LAJMI I FUNDIT:

BQK: Kredit me ritme pozitive

BQK: Kredit me ritme pozitive

Niveli i kredive të lëshuara nga bankat në Kosovës është i njëjtë me vitin e kaluar kanë thënë zyrtarë të bankave.Sipas tyre pavarësisht problemeve ekonomike, lëshimi i kredive ka qenë i kënaqshëm.

Drejtori i ProCredit Bank Philip Sigwart ka thënë se banka ka pranuar numër të mjaftueshëm të kërkesave për marrjen e kredive.

“Në përgjithësi numri dhe shuma e aplikacioneve për kredi të pranuara nga ProCredit Bank është shumë stabile. Kërkesa për kredi është përafërsisht në nivel të njëjtë sikurse ka qenë vitin e kaluar”, është shprehur Philip Sigëart.
Ndryshe Iliriana Tahiraj nga Raiffeisen Bank, ka theksuar se nuk ka rënie të theksuar të interesit për marrjen e kredive.

Ajo ka treguar se gjatë 2009, Raiffeisen Bank në Kosovë ka pranuar një numër të madh të kërkesave për kredi nga ana e individëve dhe mikro-bizneseve.


“Nëse i referohemi bizneseve të mëdha, ato kanë qenë më të kujdesshme sa i përket investimeve gjatë kësaj periudhe dhe bashkërisht kemi përcjellë për së afërmi zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Tahiraj.

Ajo ka treguar se deri në fund të shtatorit, Raiffeisen Bank ka pasur një portfolio të kredive prej 368 milionë euro, ndërkaq struktura e kredive ka shënuar rritje të theksuar, struktura e individëve dhe mikrobizneseve.
Kurse Virtyt Gacaferri nga Teb Banka ka thënë se ata kanë shtim të interesit për marrjen e kredive.

“Totali i kredive të lëshuara të TEB-it është pak nën 70 milionë euro, për deri sa vitin e kaluar e kemi mbyllur me 35 milionë euro kredi të lëshuara”, ka bërë të ditur Gacaferri dhe ka shtuar se struktura e kredi marrësve mbetet e përzier, por dominon biznesi.

Nga ana tjetër Besnik Kada nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka thënë se trendi i lëshimit të kredive nga ana e bankave komerciale gjatë këtij viti ka qenë me ritme pozitive.

“Dua të potencoj se ka pas në vazhdimësi rritje të kredive, por njiherit edhe rritje të depozitave, mirëpo kjo rritje është më e ulët se sa e njëjta periudhe e vitit të kaluar”, është shprehur ai, dhe ka bërë të ditur se sistemi bankar po vazhdon të gjeneroj rritje në dhënien e kredive dhe depozitimit të mjeteve.
Kada ka bërë të ditur se gjatë nëntëmujorit bankat kanë lëshuar rreth 110 milionë euro kredi , ku dominojnë në përqindje të lartë kreditë për biznese.