LAJMI I FUNDIT:

Britania përgatitet “të shtrëngojë fort rripin”

Britania përgatitet “të shtrëngojë fort rripin”

Sekretari britanik përgjegjës për financat, kancelari George Osborne i paraqet të martën parlamentit buxhetin e emergjencës. Ai do të njoftoj planet për reduktimin e defiçitit në financat publike, një hap ky që është ndërmarrë nga një numër qeverish evropiane.

Recesioni i ka shkaktuar një dëm të madh financave të qeverive në mbarë botën e zhvilluar.

Kostoja e paketave shpëtuese dhe shpenzimet nga ana e qeverive për të stimuluar rimëkëmbjen ekonomike i kanë shtyrë ato drejt tejkalimit të mundësive financiare.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, faktori kryesor ka qënë rënia e aktivitetit ekonomik që i ka prekur thellë të ardhurat nga taksat.


Në Britani defiçiti këtë vit, sipas parashikimeve të FMN-së, përbën një pjesë më të madhe të të ardhurave në shkallë kombëtare, sesa në çdo vend tjetër të zhvilluar përveç Irlandës.
Kancelari britanik tha se këto masa shtrënguese do t’i preknin të gjithë.
"Të gjitha sektorët e shoqërisë do të duhet të kontribuojnë. Ne duhet të merremi me koston e sektorit publik, por duhet të merremi edhe me çështjen e kontributit të ndershëm nga ana e bankave".
Kancelari nuk pranoi të jepte më shumë hollësi lidhur me buxhetin e ardhshëm, megjithatë BBC ka mësuar se ky buxhet do të përfshijë edhe premtimin elektoral të konservatorëve për të ulur taksën e sigurimeve shoqërore për bizneset e reja. /BBC/Telegrafi/