Fan Noli është shprehur hapur kundër bashkimit kombëtar të territoreve dhe pjesëve të kombit që mbetën jashtë kufijve të shtetit, duke e quajtur atë si luks për shqiptarët. Në periudhën e qeverisjes së Nolit dhe nolistëve, pjesët e kombit që mbetën jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, u trajtuan vetëm si minoritete dhe probleme të brendshme të Greqisë dhe Serbisë

Nga: Gani Perolli     

Meritat për fushën e letërsisë së Fan Nolit dhe ato të themelimit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, janë mjaft të njohura në botën shqiptare dhe konsideroj se nuk është nevoja të shkruaj për to. Sa i përket biografisë së tij në aktivitete tjera, siç janë ato politike, është mbajtur e fshehur dhe e panjohur me qëllime të caktuara.

Reklama
Reklama

Fan Noli u lind në Ibriktepe në Turqi, në një lagje me një komunitet ortodoks shqiptar me origjinë nga Korça me emrin Theofanis Stylianos Mavromatis, më 6 janar të vitit 1882. Një kohë ka punuar mësues në Athinë, pastaj në Aleksandri. Më vonë ka shkuar në Rusi, më saktë në Odesa, ku ka punuar si aktor dhe përkthyes. Fan Noli erdhi në Amerikë në vitin 1906 dhe punoi në një fabrikë druri në Qytetin Buffalo të Nju-Jorkut. Në këtë fabrikë ngjiteshin etiketa në gota ushqimi në qytetin Boston të Masaçusetsit. Arritjet e Fan Nolit në aspektin personal janë të mëdha; shkrimtar, poet, përkthyes, diplomat, fetar, politikan, dijetar etj, derisa në aspektin politik, Noli ishte antikombëtar.

Reklama

Noli “demokrat”

Është folur dhe është shkruar shumë për demokracinë e Fan Nolit, e cila në fakt nuk ka ekzistuar kurrë. Fan Noli e mori pushtetin në qershor të vitit 1924, përmes një puçi ushtarak i organizuar dhe i financuar nga bolshevikët rus për të pushtuar Shqipërinë dhe për ta shndërruar atë në një federatë sllavo-komuniste në Ballkan. Ai rrëzoi Qeverinë legjitime të asaj kohe të zgjedhur nga Parlamenti shqiptar, e cila kryesohej nga Ahmet Zogu. Nuk janë bërë votime fare në atë kohë, kështu që as lëvizja e tyre, as Qeveria që u formua, nuk mund të quhet demokratike. Përmbysja e Qeverisë u drejtua nga kolonel Kasem Qafëzezi nga Regjimenti i Gjirokastrës dhe kolonel Rexhep Shalanga nga Regjimenti i Shkodrës. Libri i Arben Putos me titull “Demokracia e rrethuar”, duhet të ishte quajtur “Demokracia e paekzistuar”. Lëvizja noliste nuk ka qenë as kombëtare, as demokratike, as përparimtare. Ajo ishte në kundërshtim të plotë me idetë e nacionalizmit dhe rilindasve shqiptarë. Qëllimi rus në formimin e federatës sllavo-komuniste në Ballkan, kishte për qëllim eliminimin e plotë të kombit shqiptar dhe shkrirja e tij në sllavizëm. Këtë rrugë e zbatoi më vonë edhe Enver Hoxha. Kështu, ai në vitin 1946, sugjeroi që Kosova të mbetej nën Jugosllavi dhe shqiptarët e Kosovës të vëllazëroheshin me popujt sllavë, sepse qëllimi ishte që të gjithë shqiptarët të sllavizohen.

Reklama
Reklama

Revolucioni i Qershorit i vitit 1924, qe organizuar dhe financuar nga Rusia e madhe, me ndihmën e agjentëve të tyre shqipfolës. Me miratimin e Britanisë dhe Francës, në mbledhjen e fshehtë që ata mbajtën ne vitin 1904, e quajtën “marrëveshta e përzemërt”. Tashmë Britania e Madhe e kishte ndërruar mendjen, sepse ishte krijuar Bashkimi Sovjetik që synonte të përhapej në tërë botën. Në këtë kohë, Agjencia e zbulimeve britanike e këshilloi Zogun që të shkonte në Jugosllavi, derisa në anën tjetër e urdhëroi Jugosllavinë t’i hapte udhë Zogut, që ai të organizojë një forcë ushtarake për rrëzimin e Qeverisë së Nolit. Financat për këtë i pagoi Kompania Anglo-Persiane e Vajit, me kondita që ajo të merrte kontratën e shtetit shqiptar për përpunimin e vajit në Shqipëri, gjë që më vonë edhe ndodhi kështu.

