LAJMI I FUNDIT:

Deficiti në rritje

Deficiti në rritje

Bllokadat e shteteve të rajonit, mosrespektimi i marrëveshjeve për tregti të lirë dhe mungesa e preferencave tregtare me Bashkimin Evropian po i sjellin Kosovës problem të madh me deficitin tregtar. Ky është edhe problemi më i madh makroekonomik që vendi përballet në këto tri vitet e fundit.

Saktësisht, sipas raportit të fundit të Entit të Statistikave të Kosovës, në muajin shkurt të këtij viti, Kosova në këmbimin e mallrave me jashtë ka një deficit prej mbi 123 milionë eurosh, krahasuar me 111.8 milionë euro sa ishte në shkurtin e vitit të kaluar. Për përmirësimin e debalancit tregtar, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila thotë se do të marrin një seri masash gjatë këtij viti, të cilat parashihen edhe në planin e zhvillimit ekonomik 2011-2014, shkruan Express.

Sipas të dhënave të ESK-së, eksporti në muajin shkurt të këtij viti kap vlerën e 25.7 milionë euro, përderisa importi 148.9 milionë euro. “Kjo shënon një rritje prej 64 për qind të eksportit dhe 16.8 për qind të importit krahasuar me vitin 2010”, thuhet në raportin e ESK-së.

Por, shkak i debalancit të madh tregtar, sipas ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, është edhe ndërprerja e preferencave tregtare me BE-në dhe mosrespektimi i marrëveshjes së CEFTA-s. “Është fakt se ndërprerja e marrëveshjes për preferencat tregtare me shtetet e BE-së, ka ndikuar në këtë debalanc tregtar për këtë periudhë të këtij viti”, thotë Kusari-Lila. /Telegrafi/