LAJMI I FUNDIT:

“Bon, bon, edhe nëse s’bon, s’bon…”

“Bon, bon, edhe nëse s’bon, s’bon…”

Tifozët e futbollit janë në trans. Jo vetëm bastoret, por edhe mediat po përfitojnë shumë nga kjo histeri. Politika po ashtu. Politika veçanërisht. Përfitimet e politikës kanë të bëjnë me vëmendjen e larguar nga ajo. Qytetarët në vend se të shfryjnë inatin mbi presidentët, qeveritarët , ministrat, zëvendësministrat (të cilët, meqë ra fjala, përbëjnë popullatën më të gjerë në politikën tonë), këtë muaj do të shajnë gjyqtarët, apo trajnerët, e shpesh edhe komentuesit e futbollit nëpër televizionet tona.

Shpëtuan zyrtarët e tjerë të cilët do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve, 24/7, por nuk janë. Me një fjalë, politikën, fal futbollit, në qershor, e ndoshta edhe në korrik, shumë më pak do ta kap lemza, e shumë më rrallë do t’u përmenden prindërit apo familja e ngushtë dhe e gjerë.


Kështu, opiumi i quajtur sport, nëse nuk është politikë gjithsesi është biznes. Pa të nuk bëjnë dot as biznesmenët tanë më të mëdhenj, politikanët të cilët, falë votës tonë, menaxhojnë fondet më të mëdha, me një fjalë e përfaqësojnë biznesin më të madh. Shteti është biznesi më i madh, jo vetëm te ne, por përgjithësisht në Ballkan.

Pra, edhe politika po merret me futboll. Ai që nuk është rreshtuar dika në futboll, nuk ka çfarë të kërkojë as në politikë. Më kot kërkova të di se me kë janë politikanët kryesorë. Ende është faza eliminuese.

Për shqiptarët, e veçanërisht ata të Kosovës, gëzim i madh, që në fillim. Kombëtarja “jonë” barazoi me Brazilin. Kjo ishte befasi e madhe e cila e theu mitin për kombet e mëdha në futboll. “Tradhtarët” që na bëjnë krenarë, ky mund të ishte një titull atraktiv për portalet të cilat dikur i shanin ata, sepse nuk po e linin Zvicrën për të mbrojtur ngjyrat kuqezi. Po të kishin lindur në Kosovë, në Shqipëri ata me gjasë do të ishin më shumë patriotë e më pak futbollistë të mirë si janë tani.

Pastaj deshëm të gëzohemi edhe për kombëtaren tonë tjetër, me të cilën identifikoheshim shumë nga ne, pra me Belgjikën. Por, Januzaj na e bëri me dije se nuk kemi përse gëzohemi. Me një fjalë, na bëri dush të ftohtë. “Le ta dijë, pra bota mbarë, se Januzaj nuk është (më) shqiptar”, kështu do të përshtatej me situatën, thënia e moçme, e cila i atribuohet Fishtës, edhe pse ka të bëjë me kohë tjera e mbase me rrethana krejt të tjera.

“Jam lindur në Belgjik, jam belg dhe ndihem belg”, tha ai, dhe asnjë nga këto tri pohime nuk mund të kontestohen nga askush, as të argumentohet me to diçka tjetër. Ai e di më së miri se cili është identiteti i tij sportiv, kulturor e kombëtar.

Por, ne kemi edhe kombëtaret tjera rezervë, nëse kombëtaret mund të zgjidhen në bazë të elementeve identitare. Për shembull shumëkush këto ditë bëri tifo për Arabinë Saudite apo për Egjiptin. Dikush madje edhe për Rusinë, sidomos për inat të sauditëve, por edhe për ndonjë arsye tjetër të panjohur apo ndonjë sentimenti nga e kaluara e tyre apo paraardhësve. Është futboll, s’ka nevojë për arsyetime politike.

“Unë jam me Serbinë”, tha këto ditë një komentator shqiptar i sportit, dhe u bë i njohur edhe në Kosovë. Ka mënyra nga më të ndryshme për të marrë vëmendjen. Për shembull Bleona zhvishet, e Linda vishet me flamur kombëtar, Rama vë kollare e mbath atlete nëpër takime zyrtare, ndërsa Thaçi hiqet si burrë shteti modern.

Nejse, kjo deklaratë (jo)sportive u konsiderua si provokim politik në Kosovë. Edhe pse komentatori i (pa)njohur nuk po fliste për politikë. Kush e di ku fillon e ku mbyllet politika ndër ne. Që nga fëmijëria kishte bërë tifo për “Zvezdën” dhe ende ndien lidhje emocionale me futbollin serb e jugosllav. E çfarë ka të keqe këtu? Mund të thoshte se ndihet serb! Dhe, çfarë?

Gjithsesi, kjo në Tiranë kapërdihet më lehtë. Mbase çelësat e Prishtinës ende nuk ju kanë dhuruar asnjë serbi të famshëm, nga kryebashkiaku i saj. Anash se Prishtina ka vetëm kryetar, s’ka bashki, e ndoshta as çelës!

Ky muaj pra do të shkojë kështu, me futboll. Pastaj në korrik vapa e përfshin Kosovën dhe tifozët kanë me ikë në bregdet, Rrugës se Kombit teposhtë, dhe tema kryesore, qoftë rrugës, qoftë nën çadra, prap se prapë ka me qenë futbolli, dhe tarifat e suspenduara për të shfrytëzuar autostradën, edhe për kuksianët “patriotë” që e mundësuan këtë me sakrificën e tyre…! Kushedi për çka, tjetër do të llafosin ata të Kosovës nëpër plazhet e Atdheut.

Çfarë mund të llafosin “kosovarët” e traumatizuar nga dështimi për të shkuar në Rusi, dhe a është mjaft ngushëlluese performanca e paralajmëruar e Era Istrefit në finale? Edhe… kështu deri në gusht . Dua këndoi në finalen e UEFA-së. Më mirë këndojmë sesa luajmë futboll. Përpos nëse femrat provojnë me futboll.

Sido që të jetë për adhuruesit e futbollit, shqiptarë në përgjithësi, ky vit nuk ishte pa suksese në futboll. Sukseset ishin kulmore. Në fakt dy ngjarjet më të mëdha të futbollit, me publikë globale, u kënduan nga këngëtaret nga Kosova. Për dallim prej futbollistit Januzaj i cili ndihet belg, sepse është i lindur në Belgjikë dhe këtë me gjasë e kuptoi pasi bëri llogaritë e tij sportive e financiare. Fal Zotit, Kosova ka mbet në çika. Mbase Rita, Dua, Era, apo ndonjëra nga ato të cilat na bënë promovim global, do të duhej të kandidohen për presidente të Kosovës, për të zëvendësuar “burrat e nderit” të politikës… po flisnim për futboll.

Por, futbolli, as politika jonë, nuk i përcjell dot ato.

Futbolli zyrtarisht nuk ka të bëjë asgjë me politikë. Por, ka të bëjë me kombin, kombëtaren, identitetin dhe si i tillë, ngjarjet e mëdha sportive bahen arenë për afirmim të identiteteve. Identifikimi bëhet fenomen global…!

A bon kështu, do të pyesin patriotët lokalë?

“Bon, bon, edhe nëse s’bon, s’bon…”