Reklama
Reklama

Në vitin 1920, Rusia krijoi organizatën e quajtur Federata e Shenjtë Sllavo-Komuniste Ballkanike, përmes së cilës u mbollën farët e para për të pushtuar Shqipërisë. Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte eliminimi i kombësisë shqiptare. Kjo ide e kishte aprovimin e Anglisë dhe Francës, që nga mbledhja e fshehtë që ata e mbajtën më 8 prill të vitit 1904, ku ishin caktuar kufijtë e Evropës Lindore. Dy mbledhje tjera qenë mbajtur në vitin 1907 mes tri fuqive të mëdha; Anglisë, Francës dhe Rusisë, ku ranë dakord për caktimin e kufijve të Evropës Lindore dhe ku trojet shqiptare do mbeteshin nën sferën e Rusisë. Fan Noli me shokë pranuan këtë ide. Miqtë e ngushtë të Fan Nolit si Llazar Fundo, Ali Kelmendi, Sejfullah Malishova, Koço Tashko e të tjerë, përfunduan si celulë e komunizmit kur u kthyen nga Moska dhe ku kishin shkuar për studime të inkurajuar nga vet Fan Noli. Në kohën kur Fan Noli mori Qeverinë në dorë, Italia në këtë kohë anonte kah Rusia, duke menduar që ata do të shkëputnin diçka nga ky ndryshim. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, komunizmi u përhap shumë edhe në Itali e Francë dhe sikur të mos ndërhynte Amerika si fuqi e katërt e botës, këto dy shtete do të përfundonin nën sundimin e Rusisë!

Reklama
Reklama

Noli ishte entuziast i Qeverisë barbare të Enver Hoxhës

Fan Noli është shprehur hapur kundër bashkimit kombëtar të territoreve dhe pjesëve të kombit që mbetën jashtë kufijve të shtetit, duke e quajtur atë një luks për shqiptarët. Edhe më tepër, në periudhën e qeverisjes së Nolit dhe nolistëve, pjesët e kombit që mbetën jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, u trajtuan vetëm si minoritete dhe probleme të brendshme të Greqisë dhe Serbisë. Në marrëdhëniet me Jugosllavinë e Greqinë, të cilat kishin aneksuar pjesë të territoreve dhe të kombit shqiptar, nolizmi u nis nga ideja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Duke folur për çështjen çame, Noli thotë: “Ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Greqisë!”

Reklama

E njëjta “demokraci” si ajo e Fan Nolit, u realizua fill mbas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, kur Qeverinë nisi të drejtonte Enver Hoxha, i cili ishte mik i sigurt i jugosllavëve, grekëve, rusëve dhe padronëve tjerë. Enverizmi ka qenë antinacionalizëm shqiptar, siç ishte edhe fanolizmi. Enveri ka qenë njeri i shitur tërë jetën nga një agjenci e spiunazhit tek tjetra, e shumë herë edhe spiun i dyfishtë dhe i trefishtë.

Reklama

Noli e përkrahu plotësisht lëvizjen “Nacionalçlirimtare” gjatë luftës dhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Ai e pranoi edhe luftën civile, të cilën komunistët e përdorën për të marrë pushtetin me forcë. Nuk ka asnjë vend në botë ku komunizmi ka fituar me vota dhe ky fakt ka domethënie të madhe. Kur e takuam Nolin për herë të parë në vitin 1956, ai ishte entuziast i Qeverisë barbare të Enver Hoxhës. Ai ishte takuar me të gjitha delegacionet e Shqipërisë që vizitonin Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai së pari u takua me Tuk Jakovën në shtator të vitit 1946, pastaj me Mihal Priftin dhe Behar Shtyllën, ministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë komuniste shqiptare në vitin 1950. Në dhjetor të vitit 1964, me ministrin Behar Shtylla, Noli u takua në stacionin e trenit në Pensilvani. Kur e pyetën organizatat amerikane të informacionit Fan Nolin pse merresh aq shumë me komunistët e Tiranës, Noli u tha: – Ata janë djemtë tanë! Të kujtojmë se djemtë e Vatranëve kishin luftuar në Itali dhe Francë për lirimin e këtyre vendeve nga fashizmi dhe nazizmi, si dhe për shpëtimin e tyre nga kthetrat sovjetike, sipas politikës së udhëhequr nga ShBA-të.

