LAJMI I FUNDIT:

Dështon Roma

Dështon Roma

Roma ka bërë një hap fals në luftën për titullin e Serie A, pasi është mposhtur në Olimpico nga Sampdoria, me rezultat 1-2, për të mbetur në vendin e dytë, me dy pikë më pak se lideri Inter që do t’i prijë sërish Kampionatin italian.

Kapiteni legjendar Francesco Totti kaloi vendasit në epërsi (14’), kur pas një pasimi të Mirko Vucinic, shënoi me këmbën e majtë, dhe me epërsi minimale të Giallorossëve përfundoi pjesa e parë.

Megjithatë në pjesën e dytë gjenovasit barazuan. Ishte Giampaolo Pazzini, i cili pranoi një krosim të bukur të Antonio Cassanos, për të baraspeshuar ndeshjen (52’).

I njëjti lojtar u përkujdes për t’ia përkeqësuar punët Romës, duke shënuar edhe golin e dytë dhe të fitores për Sampdorian, pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt.


Kjo humbje e sheh Romën në pozitën e dytë kur kanë mbetur edhe tre xhiro për t’u zhvilluar. Ndërkohë, Sampdoria mban vendin e katërt me dy pikë më shumë se Palermo, për të shpresuar që sezonin e ardhshëm të luajë në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/