LAJMI I FUNDIT:

“Departamenti i VI-të”

Njësiti për vrasje, i quajtur me emrin e koduar “Departamenti i VI-të” (šesto odjeljenje), i krijuar nga vet kreu politik serb, thuhet se ka funksionuar vetëm 15-16 muaj. Prej 22 nëntorit 1999 deri më shkurt 2001. Ishte i jashtëligjshëm dhe i paktë në numër. Gjithsejtë 15 veta. Struktura ishte e plotësuar me profesionist dhe kriminel të rryer dhe ishte “mveshur” formalisht, e pahetueshëm në strukturën oficiele të Qendrës së Sigurimit Shtetëror në Beograd.

Ky njësitë kishte kryer disa nga krimet më monstruoze ndaj personaliteteve të rëndësishme në Serbi. Edhe pse kryeshefi i njësitit, Ratko Romiç, deklaronte më vonë se ky njësit ishte formuar për të “zhvilluar aktivitete zbuluese-operative në botën e jashtme”, ai ishte marrë kryesisht me armikun e brendshëm. Me armiqtë e Sllobodan Millosheviqit dhe kreut mafioz që asokohe e udhëhiqte shtetin, por edhe “ribërjen” e kombit në Serbi.
Njihet si njësiti më misterioz për të cilin mendohet të ketë likuiduar pa mëshirë dhe pa zhurmë, kundërshtarët e regjimit, me pretekstin e rrejshëm të interesave nacionale. Në tradhtarë të këtyre interesave ishin futur të gjithë ata që të cilët ishin vlerësuar të rrezikshëm për diktatorin dhe klikën e tij. E këta ishin disa figura të rëndësishme të elitës politike, ushtarake ekonomike të vendit të tyre. Ky njësit ishte shndërruar në instrument të qërimit politik të hesapeve, instrumenti më i fuqishëm në luftën në mes të diktaturës që po binte dhe forcave demokratike e qytetare në vend. Përpos që tmerronte popullatën, ky njësit njëkohësisht po zhdukte të gjithë dëshmitë dhe dëshmitarët e luftërave dhe krimeve të përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe në vet Serbinë.


Ky njësit ishte formuar atëherë kur SSHS (Sigurimi Shtetërorë Serb) kishte dështuar në ekzekutimin e urdhrave të kreut kriminal serb për likuidimin e kundërshtarëve politik. Në njërin nga atentatet e përgatitura nga Sigurimi i shtetit, ndaj politikanit serb Drashkoviq, kishin mbetur gjurmë në bazë të cilave u zbulua përfshirja e shtetit. Me këtë rast, pas hetimeve ishte zbuluar se kamioni me të cilin ishte shkaktuar aksidenti i përkiste vet shtetit. Pra Sigurimit Shtetërorë!

Prandaj ishte formuar ky njësit, i paktë në numër, ku rekrutoheshin vetëm profesionist të kalibrit të lartë dhe ku nuk kishte asnjë person të tepërt. Puna e këtij njësiti edhe sot e kësaj dite në shumë fusha mbetet misterioze. Ky njësit nuk kishte asnjë përshkrim të fushveprimtarisë apo detyrave. Ishte formuar jashtë të gjitha rregullave dhe procedurave standarde ligjore. Kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë të angazhonte çdo pjesëtarë aktiv të Sigurimit Shtetëror e posaçërisht të Njësisë për Operacione Speciale (JSO).

U desh shumë kohë që të dëshmohej përzierja e këtij njësiti në krimet politike. Këtë e dëshmon edhe fakti se vetëm pas dhjetë vitesh, pra në vitin 2009 ishte hapur një proces gjyqësor kundër Ratko Romic, i cili ishte shef i këtij njësiti. Ai akuzohej për ndihmën e ofruar në tentim-vrasjen ndaj Vuk Drashkoviqit, në Budvë, me 15 qershor të vitit 2000.

Për shkak të natyrës së tij konspirative, ky njësit ishte konceptuar të kishte vetëm 15 pjesëtarë, sepse me sistemim ishin paraparë vetëm 15 vende të punës. Në strukturë për “Departamentin e VI-të” ishin paraparë vetëm: Kryeshefi, zëvendësi, sekretari administrativ-teknik, katër pjesëtarë me kualifikim superior” për përgatitjen dhe realizim teknik” dhe 8 pjesëtarë me përgatitje të lartë profesionale për “Përgatitje dhe realizim teknik”.

