COVID-19 (sëmundja e coronavirusit) pa asnjë dyshim është sfida më e madhe gjithëbotëtore e këtij shekulli, si përnga shtrirja e saj ashtu edhe për nga serioziteti me të cilin e kanë marr të gjitha vendet e globit. Madje një ngujim i këtillë (vet-karantimin) as nuk është parë dhe as dëgjuar ndonjëherë

Prof.dr.Gani Bajraktari
Kardiolog dhe profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës

Mbi 1 milion njerëz anembanë botës janë diagnostikuar me këtë sëmundje virale, nga të cilët rreth 57.000 (apo rreth 5.3%) kanë vdekur. Sigurisht, numri i të infektuarve me këtë virus duhet të jetë shumë më i lartë, sepse natyrisht shumë të sëmurë të tjerë (me imunitet të mirë, që kanë arritur me antitrupat e vet të luftojnë armikun e futur në trupin e tyre – virusin) nuk janë diagnostikuar dhe për rrjedhojë nuk janë regjistruar si bartës të COVID-19. Madje, konsiderohet si dikun rreth 25% e të infektuarve mund të mos kanë fare simptoma! Për rrjedhojë logjika na thotë se shkalla e vdekshmërisë duhet të jetë më e vogël se ajo realisht e paraqitur. Për më tepër, tek personat e infektuar me COVID që janë nën moshën 40 vjeçare, vdekshmëria është rreth 0.2%, që i bie 2 të vdekur në 1000 të infektuar, që logjikshëm konsiderohet se këta dy të infektuar të rinj duhet të kishin ndonjë sëmundje bashkëshoqëruese apo ndonjë çrregullim në sistemin imunitar.

Në shikim të parë shifrat dhe raportimet për këtë vrasës të mësheft janë rrënqethëse. Edhe një humbje jete e një njeriu është tepër shqetësuese, e le më 57000 njerëz të vdekur si pasojë e infektimit me këtë virus që sot ka tmerruar botën. Në fakt, në kohën që po jetojmë çdo gjë është e lidhur për numra (shifra), dhe mjekësia nuk ka arritur t’i shpëtoj këtij realiteti: çdo gjë referohet në shifra, dhe këto shifra vlerësohen si tregues suksesi ose mos suksesi të një institucioni shëndetëror dhe/ose të një shteti. Pra, për rrjedhojë edhe jeta (vdekja) e qenjeve njerëzore shndërrohet (pa dashje) në shifër (numër).

Këto shifra të raportuara sfiduan edhe shtetet dhe liderët botëror, duke i bërë që të ndërrojnë brenda pak orësh qëndrimet e tyre (publike), madje shpesh edhe nga një ekstrem në tjetrin (Kryeministri Johnson, Presidenti Trump, etj). Kjo pandemi sfidoi shumicën e liderëve botëror dhe trandi shumë qeveri (më së keqi e pësoi ajo e Kosovës: me shkarkim). Përgjithësisht, liderët e vendeve të ndryshme kanë treguar tendencë të ndërmarrjes së masave sa më të rrepta, sa më radikale, të izolimit (distancimit, karantinizimit) të qytetarëve të tyre. Natyrshëm, kjo mënyrë veprimi ishte mbrojtja më e mirë nga kundërshtarët e tyre politikë, për faktin se nëse masat e ndërmarra do të ishin të buta e shifra e të vdekurve do të ishte e lartë, akuza dhe dënimi do të kishte adresë liderin, ndërsa nësë masat mbrojtëse ishin radikale, të gjitha jetërat e humbura do të kishin adresë Coronën! Dhe rrjedhimisht, ashtu vepruan shumica e liderëve në botë (përjashto Suedinë dhe ca shtete që e rrethojnë atë, ku konsiderohet se kemi një demokraci më liberale të rrënjosur prej kohësh). Edhe liderët profesional (shëndetetësor) kryesisht kanë pasur të njëjtën çasje, sepse askush nuk ishte (dhe akoma nuk është) i sigurtë se si do të rrjedhë pandemia.

Si asnjëherë më parë bota u gjend përpara shumë të panjohurave, saqë njerëzit e profesioneve të ndryshme (përfishirë edhe mjekë, dhe ekspertë të nivelit të lartë në fushën e mjekësisë) shfaqen hapur diferencat e tyre lidhur me këtë vrasës të padukshëm: nga ekstremi se bota gjindet në prag të tragjedisë më të madhe të njerëzimit, e deri tek ekstremi tjetër se kjo është një virozë me tipare afërsisht të njëjta të një gripi të zakonshëm sezonal, i cili gjithashtu merr shumë jetëra njerëzish. Madje, kishte edhe të tillë (edhe nga fusha e profesionale) që pohuan se kjo është një psikozë kolektive botërore. Shumica, megjithatë, siç ndodhë zakonisht, u munduan të jenë diku në mes të këtyre ekstremeve: kjo do të jetë një pandemi, në të cilën shumica absolute e të infektuarve do të mbijetojnë, ¼ -ta nuk do ta marr vesh fare se ka pasur infeksion, disa nga ta do të kërkojnë hospitalizim, e një numër do të kenë përfundim fatal (kryesisht ata me sëmundje kronike dhe/ose me moshë të shtyrë dhe/ose me sistem imunitar të kompromituar).

