LAJMI I FUNDIT:

Çka do të thotë “zemër nervoze”?

Çka do të thotë “zemër nervoze”?
Dr. Tefik Bekteshi, kardiolog

Ekziston një e vërtetë e pakontestueshme: njeriu me zemër lidhë ndjenjat e veta më të forta – dashurinë, mërzinë, zemërimin, frikën… Të gjithë poetët kur përshkruajnë këto emocione përmendin zemrën, jo veshkat, lukthin e mëlçinë, bile as trurin! Jeta psikike e njeriut lidhet me zemër, “ajo është qendër e botës”, prandaj edhe ngarkesa psikike shpesh mund të reflektohet me ndjeshmëri në rajonin e zemrës

Dr. Tefik Bekteshi,
kardiolog


Individët anksioz (“nervoz”) shpesh kanë ankesa që sugjerojnë sëmundje të zemrës. Shumë emra janë përdorë, dhe ende janë në përdorim për të përshkruar këtë gjendje, përkatësisht për të përkufizuar kompleksin e simptomave në të cilat ankohen këta individ, për shembull: “neuroza kardiovaskulare”, “distoni neurovegjetative”, “astenia neurocirkulatore”, “neuroza kardiake”, “effort syndroma”, “solder’s heart-zemra e ushtarit”, “Da Costa sindroma”, etj. Kjo është e shpeshtë në gjendje të jashtëzakonshme (lufta, tërmeti, vërshimet…), por kurrsesi nuk mund të thuhet se është e rrallë në kushte të jetës normale, të përditshme.

Gjendjen e përshkroi së pari mjeku amerikan Jacob Mendes Da Costa me 1871. Gjendje e tillë nuk është lehtë të përkufizohet, por mund të njihet me tërësinë e simptomave subjektive, si pasojë e çrregullimeve të sistemit nervor vegjetativ – pa ndryshime organike në zemër. Në përshkrimin e Da Costa sindromit dominojë katër simptoma: frymëzënia, rrahje të shpejtuara e të forta të zemrës, dhimbja dhe lodhja.

Frymëzënia mund të shfaqet në ngarkesë fizike, por edhe në qetësi. Zakonisht përshkruhet si “mosmundësi të marrë thellë frymë” apo “nuk mund të ngihem frymë”. Ndjenja e rrahjes së shpejtuar të zemrës ndodhë për shkak të stimulimit të sistemit nervor vegjetativ – pjesës të ashtuquajtur simpatike të tij e cila stimulon zemrën të punon më shpejtë dhe më fortë. Nganjëherë paraqiten edhe ekstrasistola, pra rrahje të parregullta të zemrës të cilat e shqetësojnë individin dhe këto i përshkruan “sikur zemra po don me u ndalë”. Njeriu, normal, nuk e ndien punën e zemrës, ajo punon në mënyrë automatike sipas kërkesës që parashtron organizmi. Natyrisht se është shqetësuese kur jemi të vetëdijshëm për punën që ajo bënë. Në gjuhën mjekësore kjo ndjenje shënohet si ndjenje e “palpitacioneve”.

Dhimbja në gjoks është më e rrallë, por kjo është ankesa më e shpeshtë që i shtynë këta individ të kërkojnë ndihmën e mjekut. Dhimbja e shoqëruar me një gjendje të tillë anksioze lokalizohet më së shpeshti në anën e majtë të gjoksit “në maje të zemrës”, si thonë këta pacientë, por mund të jetë me lokalizim tjetër dhe të rrezaton edhe në dorën e majtë. Dhimbjen mund të provokon ngarkesa fizike, por është karakteristike se ajo shfaqet pas ngarkesës, rrallë gjatë saj, e nganjëherë dhimbja zhvillohet natën në qetësi. Ka karakter shtrëngimi e therje dhe zgjatë me orë, bile edhe me ditë. Formë tjetër e dhimbjes, e shpeshtë te këta individ është therje e fortë “që ndalë frymën”, është momentale dhe zgjatë 1-2 sekonda. Muskujt në regjion të zemrës mund të janë të shtrënguar dhe në disa raste është e nevojshme të infiltrohen me anestetik lokal për të eliminuar këtë shtrëngim të pakëndshëm.

Kur të bisedohet më gjatë me këta persona fitohet përshtypja e ngarkesës psikike të përgjithshme, frike të paqartë e cila vetëm momentalisht është e “orientuar nga zemra”. Shuplakat janë zakonisht të njoma nga djersa, por të ftohta. Nganjëherë shihet edhe dridhja e duarve. Të rrahurat e zemrës dhe frymëmarrja, sipas rregullës janë të shpejtuar.

Në elektrokardiogram (EKG) më së shpeshti konfirmohet vetëm rrahje e shpejtuar e zemrës, por nganjëherë mund të ketë ndonjë ndryshim jo specifik. Për shembull e ashtuquajtura vala T mund të pëson ndryshime për shkak të frymëmarrjes së shpejtë dhe të thellë. Kjo mund të shfaqë dyshimin e mjekut në sëmundje të zemrës. Nëse ia thotë dyshimin pacientit të tillë, atëherë rrethi është mbyllë! Pacienti tani do të bënë me dhjetëra ekzaminime dhe nuk do mund të largon nga vetëdija “se është i sëmurë nga zemra”. Mjeku ordinues duhet pacientit t’i shpjegojë me autoritet se mjeku më parë ka dhënë mendim të përshpejtuar, pa mbledhë “argumente” të mjaftueshme, por pas të gjitha ekzaminimeve të realizuar mund të konfirmohet se zemra është e shëndoshë.

Mjekimi i sëmundjes koronare
Lexo po ashtu Mjekimi i sëmundjes koronare

Në të vërtetë është problem akademik dhe praktik: a duhet Da Costa sindromën kuptuar si çrregullim i sistemit nervor vegjetativ, ku ende nuk jemi në gjendje të kuptojmë esencën e atij çrregullimi për të trajtuar korrekt. Në mjekësi shumë çrregullime dhe sëmundje nuk e kanë të qartë shkakun. Shumica e këtyre çrregullimeve mjekohen dhe shërohen, por te çrregullimet ku kemi mundësi ta eliminojmë shkakun, arrihet sukses më të madh në shërim.

Në raste kur kjo gjendje është reaksion në ndonjë stres emocional, qasja korrekte e mjekut ordinues, shpjegimi, përkrahja dhe përcjellja e gjendjes pa përtesë, përfundon me eliminim të plotë të simptomave. Nganjëherë, mjeku do të ordinon edhe ekzaminime plotësuese për të bindë pacientin (dhe vetën) se nuk ekziston sëmundje organike e zemrës. Çdo kontakt me mjekun duhet të përcillet me optimizëm dhe siguri absolute se zemra është në gjendje të mirë (natyrisht nëse kjo është e vërtetë). Në të kundërtën, nga njeriu i shëndoshë me një fjalë krijohet “njëri i sëmurë”. Atëherë trajtimi psikiatrik është pothuajse i domosdoshëm.

Femrat dhe sëmundja e zemrës
Lexo po ashtu Femrat dhe sëmundja e zemrës

Mjeku ordinues me një qëndrim të sinqertë dhe të qartë, me program të aktivitetit fizik gradual dhe eventualisht me përkrahjen medikamentoze (qetësues dhe beta bllokues – për të zvogëluar ndjenjën e rrahjes së shpejtë të zemrës) në një periudhë kohore të nevojshme, mund të ndihmon në tejkalimin e gjendjes, në kthim të “besimit” në zemër vetanake të shëndoshë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Shëndetësi
Kalo në kategori