LAJMI I FUNDIT:

CEZ merr 100 milionë euro kredi

CEZ merr 100 milionë euro kredi

Pas shumë përpjekjeve të vazhdueshme, më në fund BERZH dhe IFC, dy degë tregtare të Bankës Botërore, kanë pranuar t’i japin kredi me vlerë 100 milionë euro CEZ-it, kompanisë çeke që furnizon me energji mbi 1 milion abonentë.

Lajmin e ka dhënë i pari i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për njërin këst të kredisë, 50 milionë euro, dhe më pas është konfirmuar nga CEZ Shpërndarje.

Më pas, Korporata Financiare Ndërkombëtare në Tiranë ka zyrtarizuar pjesën tjetër të kredisë së akorduar, duke e çuar totalin në 100 milionë, aq sa kishte kërkuar CEZ.

Të dyja institucionet financiare kanë negociuar bashkarish me të njëjtat kushte për termat e kredisë, ndërsa nuk bëhet e ditur norma e interesit. “BERZH shpreh kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes së financimit, mbështetje kjo që i vjen kompanisë CEZ për të modernizuar rrjetin dhe të rrisë shërbimin ndaj konsumatorëve sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Nandita Parshad, përgjegjëse e sektorit të energjisë, pranë bankës.


CEZ ka afat 12 vjet për të shlyer kredinë dhe për ta realizuar objektin u ka ofruar dy bankave garanci të forta, ku më kryesorja është rritja e të ardhurave nga arkëtimi i faturave të dritave. /Telegrafi/