Dy të akuzuarit pranojnë fajësinë për barrikadat në Zveçan, veçohet procedura

Gjykata Themelore në Prishtinë ka veçuar procedurën ndaj Millosh Radosavljeviqit dhe Dushan Dobracit, të akuzuar në rastin e barrikadave të vitit 2022 në Komunën e Zveçanit.
Vendimi për veçimin e procedurës u mor pasi dy të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.
Paraprakisht, u bë e ditur se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orloviq, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, avokati Bogdan Llaziq.
Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri tha se mungon i akuuzari Nenad Orloviq, për të cilin Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin dhe se nga raporti i Policisë i datës 27 gusht 2026, konstatohet se Policia kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhërarrestin, por i akuzuari nuk është gjetur në vendbanim, kurse fqinjët kanë deklaruar se jeton në Serbi.

Po ashtu, mungoi edhe avokati Petroviq për të cilin i mbrojturi i tij Joloviq deklaroi se ka folur në telefon dhe e ka njoftuar se është përfshirë në një aksident në komunikacion.
Gjithashtu, mungoi edhe avokati i Vuçiniq, Bogdan Llaziq, i cili përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.
Ndryshe, prezent në gjykim ishin prokurori special, Admir Shala, i akuzuari Maksimoviq me avokatin Millosh Nikoliq, i akuzuari Milosh Radosavljeviq me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobrac me avokatin Boban Petkoviq, i akuzuari Sërgjan Vuçiniq, i akuzuari Nemanja Joloviq, si dhe mbrojtësja e Orloviq, avokatja Donjeta Leka.
Gjykatësi Beqiri tha që me qëllim të sqarimit të mungesës së avokatit Petroviq, ndërpreu seancën për pesë minuta. Më pas, në seancë u paraqit edhe avokati Petroviq.
Pas pauzës 5-minutëshe, gjykatësi tha se për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe avokatit Bogdan Llaziq, dhe duke qenë se kanë në shkresa të lëndës dy marrëveshje për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, Gjykata i ftoi palët për mundësinë e veçimit të procedurës, e që sot të vazhdojnë me marrëveshjet për pranim fajësie me dy të akuzuarit Radosavljeviq dhe Dobrac.

Prokurori Shala tha se nuk e kundërshtojnë veçimin e procedurës, për qëllim të ekonomizimit të procedurës.
Edhe mbrojtësi i Radosavljeviq, avokati Mahmut Halimi propozoi të veçohet procedura për shkak të marrëveshjes për pranim fajësie.
Gjithashtu, mbrojtësi i Dobrac, avokati Boban Petkoviq nuk e kundërshtoi veçimin e procedurës, duke pasur parasysh arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.
Fjalët e avokatëve të tyre i mbështetën dy të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie.
Gjykatësi Beqiri tha se duke qenë se Gjykata i ka dëgjuar palët dhe pasi që për dy të akuzuar kemi marrëveshje për panim të fajësisë, atëherë me aktvendim veçohet procedura për të akuzuarit Radosavljeviq (për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetuese) dhe Dobrac (për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”).
Ndërkaq, në mungesë të të akuzuarit Orloviq dhe avokatit Llaziq, seanca fillestare u shty për 15 shtator. /Telegrafi/








































