LAJMI I FUNDIT:

Coronavirusi shkakton kaos edhe në industrinë ushqimore në Britani të Madhe, fermerët derdhin mijëra litra qumësht

Coronavirusi shkakton kaos edhe në industrinë ushqimore në Britani të Madhe, fermerët derdhin mijëra litra qumësht

Fermerët e qumështit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar duhet të hedhin dhjetëra mijëra litra qumësht për shkak të një rënie masive të kërkesës të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.

Me mbylljen e restoranteve dhe kafeneve, kërkesa nga industria e shërbimeve ushqimore është ulur deri në 50 për qind, shkruan DailyMail, përcjell Telegrafi.


Siç thuhet më tej, shpërndarësit e qumështit kanë dështuar të paraqiten për të mbledhur furnizimet pasi impiantet e tyre të përpunimit janë të mbushura dhe ata kanë arritur kapacitetin e tyre të depozitimit.

Madje ekspertët e industrisë besojnë se rreth 300 fermerëve u është dashur të derdhin qumështin pasi prodhimi nuk mund të ruhet më.

Midis tyre është Clive Stickland i cili tha: “Më është dashur të derdh rreth 16,000 litra kur mora një email përmes së cilit më bëhej e ditur se nuk do të kishte asnjë grumbullim. Nuk kisha kapacitet ruajtjeje për ta mbajtur qumështin, kështu që duhej të derdhej”.

”Të gjithë e kuptojmë pse kërkesa ka rënë, por është akoma e dhimbshme për të ‘hedhur’ produktin tonë”.

Për ta dëshmuar këtë, Stickland, 62 vjeç, filmoi veten duke hapur çezmën në një rezervuar qumështi në fermën e tij pranë Billingshurst, West Sussex.

Rreth 300 lopët e tij prodhojnë deri në 8000 litra qumësht çdo ditë dhe ai ka një grumbullim të planifikuar nga cisterna çdo ditë. /Telegrafi/