LAJMI I FUNDIT:

Britani, zhgënjen industria

Britani, zhgënjen industria

Prodhimi industrial në Britaninë e Madhe gjatë 3 muajve të para të vitit raporton një rritje prej vetëm 0.1 për qind. Këto të dhëna kanë sjellë edhe rishikimin në rënie të projeksioneve për ecurinë e industrisë në tërësi gjatë vitit aktual. Ky zhvlerësim bazohet kryesisht te dobësia në sektorin e naftës dhe gazit.

Nga ana tjetër Konfederata e industrisë britanike thekson faktin se sektori privat si i tërë, po gëzon rritjen më të shpejtë të 12 muajve të fundit. Funta britanike ndërkohë ka prekur nivelin më të lartë në norma tregtimi që prej mesit të vitit 2008.

Sipas ekspertëve, forcimi i monedhës vendase po ul bindshëm konkurrushmërinë e produkteve britanike, pasi shtyn konsumatorët të blejnë mallrat e importuar duke qënë se janë edhe më të lirë. Pavarësisht faktit se në muajin Maj, aktiviteti industrial britanik ka prekur nivelin më të lartë të 7 muajve të fundit, eksportet e dobëta kanë zbehur disi efektin e një kërkese të fortë të brendshme, duke i dhënë një dinamikë krejt tjetër sektorit.


Këto të dhëna nga ana tjetër vënë në pikëpyetje projeksionet për rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar gjatë tre mujorit të dytë të vitit. Vlerësimet paraprake flisnin për një rikthim të rritjes në binarët e duhur.

Sektori industrial vazhdon të humbasë bindshëm peshën në ekonominë britanike, pasi po dëmtohet nga një monedhë e fortë si dhe investimet e dobëta të biznesit. Nga ana tjetër, edhe punësimi në sektor rezulton më i ulëti në 2 vitet e fundit, duke sinjalizuar se, trendi pozitiv që vazhdon që prej mesit të vitit 2013, do të marrë një kthesë tjetër. /Telegrafi/