Filip Hrgovic (21-1) është shpallur kampion i ri i botës në kategorinë e rëndë, pasi mposhti britanikun Moses Itauma (14-1) me nokaut teknik në rundin e nëntë, në një duel spektakolar të zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës.

Boksieri kroat e siguroi titullin pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme, pasi në fillim të duelit u rrëzua në nokdaun dhe për disa raunde pati vështirësi përballë ritmit dhe shpejtësisë së Itaumas.


Tensionet nisën që para meçit

Atmosfera mes dy boksierëve ishte e tensionuar që para përballjes. Gjatë matjes zyrtare të peshës të premten, pas një shkëmbimi fjalësh, Itauma e shtyu Hrgovicin nga skena.

Hrgovic u ngrit menjëherë, iu kthye britanikut dhe e goditi me shuplakë, duke shkaktuar kaos në skenë.

Një ditë më herët, gjatë përballjes tradicionale para meçit, Hrgoviq ishte kthyer nga publiku pas pozimit dhe kishte thënë: “And new... From Zagreb, Croatia!”, duke paralajmëruar se do të shpallej kampion i ri i botës.

Nisje e vështirë për Hrgovicin

Hrgovic hyri i pari në ring, i shoqëruar nga kënga “Geni kameni” e Marko Perkovic Thompsonit, por dueli nisi në mënyrën më të keqe për të.

Itauma ishte i shpejtë dhe shumë agresiv që në rundin e parë, duke e goditur disa herë saktë Hrgovicin dhe duke marrë kontrollin e duelit.

Në fillim të rundit të dytë, britaniku e goditi me të djathtën dhe e dërgoi Hrgovicin në nokdaun. Gjykatësi Howard Foster nisi numërimin, ndërsa kroati arriti të rikuperohej dhe të vazhdonte duelin.

Hrgovic filloi ta ndryshonte ritmin në rundin e tretë, kur mori iniciativën dhe nisi të godiste më saktë me direktet. Megjithatë, Itauma u kundërpërgjigj në rundin e katërt dhe vazhdoi të ushtronte presion.

Rundet e pesta dhe të gjashta ishin shumë më të hapura, me të dy boksierët që shkëmbyen goditje të forta. Në këtë fazë u bë e qartë se qëndrueshmëria e Hrgoviqit po e mbante atë në lojë, ndërsa Itauma filloi të shfaqte shenjat e para të lodhjes.

Përmbysja e madhe në rundin e nëntë

Pavarësisht lodhjes, Itauma e nisi fuqishëm rundin e tetë dhe për një moment dukej se kishte marrë sërish kontrollin e plotë të duelit.

Ai e sulmoi Hrgovicin me seri të njëpasnjëshme goditjesh dhe kroati dukej i tronditur.

Megjithatë, Hrgoviq rezistoi dhe arriti të kundërpërgjigjej në fund të rundit.

Në rundin e nëntë ndodhi përmbysja që ndryshoi gjithçka.

Hrgovic doli agresiv që në sekondat e para, i vetëdijshëm se duhej të kërkonte përfundimin e duelit. Ai e vendosi Itauman pranë litarëve dhe e bombardoi me seri të fuqishme goditjesh.

Presioni i vazhdueshëm i kroatit bëri që këndi i Itaumas të dorëzohej, duke hedhur peshqirin në ring. Gjykatësi Foster menjëherë e ndërpreu duelin.

Kështu, Filip Hrgovic u shpall kampion i ri i botës në peshat e rënda në versionin IBF, duke siguruar titullin pas një prej përmbysjeve më dramatike të karrierës së tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app