[tag_tagmanagerringier]a Borxhlinjtë e shtetit - Telegrafi - Telegrafi Borxhlinjtë e shtetit - Telegrafi
LAJMI I FUNDIT:

Borxhlinjtë e shtetit

Borxhlinjtë e shtetit

Ndërmarrjet publike, kompanitë e huaja dhe bizneset mbesin borxhlinjtë me të mëdhenj të shtetit. Borxhi i përgjithshëm i cili figuron në ATK ka arritur në 262 milionë euro. Për vitin 2009 ATK ka ndëshkuar mbi 4 mijë kompani duke dhënë gjoba prej 758 mijë euro. Komuniteti i biznesit thotë se duhet të inkasohet borxhi bazë dhe të këtë më pak ndëshkime.

Sado që mburret se e ka tejkaluar planin rreth të hyrave, Administrata Tatimore e Kosovës ka ngecur sa i përket inkasimit të borxheve.
Shuma e përgjithshme e borxhit ndaj ATK-së ka arritur në 262 milionë euro, ndonëse për vitin 2009 ajo vetëm nga mbledhja e detyrueshme ka grumbulluar 40.3 milionë euro, dhe ka ndërmarrë një serë masash ndëshkuese.

Ndërkaq, borxhlinjtë me të mëdhenj të shtetit mbesin ndërmarrjet publike, kompanitë huaja dhe bizneset.

Për zyrtarët e ATK-së, borxhet janë rritur për shkak të masave që ka marrë ky institucion, duke qenë se nën ombrellën e saj ka numër me të madh të tatimpaguesve. Prandaj edhe numri i atyre që s’i kryejnë obligimet është rritur.


“Vetëm tre muajt e fundit kemi 5 mijë tatimpagues më shumë”, tha drejtori i ATK-së, Behxhet Halititi.

Ndonëse në ATK nuk japin emra, ndërmarrjet publike prin me 32 milion euro borxh dhe ato të privatizuara me 25 milion euro. Gjithashtu rreth 92 për qind të totalit të borxheve e kanë vetëm 6 për qind e bizneseve të evidentuara nga ATK-ja.

Megjithatë Haliti thotë se institucioni që ai udhëheqë ka bërë një punë të mirë për mbledhjen e borxheve. Ndër masat që ai përmendë janë bllokimi dhe tërheqja e mjeteve nga llogaritë bankare të borxhlinjve, bllokada të ndryshme në kufi, si dhe bllokimi i pagesave nga thesari për tatimpaguesit borxhlinj.

Në letrën që drejtori i ATK-së i ka dërguar Doganave, e të cilën e patë siguruar Express, thuhet të jenë mbi 600 ndërmarrje kosovare të cilave u është ndaluar importi dhe eksporti i mallrave për shkak se nuk kanë deklaruar pagesat për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Përveç kësaj, Administrata Tatimore e Kosovës ka urdhëruar mbylljen e llogarive bankare, për të gjithë bizneset që kanë mbi 1000 euro borxh administratës. Embargo është vendosur edhe ndaj kompanive që importojnë mallra në vlerë mbi 50 mijë euro dhe deklaratat e TVSH`së nuk i kanë dorëzuar asnjëherë deri më tani, siç kërkohet me ligjet në fuqi.

Sipas këtij letërkëmbimi mes këtyre dy institucioneve disa nga këto kompani kanë importuar mallra në vlerë mbi 100 mijë euro dhe nuk i janë përgjigjur pagesave të TVSH`së.

“Këto masa kanë dhënë rezultatet e para në uljen e borxheve ndaj ATK-së, megjithatë se sa do të jenë këto rezultate, do të shihet në të ardhmen”, tha Haliti.

Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, thotë se duhet të mblidhet baza e borxhit, pasi që, sipas tij, ndëshkimet e grumbulluara janë bërë të renduara për bizneset.

“Shteti duhet të gjej forma lehtësuese për zhvillimin e bizneseve, pa tentuar që ato të jenë tepër të ngarkuara”, ka thënë, Shahini.

Ndryshe, borxhet e vjetra të cilat kanë arritur në 262 milionë euro, prej tyre 108 milionë euro janë borxhe reale, ndërsa 64 milionë euro janë ndëshkime dhe 81 milionë tjera interesa.

Ndërsa, vendimi i Qeverisë vitin e kaluar për faljen e kamatave për të gjithë tatimpaguesit që vullnetarisht i deklarojnë borxhet, ka dhënë rezultatet e para. Sipas zyrtarëve të ATK-së, janë arritur 3280 marrëveshje me tatimpagues të ndryshëm, prej të cilave janë inkasuar 23.4 milion euro. Kurse shuma e ndëshkimeve që janë falur prej këtyre marrëveshjeve arrin mbi tetë milion euro.

“Tatim paguesit në Kosovë kanë filluar ta kuptojnë se pagesa e tatimit është një detyrim, i cili do t’i kthehet tatimpaguesit përmes kryerjes së shërbimeve ndaj tij”, ka thënë Haliti.

Ndërkaq, vitin 2009 nuk kanë munguar as konfiskimet e mallrave të pa dokumentuara. Ketë vit, ATK ka ndërmarrë 224 raste të konfiskimeve, prej të cilave 83 e kanë paguar shumën e tërësishme menjëherë, 74 janë futur në marrëveshje për pagesë, ndërsa në 67 raste tjera është kryer konfiskimi. Vlera e mallrave të konfiskuara konsiderohet të jetë rreth 3 milion euro

Ndërkaq, numri i ndëshkimeve të vendosura për kompanitë është 4337 copë, kurse shuma e tyre llogaritet mbi 700 mijë euro.(gazetaexpress)