LAJMI I FUNDIT:

Çekët vitin e kaluar shpallën 2.500 falimentime personale

Çekët vitin e kaluar shpallën 2.500 falimentime personale

Numri i falimentimeve personale në Çeki në vitin 2009 janë shtuar për 248 për qind në krahasim se vitin e kaluar, ndërsa analistët paralajmërojnë se ky trend do të vazhdojë edhe këtë vit.

Sipas të dhënave të Byrosë kreditore çeke, vitin e kaluar, numri i kërkesave për falimentime personale ështl shtuar për 137 për qind, ndërsa në muajin nëntor janë parashtruar madje 500 kërkesa.

Në vitin 2009, falimentim kanë shpallur gjithsej 2.500 qytetarë dhe 1.480 kompani. Shifrat tregojnë se mesatarisht në muaj, kanë bankrotuar nga 208 çekë, përderisa në vitin 2008, mesatarisht ishin shpallur nga 60 falimentime në muaj.

Analistët mendojnë se arsyeja për numrin e madh të bankrotimeve është gjendja e keqe ekonomike dhe kryesisht papunësia e madhe vitin e kaluar.


Në shpalljen e falimentimit personal, luan rol edhe fakti që falimentimi është masë më e butë sesa ekzekutimi i dhunshëm, i cili është më drastik. Kur sillet masa për ekzekutim të dhunshëm, borxhliu është i obliguar ta kthejë tërë borxhin, ndërsa gjatë falimentimit, vetëm 30 për qind të shumës të cilën e ka borxh.