LAJMI I FUNDIT:

Cakolli: Përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi do të duhej të ishte objektiv parësor për tërë spektrin politik

Cakolli: Përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi do të duhej të ishte objektiv parësor për tërë spektrin politik

Ka kaluar pothuajse një dekadë që kur ka filluar dialogu mes Kosovës së Serbisë në Bruksel, ndërsa ende nuk ka rezultuar me ndonjë marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve.

Ky dialog pritet të rifilloj në mes të muajit qershor, ndërkaq gjatë vizitës në Kosovë, ditë më parë zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sivjet mund të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Në lidhje me këtë ka folur Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili në një prononcim për Telegrafin ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë përkatësisht përmbyllja e tij, do të duhej të ishte objektivi parësor për çdo qeveri dhe i tërë spektrit politik për shumë arsye.


Sipas tij, si të më të rëndësishmet janë përmbyllja e çështjes së konsolidimit të Kosovës me arenën e jashtme, tërheqja e investitorëve të huaj, etj.

Eugen Cakolli

“Nga ajo çfarë kemi pa deri më tani, shpesh herë çështja e dialogut për konsum politikë e kalkulime politike ka rezultuar që të paraqitet si temë e një rëndësie të dorës së dytë apo edhe më poshtë, duke bërë që të ketë humbje dhe fokusit në raport me këtë proces. Megjithatë besoj që procesi i dialogut me Serbinë përkatësisht përmbyllja e tij, do duhej të ishte objektivi parësor në çdo qeveri dhe i tërë spektrit tonë politikë, për shumë arsye, si të më të rëndësishmet janë përmbyllja e çështjes së konsolidimit të Kosovës me arenën e jashtme, heqja e lehtësimit të arsyes për shtetet mos njohëse dhe nga ajo që kemi pa është se Kosova është ballafaquar me një tërheqje apo mos ofrim nga investitorët e huaj, e sidomos ata amerikanë.

Është evidente që këta investitorë e kanë lidh fushëveprimin e tyre me arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe siç kanë deklaruar edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane, se pa arritjen e një marrëveshje të tillë është vështirë të besohet që do të ketë investime amerikane por edhe evropiane në Kosovë”, u shpreh ai.

Po ashtu stërzgjatja e procesit të dialogut, siç tha Cakolli, i kontribuon vijimit të procesit të status quos, e cila është duke ndikuar jashtëzakonisht negativisht për Kosovën si në planin e brendshëm, mirëpo dhe të jashtëm në kuptim të pamundësisë për të ecur përpara.

“Po ashtu pa përmbylljen e procesit të dialogut mes një marrëveshje të madhe ekziston ende rreziku që Kosova të paraqitet si pala destruktive në raport, e që pastaj në rast të fillimit të kampanjës së Serbisë për çnjohje të Kosovës është vështirë e besueshme që me kapacitetet aktuale diplomatike që ka Kosova do të mund t’i bëj ballë një fushate të tillë në mungesë të përkrahjes së faktorit ndërkombëtarë”, vlerësoi ai.

Cakolli gjithashtu theksoi se qeveria dhe spektri politikë do duhej të ulej dhe të dakordohej për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duke mos aluduar fare në afate kohore, por që të mbyllet sa më shpejt që të jetë e  mundur, mirëpo pa i bërë presion palës kosovare.

Ndryshe, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të rifilloj në muajin qershor, siç është bërë e ditur nga emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në dialogun që do ta zhvillojë me presidentin e Serbisë në Bruksel, Aleksandar Vuçiq do të jetë përballja dhe takimi i tij i parë me të dhe siç deklaroi ai dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë vazhdim i dialogut të mëhershëm, por takim për dialogun e ardhshëm. /Telegrafi/