LAJMI I FUNDIT:

Mjekimi i sëmundjes koronare

Mjekimi i sëmundjes koronare
Dr. Tefik Bekteshi, kardiolog

Sëmundja koronare është sëmundje më e shpeshtë e zemrës, që ka të bëjë me arteriet të cilat e furnizojnë zemrën me gjak

Dr. Tefik Bekteshi,
kardiolog

Gjaku sjellë ushqim dhe oksigjen arteriet mund të ngushtohen apo të mbyllen plotësisht. Shkak më së shpeshti është arteroskleroza (formimi i pllakave në murin e enëve të gjakut). Këto pllaka në vete kanë yndyra, shpesh kalcium dhe qeliza. Duke u grumbulluar këto materiale, pllakat rriten dhe ngushtojnë enët e gjakut duke zvogëluar furnizimin e muskulit të zemrës me gjak. Ky mosfurnizim adekuat e bënë zemrën të vuaj, sidomos kur nevojitet sasi më e madhe e gjakut për të krye punën e vet (për shembull gjatë aktivitetit fizik).


Vuajtja e zemrës për gjak manifestohet shpesh me dhimbje gjoksi (e njohur si angina pektoris). Mjerisht, arteriet, pos që ngushtohen gradualisht, mund edhe të mbyllen (zakonisht me trombë që formohet në bazë të pllakave jo stabile ateroskerotike). Mbyllja e arteries do të ndal furnizimin në një rajon të zemrës, do të vjen deri te vdekja e qelizave të muskulit të zemrës – kjo njihet si infarkt i zemrës! Pra, infarkti i zemrës është vetëm manifestim i sëmundjes koronare.

Procesi i arterosklerozës zgjatë me vite duke na dhënë mundësin të parandalojmë dhe mjekojmë. Pra, si individ dhe si shoqëri duhet ta luftojmë dhe kjo mund të bëhet me sukses të lartë. Një kardiolog i entuziazmuar amerikan, duke u mbështet në mundësit që i kemi deklaroi: “sot është marre me vdekë nga zemra”. Aludimi ishte në sëmundje koronare, në mundësitë e parandalimit dhe shërimit!

Sëmundja koronare mjekohet në shumë mënyra, varësisht nga serioziteti i sëmundjes. Te shumica e pacientëve kontrolli i mirë i sëmundjes arrihet me ndryshim të stilit të jetës dhe me barna. Të tjerët, me sëmundje më progresive, kanë nevojë për mjekim me metoda të kardiologjisë invazive (stentim për shembull), deri te intervenimi kirurgjik (bypass). Me këto intervenime shpesh arrihet mënjanimi i dhimbjes, përmirësim i gjendjes, por sëmundja koronare mjekohet tërë jetën, gjendjen duhet të kemi nën kontrolle sepse sëmundja nuk është zhdukë!

Ndërrimi i stilit të jetës

Edhe pse janë bërë inovacione të shumta në lëmin e mjekimit të sëmundjes koronare, bazë për të ndaluar progresionin e sëmundjes është ndryshimi i kushteve të cilat e mundësuan sëmundjen. E vërtetë është që vështirë arrihet të ndryshohet jeta, të largohen veset e deridjeshme dhe atë në moshë zakonisht të shtyrë. Nuk është kjo vetëm çështje individuale! Shpesh, i sëmuri nuk ka informata të mjaftueshme apo mungon sistemi i përkrahjes nga shoqëria, nuk ekziston vendi ku mund të konsultohet rreth dietës, aktivitetit fizik, seksit, kontrollit të peshës trupore, vozitjes… Si pasojë nuk është i rrallë depresioni, anksioziteti apo të dyja. Me apo pa arsye, akuzohen mjekët e personeli tjetër shëndetësor për mosdhënie të udhëzimeve të qarta e konkrete.