Përkundër një avancim të paimagjinueshëm të teknologjisë informative dhe shkencës së mjekësisë, bota mjekësore u gjend përballë një mikroorganizmi me aq shumë të panjohura (akoma dhe sot ka shumë të panjohura me këtë virus), saqë edhe njeriu që u shfaq si personaliteti numër një në glob për këtë “mortajë” të këtij shekulli (Dr. Fauci), çdo fjali rreth këtij virusi e fillonte me “mund të…” dhe e përfundonte me “është e mundshme të…”.

Pasiguria shkencore për virusin dhe për ecurinë e rrjedhës së pandemisë, në ndërkohë u bënë terren i përshtatshëm i teorive konspirative të cilat mjeshtërisht lansonen nga konsipracionistët në kohë të brishta siç është kjo sot. Ka shumë të tillë që besojnë se krejt kjo është luftë e superfuqive.

Çfarë dihet e çfarë nuk dihet sot për corona virusin (COVID-19) dhe për pandeminë që po përjetojmë?

Akoma ka shumë të panjohura dhe akoma nuk dihet nuk jemi të sigurt se do të dihet çdo gjë për sfidën më të madhe të këtij shekulli! E pabesueshme: në kohën e kulmit të zhvillimit shkencor e teknologjik të njerëzimit, kaq shumë të panjohura për një sëmundje që ka kapluar botën.

Skenat e arkivoleve në Italinë e veriut dhe shifrat për qindra të vdekur brenda ditës, të përhapura nga mediat e botës, kapërcejnë shumë herë ndjenjen e dhimbjes për jetërat e humbura të popullit mik italian, e italianëve që janë aq të dashur, miqësor e human, si askush tjetër! Këto skena, përtej dhimbjes, sjellin frikën dhe pasigurinë për çdo njeri që frymon: se një ditë edhe ai/ajo mund të jetë në atë kutinë që të çon në botën tjetër ng ky shkaktari i padukshëm që quhet CORONA, të cilit çdo njeri në botë ia din emrin e askush në botë nuk e di krejt të vërteten për të!

Dhe natyrshëm, frika se do të takohemi me armikun e vockël që të mund të të marr atë më të shenjtën – jetën, përtej urdhërave të institucioneve shëndetësore dhe shtetërore, sot ka vetngujuar krejt globin (përfshirë dhe mua). Kjo edhe për faktin se ti asnjëherë nuk e di nëse do të jeshë në atë 95% që mbijeton apo në atë 5% që virusi misterioz do të të dërgojë në botën tjetër.

Kush janë 5% të pacientëve të infektuar me corona, që përfunduan me humbje jete?

Nga raportimet e deritashme mirret vesh se kryesisht të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, malinje, me sistem imunitar të dobësuar, etj., ishin ata pacientë të infektuar që pësuan nga ky virus me humbje jete. Por, edhe këtu nuk kishte rregulla strikte: kishte pacient 100 vjeçar që ishte atakuar rëndë nga virusi dhe doli komplet i shëruar nga spitali dhe kishte edhe ndonjë të ri (i panjohur për ndonjë sëmundje të mëparshme), të cilëve virusi iu mori jetën.

Cili ishte shkaku i vdekjes tek pacientët me ko-morbiditet (sëmundje të bashkëshoqëruara)?

Kjo është në fakt pyetja me e rëndë rreth virusit corona. Kjo për faktin se asnjëherë asnjë klinicist nuk do të mund të thot se cili ishte shkaktari i vërtetë për humbjen e jetës së një pacienti ne një stad të rënduar nga sëmundjet kronike të zemrës, malinje, të mushkërive, të diabetit (të cilët kanë shkallë të lartë të vdekshmërisë edhe pa qenë të infektuar), e natyrshëm shansat për përfundim fatal me humbje jete do të janë më të larta kur këtyre pacientëve iu shtohet edhe infeksioni, i cili pa asnjë dyshim e përkeqëson gjendjen të këta të sëmurë dhe natyrisht rritë vdekshmërinë. Megjithatë, mbetet thembër e akilit përcaktimi i një klinicisti se cili ishte shkaktari i vërtetë i vdekjes tek një pacient i tillë.

