LAJMI I FUNDIT:

Femrat dhe sëmundja e zemrës

Femrat dhe sëmundja e zemrës
Dr. Tefik Bekteshi, kardiolog

Të jesh mashkull do të thotë të jesh më i rrezikuar nga sëmundja e zemrës. Dhe, nuk është çudi se femrat janë të brengosura për zemrat e meshkujve. Mirëpo, a duhet femra të brengoset për zemrën e vet?

Dr. Tefik Bekteshi,
kardiolog


Thuhet: dëgjoje zemrën tënde! Kjo vlen në dashuri dhe në mjekësi! Më duket se shpesh femrat nuk e bëjnë këtë, i dëgjojnë më shumë të tjerët, mendojnë për zemrat e mashkujve – por, a nuk duhet së pari të mendohet për zemrën e vet? A është kjo arsyeja që shumica e femrave nuk i njeh shenjat e sëmundjes së zemrës…derisa kjo nuk i rrezikon jetën?

Femrat, duhet ta ruajnë zemrën e tyre – jo nga meshkujt, sepse kjo është e pamundur, por nga sëmundja koronare – kjo është e mundur!

Sëmundja koronare apo sëmundja e arterieve të zemrës

Sëmundje koronare ka të bëjë me ngushtimin e arterieve që ushqejnë zemrën. Këto arterie njihen si arterie koronare. Si pasojë e sëmundjes të tyre muskuli i zemrës mund të mos furnizohet me oksigjen në sasi të duhur. Një arterie e tillë e ngushtuar lehtë mbyllet – kjo shkakton infarkt (vdekje e një rajoni të muskulit të zemrës). Sëmundja koronare nuk është sëmundje meshkujsh. Ajo atakon edhe femrat, mesatarisht diç në moshë më të shtyrë se te meshkujt, por manifestimet e saja atëherë janë më të rënda.

Në SHBA për çdo vit gjysmë milioni femra vdesin nga sëmundjet e zemrës, e që është dy herë më tepër se nga të gjitha tumoret malinj së bashku. Nga kanceri i gjirit po në këtë shtet vdesin 40.000 femra në vit, mbi dhjetë herë më pak se nga sëmundjet e zemrës! Pra, sëmundjet e zemrës janë vrasësi numër një i femrave amerikane. Një nga 10 femrat amerikane të moshës 45 deri 64 vjet kanë sëmundje koronare. Ky numër rritet me moshën, një në katër femrat amerikane të moshës mbi 65 vjeçare kanë sëmundje koronare. Mendoni se është ndryshe në Kosovë?!

A ekzistojnë dallime në mes gjinive?

Në çdo moshë meshkujt janë më të rrezikuar nga femrat lidhur me sëmundjen koronare, por femrat kanë besueshmëri më të vogël se do të mbijetojnë infarktin e zemrës në krahasim me meshkuj, në atakun e parë (infarkt i zemrës) dy herë më shpesh vdesin se meshkujt! Statistika qartë dëshmon se besueshmëria është më e madhe që ato do të pësojnë edhe atakun tjetër.

Besimi se sëmundja iskemike e zemrës është e rezervuar për meshkuj është i gabueshëm, por, edhe i rrezikshëm, sepse zvogëlon kujdesin e femrës për zemrën e saj, zvogëlon interesin dhe luftën kundër faktorëve të rrezikut nga kjo sëmundje. Femra shpesh injoron simptomat dhe i interpreton si pasojë e ndonjë sëmundje tjetër. Të njëjtat simptome që e shtynë mashkullin, të kërkon menjëherë ndihmën e mjekut, familjen të brengoset e mjekun të mendon në sëmundjen e zemrës, te femrat mund të keqkuptohen.

