LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po e nxit populizmin?

Çfarë po e nxit populizmin?

Kultura apo ekonomia? Kjo pyetje përbën pjesën më të madhe të debatit rreth populizmit bashkëkohor. Presidenca e Donald Trumpit, Brexit-i dhe rritja e partive politike të krahut të djathtë në Evropën kontinentale si rrjedhojë e përkeqësimit të vlerave midis konservatorëve socialë dhe liberalëve socialë, ku të parët kanë hedhur përkrahjen e tyre pas politikanëve ksenofobë, etno-nacionalistë dhe autoritarë? Apo ato pasqyrojnë ankthin dhe pasigurinë e shumë votuesve, të nxitur nga krizat financiare, masat shtrënguese dhe globalizimi?

Nga përgjigja varen shumë gjëra. Nëse populizmi autoritar i ka rrënjët në ekonomi, atëherë ilaçi i duhur është një populizëm i një lloji tjetër – që synon padrejtësitë ekonomike dhe përfshirjen, por pluralist në politikën e tij dhe jo domosdoshmërish dëmtuese ndaj demokracisë. Nëse ai i ka rrënjët te kultura dhe vlerat, megjithatë, ka më pak mundësi. Demokracia liberale mund të jetë e dënuar nga dinamikat dhe kontradiktat e saj të brendshme.


Disa versione të argumentit kulturor mund të hidhen poshtë. Për shembull, shumë komentatorë në Shtetet e Bashkuara janë përqendruar në thirrjet e Trumpit ndaj racizmit. Por, racizmi në një formë apo në një tjetër ka qenë një tipar i qëndrueshëm i shoqërisë amerikane dhe nuk mund të na tregojë se pse reagimi i Trump ndaj tij ka rezultuar kaq popullor. Një konstante nuk mund të shpjegojë një ndryshim.

Shpjegimet e tjera janë më të sofistikuara. Versioni më i plotë dhe ambicioz i argumentit kulturor është avancuar nga kolegia ime e shkollës në Harvard Kennedy School Pippa Norris dhe Ronald Inglehart i Universitetit të Miçiganit. Në një libër të kohëve të fundit, ata argumentojnë se populizmi autoritar është pasojë e një zhvendosjeje afatgjatë të brezave në vlera.

Duke qenë se brezat e rinj janë bërë më të pasur, më të arsimuar dhe më të sigurt, ata kanë adoptuar vlera “post-materialiste” që theksojnë laicizmin, autonominë personale dhe diversitetin në kurriz të religjionit, strukturave tradicionale të familjes dhe konformitetit. Brezat e vjetër janë bërë të tjetërsuar – duke u bërë kështu “të huaj në vendin e tyre”. Ndërsa tradicionalistët tani janë numerikisht grupi më i vogël, ata votojnë në numra të mëdhenj dhe janë politikisht më aktivë.

Will Wilkinson i Niskanen Center, së fundmi bëri një argument të ngjashëm, duke u përqendruar në rolin e urbanizimit në veçanti. Wilkinson argumenton se urbanizimi është një proces klasifikimi hapësinor që ndan shoqërinë në kuptimin jo vetëm të fatit ekonomik, por edhe të vlerave kulturore. Ai krijon fusha lulëzuese, multikulturore, me densitet të lartë, ku mbizotërojnë vlerat shoqërore liberale. Dhe ai lë pas zonat rurale dhe qendrat më të vogla urbane që janë gjithnjë e më uniforme në aspektin e konservatorizmit social dhe mos pëlqyese ndaj diversitetit.

Ky proces, për më tepër, është vetë-përforcues: suksesi ekonomik në qytetet e mëdha vërteton vlerat urbane, ndërsa vetë-përzgjedhja në emigracionin jashtë rajoneve të mbetura rrit akoma më tek polarizimin. Në Evropë dhe SHBA, zonat homogjene, shoqërore konservatore përbëjnë bazën e mbështetjes për populistët nativistë.

