LAJMI I FUNDIT:

Celularët, shqiptarët shpenzojnë 400 milionë euro në vit

Celularët, shqiptarët shpenzojnë 400 milionë euro në vit

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) njofton se të ardhurat në tregun celular për vitin që shkoi arrijnë në 400 milionë euro. Raporti i cituar të hënën nga e përditshmja Mapo vë në dukje se ka pasur një rritje të ndjeshme përdorimit të shërbimeve të celularëve, ndërsa numri i pajtimtarëve është rritur me 11 për qind.

Në raport thuhet se përdorimi i thirrjeve telefonike është rritur me 60-70 për qind, ndërkohë që ka rënë me 16 për qind përdorimi i shërbimit të sms-ve. Sipas raportit kjo rritje e përdorimit të shërbimeve të telefonisë celularë, që ka çuar në rritjen e përfitimeve të kompanieve që operojnë në këtë treg, ka ardhur si pasojë e rënies së çmimeve mesatare, tarifave shumë të ulëta për thirrjet brenda grupit, si dhe paketat e zgjeruara të ofruara për institucionet dhe bizneset.

Rritja e elasticitetit të këtij tregu është një tjetër faktor shpjegues sipas AKEP. Megjithatë, AKEP-i vëren se ka ende hapësira për rritje të përfitimeve në grupe më të mëdha përdoruesish dhe jo vetëm për përdoruesit e thirrjeve brenda rrjetit.

Raporti konkludon se gjatë vitit që shkoi ka psaur një rritje të ndjeshme të konkurrencës ndërmjet operatorëve, gjë që ka përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në raport me vendet e tjera të zhvilluara. Numri i pajtimtarëve celularë gjatë vitit 2010 shkoi në 4.5 milionë, gjë që tregon se gjysma e popullsisë përdor më shumë se dy karta të telefonisë mobile. /Telegrafi/