Strategjia më e mirë e luftimit të kësaj sëmundje është parandalimi i saj edhe nëse rezultati i vetëm i masave është ngadalësimi i sëmundjes. Kjo arrihet me luftimin e faktorëve të rrezikut për sëmundje koronare. Edhe popullata jonë është e informuar për këta faktorë rreziku dhe mundohet t’i modifikojnë me ndihmën e punëtorëve shëndetësor. Rezultatet nuk do të vijnë brenda natës. Amerikanët, për shembull, gradualisht ndërruan shumëçka në jetën e tyre. U larguan nga televizori dhe dolën në natyrë, filluan të vrapojnë. Cigaren e zhdukën nga ekrani i filmit, nga gazetat dhe e shtrenjtuan shumë. Në etiketat e gjërave ushqimore u fillua të shkruhet dukshëm: “me sasi të vogël kolesteroli”. Imazhi i amerikanit të suksesshëm nuk është kurrsesi njeriu “me bark” i futur thellë në kolltukun e vet prej kah tymos cigaren dhe jep urdhrat, por njeriu “pa fije dhjami”, me reket tenisi në dorë, e në vend të whisky-it klasik në gotë ka lëng portokalli. Amerikanët kanë sukses në parandalim të sëmundjes, sot ata janë më të shëndoshë se para 30-40 vitesh. Çdo individ mund të nxjerrë mësim nga kjo qasje të luftimit të sëmundjes koronare. Pra, edhe ne, si individ dhe popullatë duhet luftuar këta faktorë rreziku!

Po, cilët janë këta faktorë?

Disa faktorë nuk modifikohen, nuk mund të luftohen – moshën, gjininë dhe gjenetikën tonë nuk mund të modifikojmë. Por, të tjerat i luftojmë me sukses:

▪ Duhanin – mund ta ndërprejmë;
▪ Tensionin e lartë të gjakut, si dhe diabetin mund të kontrollojmë me sukses të lartë;
▪ Kolesterolin, gjithashtu me dietë dhe barna mund ta mbajmë në vlera të dëshiruara;
▪ Kënaqësi e veçantë është të rrisim aktivitetin fizik – me këtë përfitojmë shumëfishë, i luftojmë faktorët e përmendur më parë, rrisim kondicionin, ulim masën trupore…thjeshtë ndihemi më mirë?

Nëse kësaj i shtohen edhe vizitat e rregullta mjekësore, marrja e barnave adekuate do të arrihet qëllimi: kontroll e plotë e sëmundjes dhe jeta kualitative!

Barnat adekuate ndihmojnë

Shpesh, barnat janë të domosdoshëm si “shtesë” ndryshimit të stilit të jetës, varësisht nga natyra dhe serioziteti i sëmundjes koronare, si dhe nga problemet tjera shëndetësore koekzistuese.

Bari i cili nuk mund të anashkalohet në mjekimin e sëmundjes së diagnostikuar koronare është Aspirina – përshkruhet për të parandaluar infarktin e zemrës. Merret çdo ditë në dozë të vogël (50-325mg). Vepron në pllakëzat e gjakut (trombocitet), duke moslejuar shtresimin e tyre në enët e gjakut. Ky shtresim është “fajtor” i fillimit të mbylljes së arteries – mbyllja e arteries koronare shkakton infarkt të zemrës! Ekzistojnë edhe barna tjerë që merren për këtë qëllim, por asnjeri nuk është aq i lirë dhe i padëmshëm sa Aspirina.

Barnat për zvogëlim të nivelit të kolesterolit në gjak përdoren me ide parandalimi të progresionit të sëmundjes. Më të preferuarit janë të ashtuquajturat – statine. Statinet zvogëlojnë vlerat kryesisht të LDL kolesterolit (“kolesterolit të keq”) për 20 deri 60 përqind. Sot, konsiderohen barna të domosdoshëm për pacientët me sëmundje koronare.