Shërimi i sëmundjes koronare është më pak i suksesshëm te femrat. Bypass-it, 4 herë më shpesh i nënshtrohen meshkujt se femrat, por edhe rezultatet e kësaj metode janë më të dobëta te femrat se te meshkujt. E njëjta vlen edhe për angioplastikë (zgjerimi i arterieve të ngushtuara koronare me balon)! Ndoshta është shpjegim më i thjeshtë se këto metoda te femrat zbatohen në moshën më të shtyrë, atëherë kur janë të shpeshta sëmundjet tjera që e keqësojnë prognozën (sëmundjet e veshkave, infeksionet, sëmundja e sheqerit etj.). Arteriet koronare te femrat janë me diametër mesatar me të vogël krahasuar me meshkuj, e kjo ka pasojë komplikimet më të shpeshta me rastin e zbatimit të këtyre metodave invazive. Studimet dëshmojnë se edhe nëse krahasohen dy grupe, meshkujt e femrat të moshës së njëjtë, dhe përdoret metoda e njëjtë shërimi – vdekshmëria te femrat është më e madhe.

Karakteristikat e veçanta

Vlen të përmenden edhe disa karakteristika të sëmundjes koronare te femrat.

Kolesteroli i rritur në gjak është faktor rreziku sikurse edhe te meshkujt, por nuk është aq i fuqishëm. Nga ana tjetër, diabeti e rritë rrezikun nga sëmundja koronare për 7-10 herë te femrat. Nëse te këto femra zhvillohet infarkti i miokardit, komplikimet janë më të shpeshta dhe prognoza është më e keqe. Te meshkujt diabeti nuk është kaq faktor prognostik “i fuqishëm“.

E vërtetë është se deri në menopauzë femra, pjesërisht është e “mbrojtur” nga sëmundja koronare për shkak të estrogjeneve, hormoneve të cilat ndikojnë në përmirësimin e raportit të kolesterolit të mirë (HDL) dhe kolesterolit të keq (LDL). Estrogjenet rrisin nivelin e HDL kolesterolit i cili ndihmon që arteriet të “pastrohen” nga kolesteroli i tepërt. Në menopauzës ky efekt humbë. Nga ana tjetër studimet dëshmuan se shtimi i estrogjeneve nuk parandalon sëmundjen koronare. Duhet theksuar se femrat para menopauzës që kanë diabet apo që tymosin duhanin nuk janë të mbrojtura.

Është vërejtur se marrja e “pilulave kontraceptive” përcillet me rritjen e rasteve të infarktit të miokardit për 3-4 herë. Pos kësaj te këto femra të shpeshta janë trombozat e venave të këmbëve si dhe tromboembolia mushkërore. Rreziku shumëfishohet nëse femra që merr kontraceptiv, konsumon edhe duhan – pilula dhe duhani kurrsesi nuk “shkojnë” së bashku!

Çka është bypass-i aorto-koronar?
Lexo po ashtu Çka është bypass-i aorto-koronar?

Pse femrat nuk e marrin seriozisht këtë sëmundje vdekjeprurëse!?

Shkaku i parë është se ato nuk atakohen aq herët si meshkujt, në moshë të re. Zakonisht, sëmundja koronare te femrat paraqitet 10 vjet më vonë se te meshkujt, por pas moshës 65 vjeçare rreziku nga kjo sëmundje është pothuajse i njëjtë sikurse te meshkujt.

Shkak tjetër që modifikon kuptimin e rrezikut nga sëmundja koronare te femrat është fakti se studimet e mëdha e kanë marrë si subjekt mashkullin. Sot tentohet që dizajnimi (planifikimi) i studimeve të përfshin në të njëjtën masë femrat si edhe meshkujt. Sidoqoftë, informatat e sotme janë të mjaftueshme që femra së bashku me mjekun e saj ordinues të llogaritë rrezikun individual të sëmundjes koronare, të evidenton faktorët e rrezikut (pirjen e duhanit, sëmundjen e sheqerit, shtypjen e lartë të gjakut, obesitetin (majmërinë), nivelin e lartë të kolesterolit në gjak, mungesën e aktivitetit fizik dhe stresin) – dhe të fillon luftën kundër tyre.

Nga kjo që u tha mund të konkludohet se sëmundja koronare nuk është sëmundje meshkujsh. Ajo atakon edhe femrat, diç në moshë më të shtyrë se meshkujt, por manifestimet e saja atëherë janë më të rënda.

Femrat, pra, duhet ta ruajnë zemrën e tyre! Jo nga meshkujt, por nga sëmundja iskemike e zemrës – dhe kjo është e mundur! /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Shëndetësi
Kalo në kategori