LAJMI I FUNDIT:

Deficiti tregtar 1.2 miliard euro

Deficiti tregtar 1.2 miliard euro

Banka Qendrore e Kosovës raporton se deficiti tregtar është 1.2 miliard euro deri në shtator të këtij viti. Për nëntë muaj, janë importuar mallra në vlerë prej rreth 1 miliard e 350 milionë euro dhe janë eksportuar vetëm 108 milionë euro.

Kosova vazhdon të mbetet e varur nga importi. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për tremujorin e tretë të këtij viti tregojnë se deficiti tregtar është 1.2 miliard euro. Deri në fund të shtatorit 2009, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej rreth 1.3 miliard euro, ndërsa ka eksportuar mallra në vlerë prej 108 milionë euro.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shihet se niveli i eksporteve ka rënë për 31.8 për qind, e importet janë zvogëluar për 1.6 për qind.

Rënia e eksporteve dhe importeve, sipas BQK`së, vazhdon të reflektojë efektet e krizës globale që ka ndikuar në zvogëlimin e kërkesës së jashtme dhe asaj të brendshme.


Më së shumti kësaj rënie i ka kontribuuar zvogëlimi i eksportit të metaleve bazë për rreth 50 për qind, të cilat përbëjnë kategorinë kryesore të produkteve që dalin nga Kosova.

“Si rezultat i rënies më të theksuar të eksporteve, mbulueshmëria e importeve me eksporte u zvogëluan në 8.0 për qind nga 11.6 për qind sa ka qenë në shtator 2008”, thuhet në raport.

Megjithatë, shkalla e lartë e deficitit nuk ka ndryshuar strukturën e mallrave që hyjnë dhe dalin nga tregu i Kosovës, përveç rritjes së eksporteve të produkteve brenda kategorive.

Metalet bazë vazhdojnë të përbëjnë kategorinë më të madhe të eksporteve me një pjesëmarrje prej 47.1 për qind në shtator 2009. Produktet minerale përbëjnë 16 për qind të eksporteve, që vlerësohet të jenë ngritur nga 8.8 për qind sa ishin në shtator të vitit të kaluar.

Edhe struktura e importeve vazhdon të jetë e ngjashme me periudhat e kaluara. Pjesa më e madhe e të cilave përbëhet nga produktet minerale, të cilat në shtator 2009 përfaqësuan 15.8 për qind. Gjithashtu makineritë dhe pajisjet me 13.1 për qind në strukturën e përgjithshme të importeve bashkë me produktet ushqimore dhe mjetet e transportit kanë marrë pjesë me 11.7 për qind. Sipas BQK-së, zvogëlimi i vlerës së mallrave të tregtuara gjithashtu ka ardhur edhe si rezultat i rënies së nivelit të çmimeve. /gazetaexpress/