Reklama
Reklama

Miq kryesorë të shqiptarëve, Noli i konsideronte sllavët, grekët, dhe ballkanasit në përgjithësi. Lidhjet e Nolit me Rusinë ishin të hershme dhe më vonë vazhduan edhe me Bashkimin Sovjetik. Mbas rënies së pushtetit të tij, ai u bë mik i Bashkimit Sovjetik. Si anëtar i një delegacioni të popujve të shtypur të Ballkanit, Noli kërkoi që të propagandohen arritjet e Bashkimit Sovjetik nën regjimin bolshevik. Një krah i nolistëve si Ali Kelmendi (një injorant dhe komunist i çmendur), pastaj Halim Xhelo, Riza Cerova, Koço Tashko e të tjerë, kaluan plotësisht në pozita komuniste. Edhe nolizmi, edhe enverizmi, ishin lëvizje të antinacionalizmit shqiptar. Lista e praktikave dhe ideve politike noliste, të kundërta me nacionalizmin shqiptar është e gjatë, por këtu mund të përmendet veprimtaria e tij kundër Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit në vitin 1912, si dhe sentimentet negative kundër shqiptarëve të Shqipërisë së veriut dhe të Kosovës (malokëve dhe kosoviotëve). Noli u zotua para Beogradit se do të merrte masa e do të ndalonte veprimtarinë e “kosoviotëve”. Si shembull për të bindur Beogradin dhe se ky zotim nuk është vetëm vepër boshe, Noli përmend masat për ndalimin e Komitetit Kosova dhe shkatërrimin e Bajram Currit. Në të vërtetë, Bajram Currin, politikisht e vrau Noli, derisa mbas kësaj, Noli e vajtoi Bajram Currin me një elegji shumë të bukur! Në fakt, Bajram Curri vrau veten. Ai u rrethua nga Kadri Mehmeti me xhandarët e tij, por nuk është vrarë nga ata dhe nga askush tjetër. Daja im, Isen Selman Bardhoshi i Qarrit të Vogël të Hasit, së bashku me Mehmet Bajraktarin e Vlahnës, kanë shkuar dhe e kanë marrë trupin e mikut të tyre, Bajram Currit në Dragobi dhe e kanë varrosur në Krumë. Edhe biografia e Bajram Currit është ekzagjeruar. Bajram Curri mendonte që Lenini ishte një “myhyb” i madh, mbasi kështu i kishte thënë Fan Noli.

Më rrëzimin e Qeverisë së tij nga Ahmet Zogu në dhjetor të vitit 1924, Fan Noli me shokë u largua nga vendi me një anije ushtarake italiane. Shumica e tyre shkuan në Vjenë dhe Gjermani. Në vitin 1925, Noli me shokë krijoi Komitetin Revolucionar të Federatës Komuniste të Ballkanit. Në Vjenë dhe në Gjermani, Noli kishte mik Koço Tashkon, derisa ky i fundit ishte sekretar. Tashko është ai i cili e rekrutoi Enver Hoxhën në parti, por jo siç thotë ai.

E vetmja praktikë e qëndrueshme noliste në logjikën nacionaliste shqiptare, është përpjekja për pavarësimin e Kishës Ortodokse shqiptare nga Kisha Ortodokse   greke.

