LAJMI I FUNDIT:

Kupë e përshëndetjes

Kupë e përshëndetjes

Poezi nga: Alexander Sergeyevich Pushkin
Përktheu: Qazim Shema

Kupë e përshëndetjes
Kupë e qelibartë,
Ke kohë që prêt;
Shkuma gufon lart,
Poshtë – verë e qetë.
Të shtrenjtë e të bukur,
Në zemër të mbajmë.
Për shendet të kujt
Verën do ta thajmë?

A nuk e kan’ hak?
Nderim për lavditë!
Po s’i kam në gjak
Ndeshjet, batërditë.
Me miqtë për festë,
S’mblidhesh me kushtrim;
Dehjet pas betejash
Ndjellin veç trishtim.
Miq, të më dëgjoni,
Për qiell e për tokë:
Nder për Apolonin,
Për ju, kok ‘ më kokë!
Dhe nimfat t’i kemi,
Me frymën e prilltë!
Uji i Hipokrenit
Na gëzon në shpirt.
Shëndet e shëndet
Shpirtit të rinisë!
Moshës me aq jetë,
Që s’na vjen sërish.
Kupë e qelibartë,
Hopa, moj të lumtë!
Verëzën e artë
Ta kthejmë me fund!

* * *

Ollga, kumbarë e Kipridës, siç je,
Dëfre, je mrekulli e bukurisë;
Ti të ledh e të ngjeth, të ngre dhe mbi re,
Je ndrikull e pikuar e mjeshtërisë.
Parajsë ke premtuar, veç këndellje,
Që me fjalën e parë na josh aq mirë,
Pastaj te dera jote, si ndër ethe,
Rrimë e presim me zemër të ngrirë.
Dëgjojmë pëshpërima të mekëta
Dhe befas na çmerit një tallje e ftohtë…
Ndrikull dëfre, kënaqu me tekat,
Pa ar e hazdisje ti s’mund të rrosh dot.
Por mos i ler, moj kunadhe, pas dore
Prapësitë, me mjeshtërinë që ke
Dhe na dëgjo ankesat dashurore:
Parajsë e harrim… mendo dhe për ne.