Duke qenë drejtor klinike në QKUK në tri mandate, kam një eksperiencë dhe mbamendje të freskët se shumë të sëmurë me sëmundje të rënda kronike të zemrës janë hospitalizuar në Klinikë në këto dy dekada për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre nga një gjendje gripoze (nga gripi sezonal), dhe shumë nga këta të sëmurë kanë përfunduar me vdekje. Në këto kohë, asnjëherë nuk kemi vendosur shkaktarin e parë gripin. Gjithëmonë është shënuar shkaktar i vdekjes sëmundja bazë (ajo e zemrës), ndërsa është përmendur në fletëlëshim se gjendja është përkeqësuar si pasojë e një gjendjeje gripoze… Ndërkaq, çfarë ndodhë sot, në kohë pandemie? Shkaku i të gjitha këtyre vdekjeve (nëse testi COVID-19 ka rezultuar pozitiv) i atribuohet corona virusit, pavarësisht sëmundjes bazë kronike që pacienti ka pasur!

Çfarë ka ndodhur në Kosovë deri sot në këtë kohë pandemie?

Janë diagnostikuar 145 pacientë më COVID-19 pozitiv (është shumë e besueshme se po aq duhet të jenë të infektuar që nuk dihet se janë të infektuar) dhe kemi humbjen e një pacienti, i cili ishte një pacient i njohur për ne, i trajtuar për shumë vite nga zemra i moshës mbi 80 vjeç. Pra kemi një vdekshmëri <1% (0.6%). Edhe në pjesën veriore të Kosovës (enklaven serbe) raportohet për dhjetëra të infektuar dhe një vdekje (një pacient kronik në hemodializë nga një fshat i banuar me serbë në këtë komunë).

Si ta kuptojmë, se këta pacientë kanë humbur jetën si pasojë e corona virusit apo nga sëmundjet bazë që ata kishin?

Kjo pyetje asnjëherë nuk do të këtë përgjigje, sepse ne vetëm mund të japim hipoteza: nëse X pacienti me sëmundje të rënduar të zemrës dhe X pacienti në hemodializë kronike do të ishin akoma gjallë po të mos ishin infektuar nga corona virusi, apo do të përfundonin me vdekje edhe po të mos ishin infektuar nga ky virus (siç vdesin përditë në spitalet tona). Askush nuk mund të vërtetojë këto hipoteza. Ajo që dihet në Kosovë është fakti se nga këta 200 të infektuar, dy pacientët që përfunduan me fatalitet kishin sëmunje bazë serioze kardiovaskulare dhe të veshkave.

Pra dilema është kjo: Sa nga këta 57000 njerëz të infektuar me COVID-19 që kanë përfunduar me vdekje në botë (deri tani) do të vdisnin edhe sikur të mos ishin infektuar nga ky virus? Edhe kjo do të mbetet enigmë edhe në të ardhmen, le më sot! Kjo, sepse në botë para pandemisë kanë vdekur shumë njerëz nga sëmundjet akute dhe kronike.

Publikimi i djeshëm në Corriere Della Sera lidhur me vdekjet nga corona virusi në rethin e Trevisos, e cila ishte e përfshirë gogja rëndë në pandeminë COVID-19 mund të lëvizin dukshëm numrat e vdekjeve, përkatësisht mund të shkojnë në favor të teorisë se “numri i referuar i vdekjeve nga Corona virus mund të ishte i përafërt edhe po të mos ndodhte pandemia”!

 (REF: https://corrieredelveneto.corriere.it/treviso/cronaca/20_aprile_01/coronavirus-treviso-confronto-morti-ospedale-come-l-anno-scorso-70208dc8-7409-11ea-8c5c-17d34b758c9b.shtml).

Pavarësisht se ky rezultat statistikor tregon një rritje të papërfillshme statistikore, dhe se jep me kuptu se shumica e të infektuarve me COVID-19 që kanë përfunduar me vdekje mund të vdisnin edhe po të mos ishin infektuar me këtë virus, kjo nuk guxon të interpretohet krejt bardhë e zi, sepse shumë faktorë mund të jenë të ndryshëm në vitet e ndryshme. Gjithsesi, teoria se shumica e këtyre pacientëve mund të vdisnin edhe pa qenë të infektuar ka bazë shkencore (të paktën statistikore) në këtë rast.

Cilën rrugë duhet të zgjedhim tash?

Lufta kundër virusit (jo vetëm COVID-19) ka disa rrugë:

1. Imunizimi natyror: pra të marrim virusin (të infektohemi), të krijojmë imunitet natyror dhe mos të kemi më problem me këtë virus asnjëherë,

2. Imunizimi artificial (me vaksinë), dhe

3. Parandalimi i infeksionit (t’i shmangemi komplet takimin me virusin).

Ndërkohë që mjekim specifik për virusët në përgjithësi nuk ka, siç ka për mikroorganizmat tjerë.