Reklama

Kur Enver Hoxha i arrestoi miqtë dhe kolegët e Fan Nolit, si Bahri Omarin, Kolë Tomarën, Aqif Përmetin, Llazar Fundon dhe Kristo Kirkën, Noli heshti. Katër i pushkatoi dhe njëri nga ata vdiq nga torturat në burg. Kostë Çekrezi i dërgoi Fan Nolit dy anëtarë të shoqërisë Vatra, si Qemal Veiselin, dhe Shefqet Bënçen, për t’i kërkuar që ai në emër të Vatrës të ndërhynte tek Qeveria e Tiranës për t’i shpëtuar. Fan Noli u tha: “Nuk prishem unë me Governën e Tiranës për ca politikanë të falimentuar!”.

Reklama

Grupin Komunist të Korçës etnikisht e mbizotëronte elementi vllah dhe maqedonas

Në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, kanë ekzistuar dy qendra me celula komuniste dhe ato ishin Korça e Shkodra. Grupi i Korçës drejtohej nga agjentë komunistë të Francës dhe nga fanolistët shqiptarë si Koço Tashko, Ali Kelmendi, Sejfulla Malishova etj., derisa Grupi i Shkodrës drejtohej nga komunistët jugosllavë të Malit të Zi. Në Kosovë, qendra e komunistëve ishte në Gjakovë, e cila kontrollohej nga komunistët e Malit të Zi. E veçanta e lëvizjes komuniste në Korçë është se ka ardhur nga Franca dhe Bashkimi Sovjetik, e cila ndryshonte nga rrymat tjera. Ajo u përhap dhe gjeti mbështetës, veçanërisht në elementin joshqiptar në Shqipëri, më saktë në radhët e komunitetit vllah e sllav. Kështu, në të tre grupet kryesore komuniste, si në Grupin Komunist të Shkodrës, në Grupin Komunist të Korçës dhe në Grupin Komunist të të Rinjëve, elementi joshqiptar zinte përqindjen më të madhe, madje një përqindje shumë të madhe në krahasim me pjesëmarrjen në përbërjen e popullsisë. Përqindje të madhe të elementit vllah dhe “shule” kishte veçanërisht Grupi i Korçës, i cili ishte grupi më i madh komunist.

Reklama

Grupi Komunist i Korçës luajti rolin kryesor jo vetëm në themelimin Partisë Komuniste Shqiptare, por edhe në gjithë jetën e saj të mëvonshme. Për këtë arsye, përmendja e disa karakteristikave të tij është e rëndësishme për kuptimin e mëvonshëm të enverizmit dhe të të gjithë veprimtarisë së komunizmit në Shqipëri.

Grupin Komunist të Korçës etnikisht e mbizotëronte elementi vllah dhe maqedonas si Miha Lako, Sotir Lubonja, Koçi Bako, Koçi Xoxe etj. Nga pikëpamja fetare mbizotëronte elementi ortodoks, përveç tre anëtarëve të Grupit, si Xhevdet Doda nga Prizreni, Enver Hoxha nga Gjirokastra dhe Sadik Premtja. Todi Lubonja shpjegon se sipas Koço Tashkos, pranimi i Enver Hoxhës në Grupin Komunist të Korçës është bërë pikërisht për të zbutur përshtypjen që bënte mbizotërimi i “Kiçove e Koçeve” (sinonim i përdorur prej tij për ortodoksët) dhe si karrem për të tërhequr edhe shqiptarë të besimit islam, derisa ky i fundit qëndronte më larg ideve komuniste. Megjithëse Enver Hoxha e mënjanoi dhe e futi në burg Koço Tashkon, ai prapë nuk tregoi të vërtetën. Tashko e dinte shumë mirë dhe me kohë biografinë e Enver Hoxhës. Duket që Hoxha mbeti deri në fund, madje edhe në kulmin e “fuqisë së tij”, instrument në duart e elementit vllah e ortodoks jugor. Nga pikëpamja krahinore, mbizotëronte elementi jugor antigegë. Me këtë shpjegohen shumë sjellje të partizanëve të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare (PKSh), si djegie fshatrash, pushkatime masive etj. Në këtë grup mbizotëronte një ndjenjë progreke aq e tepruar, sa u kritikua edhe në mbledhjen themeluese të PKSh-së, si zell i tepruar progrek.

