LAJMI I FUNDIT:

Disa fjalë rreth debatit për reformimin e institucioneve mikrofinanciare

Disa fjalë rreth debatit për reformimin e institucioneve mikrofinanciare
-->

Institucionet mikrofinanciare luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë dhe shoqërinë e një vendi, sidomos në vende në zhvillim.

Roli i tyre është njohur dhe madje ka arritur që të fitojë njërin nga çmimet më prestigjioze botërore, atë të Nobelit në vitin 2006. Roli i institucioneve mikrofinanciare në shoqëri përkufizohet më së miri në citatin e Komitetit Norvegjez i cili i akordoi çmimin ideatori të mikrofinancave Muhamad Yunus, ku thuhet se “ paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet nëse një numër i madh i njerëzve nuk arrijnë të dalin nga varfëria, dhe se zoti Yunus dhe institucioni i tij financiar Grameen, ka arritur që edhe atyre nga shtresat më të varfra tu jepet një mundësi për zhvillimin e tyre.”

Ndër këta rreshta mund ta gjejnë veten edhe shumë kosovarë të cilët kanë përfituar nga institucione mikrofinanciare për të ndjekur ëndrrën e tyre.

Viteve të fundit, Institucionet Mikrofinanciare (IMF) në vend janë rritur vazhdimisht, dhe sot janë pjesë e rëndësishme e sektorit financiar. E megjithëkëtë, debati rreth tyre është i rrallë dhe i kufizuar padrejtësisht vetëm tek normat e interesit që ato ofrojnë, duke i konsideruar si tejet të larta pa i studiuar kushtet dhe ofertën.

Edhe pse ato norma kanë shënuar rënie vit pas viti, ne punojmë në vazhdimësi me legjislativin vendor për mundësinë e reformimit dhe uljes edhe të mëtejshëm të normave tona të interesit. Pikërisht reformimi i veprimtarisë së këtyre institucioneve ka qenë temë e disa mediave në Kosovë ditëve të fundit. Andaj, si përfaqësues i Asociacionit të IMF-ve, AMIK, e shoh të rëndësishme të jap disa komente duke tentuar që t’i kontribuoj sadopak shtimit të informatave për këtë çështje.

IMF-të ofrojnë para të gatshme me procedura të shpejta për klientë që duan të afrojnë shpejt. Ideja e themelimit të tyre para disa dekadave ishte që t’iu shërbejë klientëve të cilët anashkalohen nga bankat komerciale duke vënë pragje të larta për kredi. Aktualisht, pjesa dërmuese e bankave në Kosovë nuk japin kredi me vlera më të vogla se 5 mijë apo 10 mijë euro, që në mënyrë thuajse automatike i përjashton një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve në Kosovë.

Ajo që synojmë ne është që të shtojmë shërbimet tona me produkte të reja, siç janë transferta, e pagesa, në mënyrë që të mund të krijojmë të ardhura të cilat do të na mundësonin uljen e normave të interesit edhe më tej. Po ashtu, reformimi duhet të përfshijë edhe çështjet pronësore, gjë që do të mundësonte krijimin e të ardhurave shtesë për organizatat tona anëtare dhe qëllimet e tyre kontribuuese, ide  mbi të cilën edhe janë themeluar këto lloj institucionesh.

Rezultat i kësaj  do të jetë shtimi i numrit të degëve të IMF-ve që do të kontribuonte edhe në rritjen e punësimit.

Nuk duhet harruar që sot në tregun kosovar janë futur edhe institucione të reja jobankare, të cilat ofrojnë kredi me norma më të larta. Në këto kushte, reformimi i IMF-vë – si një mekanizëm i dëshmuar për financim të shpejt për nevoja personale apo biznesore – është mëse i domosdoshëm.

Duhet thënë se Kosova ka një treg të lirë, që garanton mundësinë e zgjedhjes në mesin e shumë ofertave. Andaj, është e pakuptueshme, madje ndoshta edhe dashakeqe përpjekja për denigrimin e vazhdueshëm të imazhit të IMF-ve.

Aktualisht, IMF-të në Kosovë u shërbejnë rreth 78 mijë klientëve përmes 115 degëve të shtrira në mbarë vendin. Portofolio e kredive aktive ka arritur në mbi150 milionë euro, dhe një pjesë e konsiderueshme e huave janë dhënë për ndërmarrës të cilët kanë zgjeruar aktivitetin e tyre biznesor.

Në kohën kur papunësia në vend vazhdon të jetë e lartë, ky sektor ndihet krenar që ka arritur t’u jap ndihmesë burrave e grave që kanë krijuar biznese të vogla të qëndrueshme, duke punësuar jo pak njerëz. Kështu, IMF-të në Kosovë kanë arritur të përmbushin në masë të konsiderueshme synimin që t’u gjenden afër njerëzve të cilët mbesin të pa shërbyer nga bankat komerciale.

Të drejtën për të synuar suksesin e ka çdo njeri dhe ajo nuk duhet mohuar me mekanizma dhe barriera që këtë të drejtë e rezervon vetëm për disa.

Nga Arsim Bruçaj – Autori është Drejtues i Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës./Telegrafi