LAJMI I FUNDIT:

TI

TI

Poezi nga: Erich Fried
Përktheu: Faslli Haliti

Aty ku s’ka liri
ti je liria
ku s’ka dinjitet
ti je dinjiteti
ku s’ka ngrohtësi
dhe afërsi midis qenieve njerëzore
ti je afërsia dhe ngrohtësia
zemra e botës së pandjeshme


Buzët dhe gjuha jote
janë pyetje dhe përgjigje
midis krahëve dhe në prehrin tënd
ka diçka që i ngjan paqes
çdo nisje jote e detyruar
dëshiron shumë të kthehet
ti je fillimi i së ardhmes
zemra e një bote të pandjeshme.

Ti s’je koncept feje
e asnjë filozofie
i asnjë rregulli apo pronësie
pas së cilës të kapesh
dhe mund të gabosh dhe të dyshosh
dhe ta lësh atë të shkojë
zemrën e botës së pandjeshme.

Kush ka nostalgji për ty
sa kam unë?

Kush të përkëdhel
kur dora ime të kërkon?

Jam unë apo janë
eshtrat e rinisë time?

Jam unë apo janë fillimet
e pleqërisë sime?

Është guximi im për të jetuar
apo frika ime nga vdekja?

Po pse nostalgjia ime
duhet të të tregojë diçka

E çfarë të jep ty përvoja ime
që më ka bërë vetëm të trishtuar?

Dhe çfarë të japin poezitë e mia
në të cilat unë them vetëm
sa e vështirë është bërë
të jesh ose të japësh?

Megjithatë shkëlqen në kopsht
dielli në erë para shiut
dhe ermon bari që vdes
dhe ligustra
dhe unë të shikoj
dhe dora ime duke hetuar të kërkon ty.