LAJMI I FUNDIT:

Buxheti 2010 suficit apo deficit

Buxheti 2010 suficit apo deficit

Kosova sivjet rrezikohet nga deficiti buxhetor, paralajmërojnë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje, ndërsa njohësit e çështjeve ekonomike e thonë të kundërtën. Sipas tyre, buxheti do të përballet me suficit, për shkak se ekzekutivi i vendit nuk ka realizuar projektet kapitale.

Zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje tërheqin vërejtjen se Kosova, sivjet, mund të përballet me deficit buxhetor.

Selim Thaçi, këshilltar në Ministrinë në dorëheqje të Ekonomisë dhe Financave, thotë se të hyrat e përgjithshme pritet të jenë mbi 1 miliard e 100 milionë euro, përderisa shpenzimet, sipas tij, do ta kalojnë shifrën prej 1 miliard e 300 milionë eurosh. Deficiti buxhetor për këtë vit pritet të jetë rreth 178 milionë euro.

“Është një deficit, i cili ka qenë i planifikuar edhe në fillim të këtij viti. Por, pavarësisht tij, në saje të mbështetjeve nga donatorët dhe bilancit të akumuluar bankar nga vitet e kaluara, rezerva buxhetore në fund të këtij viti do të jetë në nivelin 248 milionë euro”, thotë Thaçi.


Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se buxheti i Kosovës nuk do të përballet me deficit. Sipas Muhamet Sadikut, edhe këtë vit mund të ketë tepricë të mjeteve të pashpenzuara financiare. “Edhe këtë vit, buxheti i Kosovës do të përballet me problemin e suficitit. Vazhdon edhe paraqitja e mjeteve të pashpenzuara nga vitet e kaluara. Do të thotë, kemi bartje, por kemi edhe suficit të krijuar gjatë këtij viti, sepse raporti nëntëmujor tregon se kemi ngecje të konsiderueshme në realizimin e investimeve publike”, thekson Sadiku.

Në bazë të raportit nëntëmujor të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, 58 për qind e planit të përgjithshëm të buxhetit është shpenzuar për këtë periudhë, ndërsa 45 për qind është shpenzuar për investime kapitale.

Edhe Labeat Mustafa, nga Instituti i Financave të Kosovës, shpreh bindjen se buxheti i vendit këtë vit do të përballet me suficit. “Ky suficit mund të jetë për shkak të rritjes më të madhe të të ardhurave apo pranimeve, në krahasim me shpenzimet, edhe pse me planifikimin e buxhetit të këtij viti, shpenzimet kanë qenë të parapara të jenë më të mëdha sesa të ardhurat”, pohon Mustafa.

Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë nuk i shqetëson shumë fakti i suficitit apo deficitit buxhetor. Ata shfaqin dyshime për keqpërdorime të parasë publike gjatë kësaj periudhe, pasi, sipas tyre, ka mbetur përqindje e madhe e buxhetit që të shpenzohet në tremujorin e fundit të vitit fiskal.

Buxheti i Kosovës ka vite që përballet me suficit. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, me një tepricë financiare rreth 160 milionë euro. Fondi Monetar Ndërkombëtar disa herë i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kosovës për keqmenaxhim të parasë publike. /Rel/Telegrafi/