Zyrtarë të lartë të misionit të NATO-s, KFOR, kanë vizituar së fundmi pjesëtarët që veprojnë në Mitrovicë, me fokus në praninë e vazhdueshme dhe vetëdijen për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit të Komandës së Përbashkët Aleate të NATO-s në Napoli, gjatë vizitave, komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) ka vëzhguar aktivitetet e vazhdueshme të sigurisë dhe patrullimit.


Ndërkohë, shefi i shtabit të KFOR-it është takuar me pjesëtarë të MSU-së dhe ekipeve për ndërlidhje dhe monitorim (LMT), nga të cilët ka marrë informacione mbi zhvillimet dhe aktivitetet operative në terren.

KFOR ka theksuar se operacionet e dukshme të sigurisë, së bashku me angazhimin e rregullt me komunitetet lokale, ndihmojnë misionin që të përshtatë praninë e tij, të jetë i informuar dhe i gatshëm për të reaguar në rast nevoje.

“Prania dhe gatishmëria përcaktojnë misionin”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Misioni i NATO-s ka përsëritur përkushtimin për të ruajtur një prani të informuar dhe të gatshme në Kosovë, përfshirë edhe pjesën veriore të vendit. /Telegrafi/