Lista e anëtarëve të Grupit të Korçës, si Miha Lako, Pilo Pelisteri, Gaço Pelisteri, Petraq Titani, Nesti Titani, Raqi Themeli, Llambi Themeli, Stefo Grabocka, Llambi Dishnica, Koço Tashko, Sotir Vullkani, Koçi Bako, Sotir Gurra, Petro Papi, Foni Thano, Koçi Xoxe, Gaqi Nasto, Kristo Mushi, Niko Xoxe, Anastas Lula, Sotir Lubonja, Ilo Dardha, Enver Hoxha, Xhevdet Doda, Sadik Premtja etj.

Në luftën italo-greke të vitit 1943, Grupi Komunist i Korçës mbajti anën e Greqisë; anëtarët e tij dezertuan nga ushtria italiane dhe megjithëse Korça mbeti dy ditë e lirë dhe pa praninë e asnjë ushtari të huaj, anëtarët e Grupit të Korçës në vend që të merrnin iniciativën dhe të krijonin një administratë shqiptare dhe armët e lëna nëpër depo nga italianët t’ia shpërndanin popullit, ata u bënë rojtarë të depove dhe armët ia dorëzuan ushtrisë greke! Vetëm pak ditë mbas pushtimit, Qeveria greke shpalli aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës.

Më 8 prill të vitit 1904, kur u bë marrëveshja e fshehtë midis Britanisë së Madhe e Francës, e cila u quajt Marrëveshje e Përzemërt, që kishte për qëllim bashkëpunimin midis dy perandorive dhe caktimin e kufijve të Evropës Lindore. Në këtë mbledhje, Shqipëria u caktua të mbetej në lindje dhe nën tutelën e Rusisë.

Më 31 gusht të vitit 1907, u bë një marrëveshje midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë e quajtur Marrëveshja e Dyfishtë në Shën Peterburg. Pak më vonë dhe po këtë vit u bë marrëveshja e tretë midis Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Francës, e cila u quajt Marrëveshja e Trefishtë. Tri fuqitë botërore, caktuan kufijtë e Evropës Lindore, ku Shqipëria qe caktuar prapë të bënte pjesë nën Perandorinë ruse. Ky qëllim i fuqive të mëdha, nuk u realizua në Luftën e Parë Botërore, por në Luftën e Dytë Botërore.

Më 1916, u shkrua kënga e luftës së shenjtë sllave me titullin “Svyashchemaya Voyna” (Lufta e shenjtë), të cilën e shkroi Aleksandar Adolfoviq Bode, ndërsa muzikën e krijoi Aleksandar Vasileviq Aleksandrov. Kjo këngë fort e rëndësishme për sllavët, është kënduar gjithnjë në paradat ushtarake të Bashkimit Sovjetik çdo 9 maj dhe vazhdon të këndohet edhe sot e kësaj dite, kur organizohen parada ushtarake në Moskë. Kënga u ripunua në vitin 1941.

Ballkanizmi

Më 1844, në Beograd, kryeministri serb Ilia Garashanin, hodhi parullën “Ballkani, popujve të Ballkanit”, ndërsa njëqind e dyzetekatër vjet më vonë (1988), ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Reiz Malile, hodhi po në Beograd parullën “Ballkani, duhet t’u takoj vetëm popujve të tij!”.

Mbi këtë bazë, një numër i madh veprimtarësh politikë dhe jopolitikë mbajnë etiketën “ballkanike” si “Lidhja Ballkanike“ në Beograd, (1866-‘68), Konferenca Socialdemokrate Ballkanike (Beograd, 1910), “Luftërat Ballkanike”, (1912-‘13), “Lidhja Ballkanike” (1912), “Federata Komuniste Ballkanike” (Sofje, 1930), “Pakti Ballkanik” (1912), “Federata Komuniste Ballkanike” (Sofje, 1930), Pakti Ballkanik”, ose Antanta Ballkanike” (Athinë, 1934), “Lojërat Ballkanike” (1910-1940), gazetat dhe revistat “Ballkan”, La Federation balkanique”, etj.

