Si e di unë për shembull që unë jam Roger Scruton dhe jo David Cameron që vuan nga dëliri i madhështisë? Për ta thënë shkurt: duke folur në vetë të parë ne mund të bëjmë deklarata mbi veten, të japim përgjigje, dhe të angazhohemi në arsyetime dhe këshilla në mënyra që tejkalojnë të gjitha metodat normale të zbulimit. Si rezultat, ne mund të marrim pjesë në dialogë të ngritur mbi sigurinë se, kur unë dhe ti flasim sinqerisht, se ajo që themi është e vërtetë: ne po flasim “sipas mendjes sonë”. Kjo është zemra e kontaktit Unë-Ti.

Kësisoj si persona ne banojmë në një botë që nuk është e reduktueshme në botën e natyrës, më shumë se sa jeta në një pikturë mund të reduktohet në vijat dhe pigmentet nga e cila përbëhet. Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë ka mbetur diçka që ta bëjë filozofia në mënyrë që t’i japë sens gjendjes njerëzore. Filozofia ka detyrën të përshkruajë botën në të cilën jetojmë- jo botën siç e përshkruan shkenca, por botën siç ajo përfaqësohet në marrëveshjet tona të ndërsjella, një botë e organizuar nga gjuha, në të cilën ne takojmë njëri-tjetrin. /mapo/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e fisit Shala

Historia e fisit Shala

Kulture
TI

TI

Poezi
Kur shqipja në përkthim çalon

Kur shqipja në përkthim çalon

Analiza
Shkolla e parë shqipe e Gjakovës

Shkolla e parë shqipe e Gjakovës

Kulture
FËMIJA

FËMIJA

Poezi
Fan Noli i panjohur

Fan Noli i panjohur

Kulture
Kalo në kategori