Meqenëse vaksinë nuk ka akoma, atëherë na mbeten dy rrugët tjera për të zgjedhur: Infektimi me virus ose parandalimi (të mos e takojmë virusin).

Shumica e vendeve në glob sot ka zgjedhur këtë të dytën: Që të mos takohemi me virusin, ashtu siç na ka mësuar një fjalë e urtë popullore “më së mirë është të mos takohesh me ujkun”. A është kjo një punë e lehtë? Aspak! Madje nëse ai (virusi) qarkullon gjatë dhe bëhët “mysafir” tek shumë njerëz në një lokalitet, bëhët edhe më i vështirë, sepse për një kohë ai qëndron në ajër, në metal, në letër, e ku s’rrin ai? Madje dje doli një studim që ai po u transmetoka edhe me të folur!

Pse duhet të zgjedhim edhe ne këtë rrugë? Sidomos vendet tona, Kosova e Shqipëria, me një sistem jo fort të formësuar shëndetësor (thënë më fjalët më të buta që mund të përdorim në kohë pandemie), jemi fort të shtërnguar që në këtë fazë të ndjekim këtë rrugë, për dy arësye të forta: 1) Nëse maja e kurbës së epidemisë është e rrëpshme (e shpejtë) gjasat e kolapsit të sistemit shëndetësor do të jenë të mëdha dhe për rrjedhojë numri i vdekjeve do të jetë i lartë, dhe 2) Duhet të ruajmë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike (mos t’ua dërgojmë armikun në shtëpi), edhe nëse veten e konsiderojmë se do të mund ta mundnim virusin nëse e takojmë atë.

Më pak vende kanë zgjedhur formën tjetër të luftës ndaj këtij virusi:

1) Fillimisht kryeministri Johnson (Britani e Madhe) pat kërkuar që populli të vazhdojë punën dhe jetën normale, në mënyrë që të marrin virusin, të imunizohen dhe të kapërcejnë më shpesh këtë epidemi dhe të vazhdojnë jetën e tyre. Por, kur pa se pjesa tjetër e globit kishte qëndrim tjetër, edhe ai ndryshoi qëndrimin. Është edhe çështje e përgjegjësisë edhe në këtë rast.

2) Ministri i mbrojtjes së Izraelit dha një teori interesante (nuk e di nëse është zbatuar apo jo): njerëzit e shtyrë në moshë dhe të sëmurët të izolohen, ndërsa pjesa tjetër (vitale) e popullit të vazhdojë punën normale, të marr virusin, të imunizohet, dhe të mos ndalin punën. Teori interesante, dhe mbase me bazën më të mirë shkencore dhe me arsyeshmëri të lartë ekonomike.

3) Suedia bëri restriksioni minimale, duke iu lënë më shumë përzgjedhjen e mbrojtjes vet qytetarëve dhe duke mos ndaluar shumicën e aktiviteteve publike. Ka të ngjarë se ky shtet (me standardet më të larta shkencore) do ta kalojë më shpejtë pandeminë, nuk do të këtë fare humbje ekonomike, dhe mbase numri i vdekjeve do të jetë i krahasueshëm me vendet që kanë bërë karantinë të hekurt. Kjo, edhe për shkak të një sistemi shëndetësor të përkryer.

4) Para dy ditësh, Presidenti turk Erdogan dh një urdhëresë pak më ndryshe se të tjerët: “Të izolohon personat me moshë më të madhe se 65 vjet dhe ata më të rinj se 20 vjeç”. Kjo e moshës nën 20 vjeç nuk u sqaurua, por logjika thot se ata mund të jenë të infektuar asimptomatikë të cilët mund të bartin virusin tek shumë të tjerë pa u hetuar!

Cilat janë dilemat e ditëve në vijim?

Ka akoma shumë dilema për armikun më të madh të këtij shekulli:

1. Sa do të zgjasë pandemia?
2. Kur do të jetë kulmi i epidemisë në vendet e caktuara?
3. Kur do ta kemi vaksinën kundër këtij virusi?
4. Sa do të qëndrojë në temperatura të larta virusi?
5. Sa do të jetë dëmi ekonomik nga kjo pandemi?

Megjithatë, kemi edhe një të njohur të madhe: Corona do të lë pasoja në të gjitha sferat e jetës së njerëzimit: humbjet e jetërave të njerëzve, rënjen e ekonomisë, si dhe çrregullimet sociale e psikologjike.

Urojmë që të ikë sa më shpejtë. Unë besoj shumë se do të ikë më shpejtë se ç’mendohej!

Unë gjithashtu besoj se Kosova do të kaloj shumë më lehtë se ç’kemi projektuar në kokat tona!

Athua do ia dimë më shumë vlerën jetës kur të jetojmë të lirë, kur të çlirohemi nga robëria e quajtur COVID-19? Apo do të jemi ato qenjet e njëjta? /Telegrafi/