LAJMI I FUNDIT:

Demolli: Burrat kanë më shumë mundësi për punësim sesa gratë (Video)

Demolli: Burrat kanë më shumë mundësi për punësim sesa gratë (Video)

Sipas Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në Kosovë meshkujt në krahasim me femrat kanë dyfishin e mundësisë për të gjetur punë.

Këtë e konfirmon edhe Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në një intervistë për Telegrafin, ku ndikimi politik, kushtet e punës, ndryshimi i Ligjit të Punës për nevojat e lehonisë, sipas saj, janë disa nga barrierat që femrat po hasin të kyçen në tregun e punës.


“Të rinjtë dhe gratë e reja kryesisht kanë vështirësi për të hyrë në tregun e punës, ngase ndikimi politikë vjen kryesisht nga kryefamiljari, sepse janë më të dëgjueshëm. Një faktor tjetër janë kushtet e punës të cilat gratë nuk i kanë në sektorët e ri që po zhvillohen në Kosovë”, ka thënë Demolli.

Ajo ka treguar se përkundër numrit të madh të femrave të punësuar në arsim, pozitat i kanë të ulëta.

“Gratë në arsim kryesisht janë të punësuara në pozita të ulëta, që i bie të jenë mësuese deri të niveli i ulët i shkollimit dhe kjo duhet të ndryshojë. Shteti duhet të angazhohet të ndërroj politika që të punësoj burra aty ku më shumë janë të përqendruara gratë në sektorë të tjerë”, theksoi Demolli.

Institucionet sipas saj, nuk ofrojnë politika lehtësuese për bizneset e grave.

“Vetë shteti i Kosovës nuk po ofron lehtësime afirmative për bizneset e grave, kjo është alarmuese nëse vetëm 4 për qind i kemi gra ndërmarrëse dhe se i tërë sektori është i burrave dhe normalisht se ata punësoj vetëm burra, sepse janë të prirur që ta afrojnë të njëjtën gjini”, ka thënë ajo.

Qeveria sipas saj, duhet ta ketë prioritet zhvillimin e gruas në aspektin ekonomik.

“Duhet të jetë prioritet i qeverisë që ta zhvilloj gruan në aspektin ekonomik, të njëjtën kohë të bëjë politika afirmative dhe të punojnë shumë për trashëgimi. Të ketë trajnime dhe aktivitete tjera që mbështesin gratë ose i motivojnë ato”, tha Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas raportit, “Hulumtimi i Studimit të Përdorimit të Fuqisë Punëtore në Kosovë”, publikuar nga Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), meshkujt në krahasim me femrat kanë dyfishin e mundësisë për të gjetur punë.

“Duke pasqyruar prirjet më të gjera ekonomike, meshkujt në krahasim me femrat kanë dyfishin e mundësisë për të gjetur punë, përkatësisht 67.9 për qind kundrejt 31.3 për qind. Prej 50.4 për qind të popullsisë ekonomikisht joaktive, 85.4 për qind e tyre raportojnë se nuk janë punësuar rregullisht”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Sipas MCC-së, gratë në moshë pune kishin 5.6 për qind më shumë gjasa të raportojnë të ishin të papunë.

“Në aspektin e dinamikës gjinore në fuqinë punëtore, gratë në moshë pune kishin 5.6 për qind më shumë gjasa të raportojnë se ishin të papunë se burrat, respektivisht 31.8 për qind kundrejt 26.2 për qind”, thekson raporti i MCC.

Gratë ende të diskriminuara, e drejta pronësore mbetet problematikë
Lexo po ashtu Gratë ende të diskriminuara, e drejta pronësore mbetet problematikë

Raporti sqaron se arsimi, shërbimet dhe tregtia janë sektorët më tërheqës për gratë.

“Sektorët më tërheqës për gratë përfshinin tregtinë me shumicë dhe pakicë me 23.7 për qind, aktivitete të tjera të shërbimit me 21.5 për qind dhe arsimi me 12 për qind. Nga ana tjetër, sektorët që meshkujt kryesisht ishin të interesuar në ndërtimin me 22.2 për qind, aktivitetet e tjera të shërbimit me 13 për qind dhe tregtia me shumicë dhe pakicë me 11.3 për qind”, thuhet në raport.

Ndërsa, për sa i përket pjesëmarrjes së grave në biznes vazhdon të jetë e ulët.

“Sipërmarrja e femrave ishte mjaft e ulët, me shkallën e sipërmarrjes së ndërmarrjeve për femrat të raportuara ishte 3.2 për qind krahasuar me 14.1 për qind për meshkujt. Rreth 2.2 për qind e femrave kanë raportuar se tashmë kanë një biznes dhe vetëm 0.9 për qind kanë raportuar se kanë filluar një biznes të ri. Në mënyrë të ngjashme, 10 për qind e individëve meshkuj e identifikuan vetveten si tashmë një biznes, ndërsa 4.2 për qind e tyre e identifikuan veten si në procesin e fillimit të një biznesi”, përfundon raporti. /Telegrafi/