LAJMI I FUNDIT:

Chelsea nëpërkëmb Stoken

Chelsea nëpërkëmb Stoken

Blutë kanë regjistruar fitore të thellë prej 7-0 kundër Stoke Cityt, në takimin e zhvilluar të dielën në Stamford Bridge.

Salomon Kalou shënoi golin e parë në minutën e 24 për të kaluar Chelsean në epërsi, ndërsa shtatë minuta më pas dyfishoi rezultatin.

Për rezultatin përfundimtar të pjesës së parë, u përkujdes Frank Lampard, i cili ishte i pagabueshëm nga njëmbëdhjetëmetërshi (44’).

Në minutën e 68-të, Kalou kompletoi het-trikun e tij duke shënuar golin e katërt të vendasve pas tentativës së dytë.


Në dhjetëminutëshin e fundit të kohës së rregullt, mesfushori Lampard realizoi golin e dytë personal në ndeshje që ishte goli i 20-të i sezonit për të (81’),

Në listën e realizuesve u shënua edhe Sturridge i cili shënoi për rezultatin prej 6-0 në favor të Bluve (87’). Ndërkohë që nuk mungoi as goli i Florent Maloudas, i cili vendosi rezultatin përfundimtar të takimit (89’).

Pas kësaj fitoreje, Chelsea rikthen kreun me një pikë më shumë se Manchester Unitedi, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar. Në xhiron e ardhshme Chelsea është mysafir i Liverpoolit, ndërsa në javën e fundit pret Wiganin në Stamford Bridge. /Telegrafi/