Në anën tjetër të argumentit, ekonomistët kanë realizuar një sërë studimesh që lidhin mbështetjen politike për populistët me goditjet ekonomike. Në atë që ndoshta është më i famshmi mes tyre, David Autor, David Dorn, Gordon Hanson dhe Kaveh Majlesi – respektivisht nga MIT, Universiteti i Zyrihut, Universiteti i Kalifornisë në San Diego dhe Universiteti i Lundit – kanë treguar se votat për Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në të gjitha komunitetet amerikane ishin të lidhura fort me madhësinë e goditjeve tregtare armiqësore të Kinës. Pra, sa më e madhe të ishte humbja e vendeve të punës për shkak të rritjes së importeve nga Kina, aq më e lartë ishte mbështetja për Trumpin.

Në të vërtetë, sipas Autor, Dorn, Hanson dhe Majlesi, shoku tregtar i Kinës mund të ketë qenë drejtpërdrejt përgjegjës për fitoren zgjedhore të Trump në vitin 2016. Vlerësimet e tyre tregojnë se nëse niveli i importeve do të kishte qenë 50% më i ulët se norma aktuale gjatë periudhës 2002-2014 , një kandidat demokrat për president do të kishte fituar shtetet kritike të Miçiganit, Uiskonsin dhe Pensilvanisë, duke e bërë Hillari Klintonin fituese të zgjedhjeve.

Studime të tjera empirike kanë prodhuar rezultate të ngjashme për Evropën Perëndimore. Përhapja më e madhe e importeve kineze është zbuluar se ka lidhje me mbështetjen për Brexit në Britani dhe rritjen e partive nacionaliste të ekstremit të djathtë në Evropën kontinentale. Masat shtrënguese dhe masat më të gjera të pasigurisë ekonomike kanë treguar se kanë luajtur një rol statistikisht të rëndësishëm. Dhe në Suedi, rritja e pasigurisë në tregun e punës është lidhur empirikisht me lindjen e demokratëve suedezë të ekstremit të djathtë.

Argumentet kulturore dhe ekonomike mund të ngjajnë në tension – në mos edhe jo konsistent – me njëri-tjetrin. Por, duke lexuar me rreshtave, mund të dallojmë një lloj konvergjence. Për shkak se tendencat kulturore – të tilla si vlerat post-materialiste dhe ato të promovuara nga urbanizimi – janë me natyrë afatgjatë, ato nuk shpjegojnë plotësisht kohën e reagimit populist. (Norris dhe Inglehart parashtrojnë një pikë të rëndësishme ku grupet shoqërisht konservatore janë bërë pakicë, por kanë ende fuqi disproporcionale politike.) Dhe ata që mbrojnë përparësinë e shpjegimeve kulturore, në të vërtetë nuk eliminojnë mundësinë e rolit të tronditjeve ekonomike. Këto tronditje, pretendojnë ata, përkeqësuan akoma më keq ndasitë kulturore, duke u dhënë populistëve autoritarë shtysën që u nevojitej atyre.

Për shembull, Norris dhe Inglehart argumentojnë se “kushtet ekonomike afatmesme dhe rritja në diversitetin shoqëror” përshpejtuan reagimin kulturor dhe tregojnë në punën e tyre empirike se faktorët ekonomikë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen për partitë populiste. Në mënyrë të ngjashme, Ëilkinson thekson se “ankthi racor” dhe “ankthi ekonomik” nuk janë hipoteza alternative, sepse tronditjet ekonomike kanë intensifikuar në masë të madhe renditjen kulturore të udhëhequr nga urbanizimi. Nga ana e tyre, deterministët ekonomikë duhet të pranojnë se faktorët si goditja tregtare e Kinës nuk ndodhin në vakum, por në kontekstin e ndasive shoqërore para-ekzistuese përgjatë linjave socio-kulturore.

Në fund të fundit, analizimi i saktë i shkaqeve që qëndrojnë pas rritjes së populizmit autoritar mund të jetë më pak i rëndësishëm sesa mësimet e politikave që duhen nxjerrë prej tij. Këtu ka vend për pak debat. Mjetet shëruese ekonomike për pabarazinë dhe pasigurinë janë shumë të rëndësishme. /Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/