Betohen nëntë anëtarët e rinj të KQZ-së, Haxhiu u uron sukses

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot në një ceremoni zyrtare kanë dhënë betimin nëntë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Haxhiu bëri të ditur se anëtarët e rinj janë propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Ajo u ka uruar suksese në ushtrimin e përgjegjësisë së tyre, duke theksuar rëndësinë e KQZ-së në garantimin e proceseve demokratike në vend.
“Kosova ka dëshmuar se ka një sistem zgjedhor të konsoliduar dhe ky standard duhet të ruhet e të forcohet vazhdimisht”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar se puna e anëtarëve të rinj të KQZ-së është e rëndësishme për ruajtjen e integritetit dhe funksionimit të proceseve zgjedhore në Kosovë.
Betimin e dhanë Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Fetahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca, Stefan Filipovic nga Lista Serbe, Yildiray Bayrami nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Abedin Neziraj nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës. /Telegrafi/
Nga
Telegrafi
1 orë më parë
Top Lajme
Promo Reklamo këtu
Jobs
Real Estate








