Deri vonë, nga të gjitha raportet zyrtare dihej vetëm për 3 veta: kryeshefi Romiç dhe dy pjesëtarë të JSO. Dëshmitë për punën e këtij njësiti janë zhdukur. Askush nuk di ose nuk do të flasë për këto. Madje as Goran Petroviç, kryeshefi i parë i SSH, i emëruar në janar 2001, pas ndryshimeve të tetorit të vitit 2000 kur në Serbi kishte një tranzicion kah demokracia, nuk kishte kurajo të fliste më tepër për këtë. Ai deklaronte se “nuk i kujtohet se me datën 27 shkurt e kishte nënshkruar vendimin për shpërbërjen e ‘Departamentit të VI-të’”. Kam nënshkruar me qindra dokumente – arsyetohej ai. “Nuk mund të i kujtoj të gjitha”, shfajësohej Petroviç. Duket e besueshme? Sikur ky të ishte një vendim ordiner. Sikur ky të ishte një njësit për pastrimin e rrugëve nga bora.

Thuhet se ky njësit nuk shkruante raporte. Edhe me rastin e atentatit të dështuar ndaj politikanit Drashkoviç, kryeshefi i njësitit Ratko Romiç kishte deklaruar se “Milan Radonjicit, shefit të Qendrës në Beograd i kishte dhënë vetëm fotografi dhe skica të banesës së z.Drashkoviq në Budvë, dhe fotografi të ambienteve përreth banesës dhe rrugëve të qasjes te ajo”. Edhe për këto fotografi nuk mund të dëshmohej se lidhen drejtpërdrejtë me përgatitjen e atentatit. Në deklaratë thuhej se Drashkoviq është përcjellë për shkak të kontaktit me një shtetas të huaj, “interesant për shërbimin”.

Në Qeverinë kalimtare të vitit 2000, askush nuk kishte mbikëqyrje mbi SSH, e posaçërisht mbi këtë njësit. Kjo vazhdoi kështu derisa u ndërrua kryeshefi i SSH, Rade Markoviç. Askush nuk mund të hynte aty. Dëshmitë ishin zhdukur, shkatërruar. Dihej vetëm për ekzistencën e këtij njësiti dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe kreun politik. Askush nuk merrte kurajo të merr në dorë pataten e nxehtë.

Megjithatë, nga Qeveria kalimtare, kishte bërë një hap duke formuar një komision të veçantë (POSKOK) me detyrë që të zbulojë tri vrasjet më të rënda me motive politike: Atë të gazetarit Sllavko Çuruvija, atë të katër funksionarëve të LPS (SPO) dhe zhdukjen e Ivan Stambolliqit.
Në të gjitha hetimet e zhvilluara lidhur me këto raste arrihej deri te SSH, por jo edhe deri te faktet, sepse ky shërbim ishte një sistem i mbyllur. Gjëra të shkruara nuk kishte. Dëshmitarët ose ishin zhdukur ose nuk bëheshin të gjallë.

Natyrisht, pavarësisht shkeljes të gjitha rregullave zyrtare me rastin e formimit të këtij njësiti sekret, pavarësisht shkeljes së të gjitha proceduarave formale për funksionimin e një njësiti të tillë, ai patjetër se ishte nën kontroll të dikujt. Ai nuk ishte një grup i vetformuar dhe autonom. Tashmë dihet se çdo gjë punohej me urdhëresat nga SSH. Tashmë dihej se Radomir Markoviç, kryeshef i atëhershëm i SSHS, ishte lidhja formale dhe joformale me vet pushtetin politik.

Sot dihet se ky njësit qëndron edhe prapa vrasjes së Pavle Bulatoviçit, ministër i mbrojtjes i ish-RFJ; ish politikanit Stambolliq; drejtorit të JAT-it, Zika Petroviç; gjykatësit Nebojsha Simeunoviç; e poashtu edhe të një ish-pjesëtari të JSO, Lluka Pejoviç, për të cilin dyshohej të ketë qenë vrasësi i gazetarit Çuruvija (dëshmitar i mundshëm), etj.

Edhe pse kishte operuar shkurtë, gjurmët e asaj që kishte bërë ky njësit ndikuan esencialisht në rrjedhën e proceseve politike në Serbi. Problemi më i madh për një shoqëri demokratike është të dokumentohet aktiviteti i tyre pasi zakonisht këto struktura nuk lënë shumë gjurmë, raporte me shkrim, dokumentacion, apo urdhëresa me shkrim, por çdo gjë varet nga dëshmitë e vetë pjesëtarëve apo ndihmësve të tyre të cilët kanë qenë ekzekutues.

P.S.
Të gjitha të dhënat janë marrë nga mediat serbe