Beta bllokuesit janë barna shumë të përdorur. Këta barna zvogëlojnë ngarkesën e zemrës, ia bëjnë punën më të lehtë. Përdoren edhe për të kontrolluar shtypjen e lartë dhe për të zvogëluar episodet e dhimbjes anginoze. Janë të pazëvendësueshëm në parandalimin e infarktit të serishëm të zemrës.

Nitratet, duke përfshi këtu edhe Nitroglicerinën, relaksojnë enët e gjakut dhe largojnë dhimbjen te pacientët me sëmundje koronare.

Bllokuesit e kanaleve të kalciumit relaksojnë enët e gjakut. Janë shumë efektiv në kontrollimin e shtypjes së lartë të gjakut.

Inhibuesit e enzimit konvertues të angiotenzinës (ACE inhibuesit) dhe bllokuesit e e receptorëve të angiotenzinës (ARB) ndalojnë prodhimin e një substance në organizmin tonë e cila shkakton ngushtimin e enëve të gjakut. Prandaj, këto barna shfrytëzohen për të kontrolluar shtypjen e lartë të gjakut, por edhe për të ndihmuar zemrën e dëmtuar (p.sh. pas infarktit). Ekzistojnë evidenca që këto barna zvogëlojnë rrezikun nga infarkti i dytë i miokardit.

Antikoagulantët, zvogëlojnë rrezikun nga ngjizja e gjakut brenda hapësirave të zemrës dhe enëve të gjakut duke parandaluar kështu pikën në tru. Zakonisht përdorën pas infarktit më të zgjeruar të zemrës, përkohësisht apo eventualisht tërë jetën (sidomos nëse pacienti ka edhe çrregullim ritmi).

Diuretikët zvogëlojnë sasinë e lëngjeve (ujit) në trupin tonë. Zakonisht përdorën për të kontrolluar shtypjen e lartë të gjakut, por edhe si barna pothuajse të domosdoshëm në shërimin e dobësisë së zemrës.

Natyrisht, mjeku ka në dispozicion edhe grupe tjera barnash, por ato përdoren më rrallë në shërimin e sëmundjes koronare.

Femrat dhe sëmundja e zemrës
Lexo po ashtu Femrat dhe sëmundja e zemrës

Informohuni për barnat

Të gjithë e kemi të qartë se barnat në Kosovë importohen. Ato prodhohen kudo në botë, prandaj edhe ekziston laramani e emrave të tyre. Ajo çka është e rëndësishme kur të blihet, është përbërja e tij, jo emri i fabrikës. Çdo fabrikë e “pagëzon” barin që e prodhon me emra të mbrojtur, por është e obliguar të shkruan emrin (gjenerik) e barit me të cilin njihet nga të gjithë mjekët dhe farmacistët e botës! Orientohuni me këtë emër gjenerik të barit!

Pyetni mjekun tuaj (apo punëtorin shëndetësor) çfarë janë barnat të cilat i merrni. A kanë ato efekte të padëshiruara, si të veproni nëse dyshoni se janë shfaqur këto efekte – posaçërisht duhet ditur si veprojnë barnat kur merren së bashku, dy, tri apo më shumë. Nëse duhet të merrni barna për sëmundje tjetër, e domosdoshme është që për këtë të informoni mjekun dhe të kërkoni mendimin e tij.

Pra, mjeku angazhohet me dijen teorike dhe praktike, me eksperiencën e vet… Jep këshilla, përshkruan barna…por, shëndeti është komponentë madhore e jetës tonë, është e domosdoshme që të informohemi, të kuptojmë, të veprojmë, të kyçemi vet në shërimin e sëmundjes tonë – ta mposhtim sëmundjen (koronare). Këtë e kemi borxh vetes dhe familjes tonë! /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ilaçi më i mirë shtëpiak për veshka: Të gjithë përbërësit me siguri i keni në shtëpi!

Ilaçi më i mirë shtëpiak për veshka: Të gjithë përbërësit me siguri i keni në shtëpi!

Kalo në kategori