Në fillim, ideja e bashkimit të të gjithë popujve të Ballkanit në një shtet të përbashkët në formën e një federate ose konfederate, u paraqit si një mundësi e zgjidhjes së “çështjes lindore” mbas rënies së Perandorisë Osmane dhe largimit të saj nga Ballkani. Krijuesi i “panballkanizmit”, konsiderohet ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Adam Çartorijski, i cili nga fundi i vitit 1804 parashikonte që në rast të rënies së Perandorisë Osmane, të gjithë popujt e Ballkanit të bashkoheshin në një federatë të përbashkët, në të cilën vendimtar do të ishte ndikimi i Rusisë.

Në kohën kur po formësohej përfundimisht nacionalizmi shqiptar, serbët dhe grekët kishin krijuar shtetet e tyre të pavarura. Të dyja këto shtete, në politikat e tyre zyrtare e jozyrtare, luftonin kundër çfarëdo ekzistence shqiptare, qoftë si ekzistencë kombëtare, qoftë si ekzistencë politike-shtetërore. Për politikën serbe dhe greke, shqiptarët nuk ekzistonin si komb, prandaj as nuk duhej të kishin njësinë e vet politike. Serbia dhe Greqia luftuan ekzistencën e shqiptarëve në tri drejtime; ekzistenca e tyre si komb, ekzistenca e tyre si njësi politike dhe ekzistenca e tyre fizike. Për politikën zyrtare greke, shqiptarët nuk ekzistonin si komb, për shkak se sipas tyre, shqiptarët myslimanë ishin turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë ishin grekë. Këtë qëndrim të tyre, propaganda politike dhe diplomatike greke, u përpoq ta bënte përfytyrim mbizotërurues, si në politikën ndërkombëtare, ashtu edhe në opinionin evropian. Për politikën zyrtare serbe, vërtet ekzistonte një etnitet joserb në jug të tyre, por ai ishte popullsi “e egër malore”, “e paaftë për t’u organizuar në shtet” dhe se misioni serb ishte ta qytetëronte atë. Mbi këto arsyetime, të dyja politikat sllave dhe greke, nxirrnin përfundimet se ekzistenca e një njësie politike shqiptare ishte e papërligjur dhe se një njësi e tillë nuk duhej të ekzistonte. Në fund, të dyja këto shtete filluan edhe spastrimin etnik të territoreve periferike shqiptare dhe zhdukjes fizike të tyre.

Në këto kushte, për nacionalizmin shqiptar mbeteshin dy zgjidhje të mundshme. E para të fillonte luftën e armatosur njëkohësisht kundër të gjithë armiqve që pengonin pavarësinë e tyre; kundër Serbisë, Mali të Zi, Greqisë edhe Perandorisë Osmane. Me këtë, duhej llogaritur se u “shpallnin luftë” edhe gjashtë Fuqive të Mëdha, të cilat në atë periudhë ishin për ruajtjen e status-quos dhe Perandorisë Osmane në Ballkan, ndërsa Rusia në mbrojtje të drejtpërdrejtë të Malit të Zi dhe Serbisë, Anglia, e deri diku edhe Rusia, në mbrojtje të Greqisë për arsye të ortodoksizmit. Konspiracioni shovinist për asgjësimin e kombit tonë dhe falsifikimi i historisë në përgjithësi kundër nesh, ka ekzistuar shekuj me radhë.

Ideja e ballkanizmit është ide ruse dhe ideja më e rrezikshme për kombin shqiptar. Qëllimi i kësaj ideje ka qenë dhe mbetet asgjësimi i plotë i kombit shqiptar.

Ideja për zhdukjen e kombit shqiptar është një marrëzi. Zhdukja e kombit shqiptar, dhe mohimi mijëvjeçar i kontributeve të këtij populli në të gjitha fushat e përparimit botëror, si dhe krijimin e gjuhëve tjera dhe kombeve tjera, do të paraqiste krim të pafalshëm ndaj të vërtetës, ndaj historisë dhe ndaj civilizimit botëror. /Telegrafi/

(Autori i këtij shkrimi së bashku me familjen e tij u largua nga Shqipëria në vitin 1948 dhe nga gushti i vitit 1956, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

Informatat e imam Perollit që Noli “s’i dinte”, për krimet e komunistëve në Kosovë e në Shqipëri Informatat e imam Perollit që Noli “s’i dinte”, për krimet e komunistëve në Kosovë e në Shqipëri