LAJMI I FUNDIT:

Doganat: Emigrantët dhe rritja e çmimeve të importit, pasqyrim i krizës botërore

Doganat: Emigrantët dhe rritja e çmimeve të importit, pasqyrim i krizës botërore

Kriza ekonomike ka përfshirë edhe Shqipërinë, megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ekspertët e Doganës së Përgjithshme u shprehën, se ulja e numrit të emigrantëve do të ndikojë në uljen e të ardhurave që pritet të hyjnë në Shqipëri. Ekspertët pohojnë se me uljen e numrit të emigrantëve priten të ulen dhe të ardhurat që do të hyjnë në shtetin shqiptar, pasi sipas tyre shumë prej emigrantëve i kanë mbyllur paratë e tyre në bankë,nga frika e humbjes së vendeve të punës.

Ulja e numrit të emigrantëve pritet që të sjellë edhe uljen e xhirove të biznesit shqiptar, pasi siç dihet xhiroja më e madhe e biznesit është gjatë periudhës së verës dhe gjatë festave të fund vitit, pasi jo vetëm shtohet numri i blerëve, por janë dhe paratë e tyre që xhirohen në tregjet shqiptare.

Gjithashtu ekspertët theksuan që një nga bizneset që e ndjeu më shumë uljen e të ardhurave nga emigrantët ishin biznesi i ndërtimeve, ku herë pas here përfaqësuesit e ndërtimeve shpreheshin se ulja e të ardhurave nga emigracioni ishte ulur dhe numrin e shitjeve të apartamenteve.

Ndër të tjera doganat bëjnë të ditur se gjatë periudhës së verës të ardhurat që u futën në doganat shqiptare nga emigracioni kapën shifrën e 500 mijë eurove, një shifër kjo e përgjysmuar në krahasim me të ardhurat që hynë në verën e kaluar. Ndërsa festat e fundit të vitit dhe rënia e prodhimit vendas janë dy arsye të forta që tregtarët të rrisin furnizimet nga importi. Por në tregun e shitjeve me pakicë, kërkesa e konsumatorëve mbetet e ulet.


Edhe pse tregjet janë të tej mbushura nuk shfaqet as një shenjë për uljen e çmimeve. Rritja e çmimit të prodhimeve ushqimore që vijnë nga importi ka filluar gjatë javës së shkuar.

Ekspertë e Doganës së Përgjithshme, u shprehën se çmimi i produkteve ushqimore që do të vijnë nga jashtë do të jenë 10 për qind më të larta se vitin e shkuar. Ky fakt është vënë re në të gjitha tregjet shqiptare, ku ditët e fundit çmimet e fruta-perimeve që vijnë nga importi janë rritur me 30 lekë, duke e krahasuar me çmimet në të njëjtën periudhë me vitin e shkuar ato janë 10 për qind më të larta.

Ndërsa ajo që vihej re ishte se një kg rrush i ardhur nga importi ditën e djeshme shitej në tregun shqiptar me 250 lekë, duke u shitur kështu me 50 lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë që një ulje ka pësuar çmimi i mandarinave pasi janë prodhim i stinës. Ndërkohë që perimet nuk kanë pësuar ndryshim në çmime këtë javë. Pavarësisht cilësisë së produkteve të importit ato shiten më shtrenjtë duke i nënvlerësuar mjaft prodhimet vendase.

Tregtarët shprehen se prodhimet e importit i shet pamja dhe se prodhimet vendase janë më pak të kërkuara. Ndërsa ekspertët e doganave theksuan se kjo rritje është e pritshme, pasi prodhimit vendas po i vjen fundi, si dhe kriza financiare që përfshiu vendet furnitore të Shqipërisë do të ndikojë në produktet ushqimore që vijnë nga jashtë.(”SOT”)